Nuhiu: Padi penale për një sulmues ndaj ekipit gazetaresk të A1on

Njëri nga sulmuesit i cili është edhe i dyshuar se e ka sulmuar ekipin e gazetarëve të portalit A1on, ka marrë padi penale, njofton Portalb.mk. Këtë e deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu në takimin me anëtarët e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Në takim, ministri Nuhiu njoftoi kryetarin e SHGM-së, Naser Selmani, se policia ka zbardhur rastin me sulmin ndaj gazetarëve të portalit A1On, Aleksandar Todevski dhe kameramanit Vlladimir Zhelçevski, të cilët me një mars ishin sulmuar nga pjesëmarrësit në protestën e organizuar nga iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”.

Nuhiu në deklaratën për mediat njoftoi se policia dje ka ngritur kallëzim penal kundër një autori potencial të veprës penale dhunë, sipas nenit 386 të Kodit Penal dhe se në ditët në vazhdim kallëzimi mund të plotësohet edhe me fakte të tjera dhe dëshmi, të cilat kanë të bëjnë edhe me të dyshuar të tjerë.

“Dua të përçoj mesazh se askush nuk është mbi ligjin dhe se secili që ka bërë shkelje, një ditë do të mbajë përgjegjësi. Ne duhet të respektojmë vlerat kushtetuese dhe jam këtu që të vazhdojmë bashkëpunimin efektiv me Shoqatën e Gazetarëve”, tha Nuhiu.

Kryetari i SHGM-së Naser Selmani tha se në Maqedoni po vendoset një praktikë e re, MPB-ja të identifikojë shpejtë sulmuesit e gazetarëve. “Shpresoj që Prokuroria të procedojë shpejtë rastin dhe se gjykata do të dënojë sulmuesin e gazetarëve. Kjo është shumë me rëndësi sepse kur institucionet janë në nivelin e detyrës së tyre,  dërgohet porosi e qartë se dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe se secili që do të guxojë të sulmojë gazetarët do të sanksionohet”, tha Selmani.

Selmani ka kërkuar nga Nuhiu që MPB-ja të ndërmarrë gjithçka që është në kompetencë të tij për zbardhjen edhe të rasteve të vjetra të sulmeve ndaj gazetarëve. Përveç asaj, në takim u bisedua edhe për idenë që policia të mbajë regjistër të veçantë për sulmet ndaj gazetarëve, i cili do të zbatohet sipas praktikave më të mira evropiane.

“Duhet të kuptojmë se sulmet ndaj gazetarëve nuk janë vetëm sulm ndaj një individi, por është sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar”, theksoi ai. Ai e faleminderoi ministrin Nuhiu për gatishmërinë për të bashkëpunuar me SHGM-në për të garantuar sigurinë e gazetarëve.

Ekipi i gazetarëve të A1on u sulmua me 28 shkurt në protestën e përkrahësve të VMRO-DPMNE-së kundër gjuhës shqipe me iniciativë të ashtuquajtur “Për Maqedoni të përbashkët”, ku u lënduan  kameramanë dhe gazetarë të cilët përfunduan në klinikën e Shkupit.

MPB arrestoi disa persona për këtë incident.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button