Gratë nga Shkupi dhe Tirana me marsh protestues kërkojnë barazi gjinore

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Shkup dhe Tiranë janë organizuar disa aktivitete, me fokus të drejtat e grave, raporton Anadolu Agency (AA).

Shkup, gratë kërkojnë shoqëri të barabartë, solidarizuese dhe përparimtare 

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsit, qindra gra të mbështetur edhe nga meshkuj me moton “Nuk dua lule, dua drejtësi” marshuan nga sheshi i qytetit të Shkupit përmes Urës së Gurit drejt parkut “Gruaja Luftëtare”.

Përmes këtij marshi të iniciuar nga Platforma për barazi gjinore ata kërkonin drejtësi dhe barazi gjinore, pasi që sipas tyre, gruaja në Maqedoni respektohet vetëm më 8 mars, ndërsa ditëve tjera të vitit trajtohet si jo e rëndësishme në shoqëri.

Luljeta Ademi, aktiviste për të drejtat e njeriut e cila lexoi mesazhin e marshit tha se gratë në Maqedoni duan shoqëri të barabartë solidarizuese dhe përparimtare.

“Ne të mbuluarat, ‘terroristet’ nga shamia, gjuha dhe religjioni, të cilave keni frikë se do t’u dëmtojnë. Ne jemi mbledhur të tregojmë se nuk shkojmë askund, qëndrojmë fuqishëm drejt dhe nuk pranojmë të na mbyllet goja në interes të qëllimeve të tjera. Nuk pranojmë të jemi plani i dytë. Dëshira jonë është barazia, drejtësia, paga e ndershme, respekti i duhur, paqja, sovraniteti dhe prosperiteti”, deklaroi Ademi.

Organizatorët thonë se qëllimi i marshit është që të shprehin shqetësim për të drejtat e grave në Maqedoni, sepse sipas tyre, pozita e grave në shoqëri është duke u përkeqësuar, me theks të veçantë në rritjen e mosaktiviteteve ekonomike të gruas në Maqedoni.

Të dhënat statistikore flasin se në Maqedoni nga numri i përgjithshëm i popullatës 49.9 përqind janë gra dhe se ato jetojnë 3.9 vjet më gjatë se burrat. Lidhur me burrat, më i madh është numri i grave të diplomuara, gjegjësisht 57.1 përqind si dhe i grave magjistre 58.6 përqind. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, në vitin 2015 ka pasur edhe 143 gra doktor shkencash.

Në Republikën e Maqedonisë gjithsej janë të punësuar 282.078 gra, 76.3 përqind prej të cilave janë punësuar në kompani me pronësi private.

Tiranë, marshim për Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Tiranë, gratë e mbledhura nga disa qytete të vendit kanë organizuar një marshim solidarizues me moton “Unë jam supergrua”. Ashtu si në shumë vende të botës, edhe në Shqipëri është shënuar me disa aktivitete Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Aktiviteti në fjalë është organizuar nё bashkëpunim me disa organizata tё shoqërisë civile, që mbrojnë të drejtat e grave në vend, ndërsa gratë me pankarta në duar kanë marshuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Me pankartat me mbishkrimet “Mundësi, barazi, zgjedhje”, “Drejtësi gjinore, drejtësi ekonomike”, etj, gratë pjesëmarrëse kanë kërkuar më shumë vëmendje nga institucionet shtetërore për të drejtat e tyre.

Ndërkohë pjesë e këtij marshimi është bërë edhe lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cila ka mbajtur edhe një fjalim për pjesëmarrëset.

“Mirënjohje për ju dhe që takohem në këtë ditë të 19-të të protestës që përkon me 8 Marsin. Në fakt 8 Marsi nuk është ditë feste, nuk është ditë feste në asnjë vend të botës, por është një ditë proteste dhe përkujtimi. Është ditë protestë në të gjitha vendet dhe shoqëritë ku gratë, nënat, motrat dhe bashkëshortet nuk i kanë të garantuara ne jetën e përditshme të drejtat kushtetuese dhe legjitime”, u shpreh Basha.

Ndërkohë me rastin e kësaj dite, në të gjithë Shqipërinë institucionet lokale dhe qendrore, por edhe organizatat e shoqërisë civile organizojnë aktivitete të ndryshme, me fokus promovimin e grave dhe të drejtat e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button