Stres, manipulim, dëmtim dhe jokreativitet i testimit “ekstern”

“Nuk është real” – këtë përgjigje mund ta marrim në mesin e shumë “sharjeve” dhe pak “lëvdatave”, nga shumica e mësimdhënësve dhe nxënësve në lidhje me atë se cilat janë efektet negative dhe pozitive të testimit ekstern si masë për “vlerësimin” e diturisë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH). Vlerësimi i tyre është i qartë “nuk mundet që të notohen nxënësit vetëm me një numër të caktuar të pyetjeve, ndërkaq të mënjanohet aktiviteti dhe kreativiteti në procesin mësimor përgjatë një viti”. MASH vazhdimisht ka theksuar se do të reformohet mënyra e testimit, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, ndërkaq nga ana tjetër LSDM ka  premtuar nëse vjen në pushtet i njëjti do të hiqet fare, shkruan Portalb.mk.

Sipas një hulumtimi të Institutit për Hulumtime Sociologjike dhe Politiko-Juridike, vetëm 1.1% e të rinjëve vlerësojnë se sistemi arsimor është kualitativ në Maqedoni, ndërkaq 20.3% është solid dhe se “duhet të përkryhet”. Nga ana tjetër, 41% e të rinjve të përfshirë në hulumtimin thonë se arsimi është “i mirë, megjithatë duhen reforma solide. 24.4% se është i “keq dhe se me të vërtetë i duhen reforma solide”, ndërkaq 13.1% se është “i papërshtatshëm dhe se plotësisht duhet të ndërrohet”.

Stres, manipulim, dëmtim dhe jokreativitet “ekstern”

Testimi ekstern, siç duket, është pjesë e reformave e cila më së shumti ka kontribuar në “mendimin” se sistemi arsimor duhet të reformohet pasi që i njëjti, sipas mësimdhënësve dhe nxënësve, më tepër ka pasur efektin e “dënimit” se sa të “shpërblimit”, ose thënë ndryshe – më shumë ka “dëmtuar” se sa ka “korrigjuar”. Forma se si kryhet, është si “diçka që duhet hequr qafe”, ndërkaq rezultatet nga i njëjti, shpesh mund të japin shumë “kokëdhembje” për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, nga “lapsuset” joreale.

Zëvendësdrejtori i Gjimnazit të Shkupit “Zef Lush Marku”, Abil Baush, thotë se testimi ekstern nuk ka sens, pasi që nxënësit nuk mund t’i vlerësohet kreativiteti me 30 pyetje.

“Në testimin esktern janë 30 pyetje dhe në bazë të atyre, nxënësi vlerësohet në baza kuantitative. Ku është vlerësimi i kreativitetit të nxënësit? Këtu është një nga dështimet. Nuk jam kundër testimit ekstern, nëse duhet dikush neve profesorëve të na kontrollojë se sa ne jemi profesional, lirisht le të bëhet, por kjo metodë nuk funksionon. Nga njëra anë kërkohet që ne nxënësit t’i bëjmë kreativ dhe të aftë për profesione të caktuara, ndërkaq nga ana tjetër kontrolli bëhet vetëm me 30 pyetje, nuk ka sens. Pastaj është edhe çështja e pyetjeve që nuk përkthehen si duhet”, vlerëson ai për Portalb.mk.

Edhe profesoresha universitare, Ajtene Qamili, thotë se testimi ekstern nuk dha asnjë fryt, por përkundrazi dha shumë efekte negative.

“Testimi ekstern dha stres te nxënësit, prindërit, mësimdhënësit, drejtoritë, bile edhe vetë Qendra për Testime Shtetërore, pastaj manipulimi i madh që bëhet nga të gjitha strukturat, mashtrimi i vetvetes, pastaj edhe i të tjerëve, dënimi material që iu bë mësimdhënësve, dëmtimi i nxënësve në notën mesatare nga këto rezultate që nuk janë aspak reale dhe objektive, veç asaj janë pyetje që kanë edhe defekte teknike, gabime përmbajtjesore, kurse për ato drejtshkrimore të mos flasim”, thotë për Portalb.mk Qamili.

