Igballe Rogova folëse në “NATO talk” në Bruksel

Me 8 mars, në selinë e NATO-s në Bruksel u shënua Dita Ndërkombëtare e Gruas, me ç’rast Igballe Rogova foli si aktiviste e shoqërisë civile, njëkohësisht si anëtare e Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në NATO, shkruan Kosovapress.com, transmeton Portalb.mk.

“Ne, aktivistet për të drejtat e grave për paqe besojmë se nuk mund të ketë paqe dhe siguri pa drejtësi”, Rogova duke folur për situatën e grave të prekura gjatë luftës në Kosovë.

Sipas njoftimit për media nga RrGGK, Rogova gjatë rrëfimit të saj për guximin dhe ndryshimin, në mes të tjerash theksoi që është e rëndësishme që përfaqësuesit e delegacioneve të NATO-s të konsultoheshin edhe me gra, jo vetëm me politikanë, sepse sipas saj gratë mund të identifikojnë nevoja dhe prioritete të ndryshme.

Programi u hap me lancimin e regjistrimit për “She runs, He runs, Ëe run”, një iniciativë që u zhvillua vitin e kaluar në selinë e NATO-s.

Ky vrapim solidariteti 13.25 km, që këtë vit do të organizohet me 13 maj, ka për qëllim të nxjerrë në pah rolin e sportit në promovimin e barazisë dhe solidaritetit gjinor, përmes ndërgjegjësimit lidhur me Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Gjatë seancës së parë u mbajtën fjalime përshëndetëse nga Ambasadorja Marriët Schuurman, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë; Lt. Kolonel Magdalena Dvorakova, Shefe e Zyrës për Stafin Ndërkombëtar Ushtarak për Këshilltar për Barazi Gjinore në NATO; Tara Nordick, Zyrtare Politikave dhe Diversitetit të Burimeve Njerëzore, Menaxhmenti Ekzekutiv; dhe Anne Rosner, Përkthyese Konferencash në selinë e NATO-s dhe vrapuese e maratonës.

Kujtojmë se Rogova mori pjesë me ftesë të Ambasadores Marriët Schuurman, Përfaqësuese Speciale e NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është anëtare e Panelit Këshillues të Shoqërisë Civile i NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili është krijuar gjatë vitit 2016.

Paneli Këshillues i Shoqërisë Civile për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në NATO, ka si synim të përfshihet në një dialog më sistematik dhe të rregullt me shoqërinë civile në fushën e Grave, Paqes dhe Sigurisë, në mënyrë që NATO të ketë mundësinë të përfitojë nga ekspertiza e vlefshme dhe njohuritë që shumë organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë individual kanë zhvilluar në këtë fushë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button