Për çështjen e objektivitetit të notës të testimit ekstern, Qamili, thotë se është për t’u analizuar edhe ajo se sa mund të jenë vendimtare pyetjet me alternativa për ta vlerësuar një nxënës? Sa është e drejtë dhe e saktë përzgjedhja e pyetjeve që janë parashtruar?

Megjithatë, këshilltari Shtetëror në MASH, Safet Neziri, vlerëson se testimi apo vlerësimi ekstern i njohurive te nxënësve në opinion është pranuar në forma të ndryshme, sipas tij, më shumë refuzuese se pranuese, por i njëjti ende duhet të vazhdohet, por duke u reformuar.

“Me këtë reformë është tentuar të bëhet vlerësimi i njohurive te nxënësit dhe të vlerësohet puna e arsimtarëve. Vetë procesi qysh në fillim hasi në një rrezistencë pasive nga të gjithë pjesëmarrësit gjatë realizimit të tij. Edhe krahas pengesave që i kishim testimi ekstern po zhvillohet çdo vit. Nuk mundem të flas tani për efekte negative por as pozitive se ende nuk ka përfunduar analiza e detajuar e këtij procesi. Parashtrohet pyetja se a duhet “larguar” testimin e ekstern, mendimi im është se duhet dhe më tutje të reformohet dhe të adaptohet që secili prej nesh ta pranoje e jo të “refuzoje”.

Pa reforma, me programe “moderne”

Përpara sistem të mirëfilltë të arsimit, pastaj testime “eksterne”, kërkojnë nxënësit, duke vlerësuar se sistemi arsimor “ka nevojë për reforma rrënjësore” që i njëjti t’i japë efektet e dëshiruara pozitive.

Kryetari i Lidhjes së Nxënësve Shqiptar (LNSH) dhe nxënësi i Shkollës së Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov” – Shkup, Amar Rexhepi, thotë se efektet negative të testimit ekstern janë “më të rënda” se sa ato pozitive, pasi që testimi eksternt do ishte i dobishëm vetëm nëse do kishim një arsim cilësor dhe të mirëfilltë.

“Nëse bëjmë një krahasim të efekteve, do shohim se ato negative rëndë peshojnë ndaj atyre pozitive, por gjithnjë duke parë gjendje aktuale të arsimit në përgjithësi. Testimi ekstern do ishte i dobishëm për arsimin në rast se nuk do ekzistonin anomalitë apo parregullsitë jo vetëm arsimin shqip që e tangojnë por arsimin në përgjithësi. Është jashtë logjikës që në mungesë të parakushteve apo edhe në mungesë të moskoordinimi dhe moskonsulltimit më të gjerë të vendoset për një ligj i cili do ndikojë në shumë aspekte negativisht në gjithë procesin akademik. Pra, shkurt testimi eksternt do ishte i dobishëm vetëm nëse do kishim një arsim cilësor të mirëfilltë, ndërsa sistemi aktual është larg nga kjo që po themi”, thotë për Portalb.mk Rexhepi.

Edhe për nxënësin, e Shkollës së Mesme Teknike “Nace Bugjoni” – Kumanovë, drejtimi i mjekësisë, Arif Limani, testimi ekstern është “i tepërt” pasi që duhet të përmbushen disa problematika më primare që të kalohet tek ato sekondare apo terciare siç është testimi ekstern.

Sa i përket testimit esktern gjithmonë kam pohuar se po të implementohej ky testim në të gjithë Evropën, Maqedonia do të ishte vendi i fundit ku mund të implementohej një testim i këtillë, kjo për shkak të një sërë faktorësh, mungesë e teksteve shkollore, stresi që shkaktohet tek nxënësit, notimi jo real, zhvillimi në mënyrë jo të duhur i këtij testimi, e shumë faktorë tjerë. Sa i përket përparësive të këtij testimi mund të them se ka përparësi, për shkak se një nxënës ka mundësi të bëj një rezyme të përgjithshme të planprogramit një vjetorë, mirëpo prapë e potencoj se te ne duhet të përmbushen disa problematika më primare që të kalohet tek ato sekondare apo terciare siç është testimi ekstern.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button