Lajmet për rreziqe sigurie s’mund të bazohen vetëm në burime nga Facebooku!

[Recension: “Komandant Hoxha: Një grup i armatosur prej 80 personave gjindet në një vendbanim shqiptar në Maqedoni”]

Informacionet e ndjeshme dhe senzacionale, e sidomos ato që prekin temat e sigurisë në një shoqëri, duhet të marrin kujdesin e duhur nga çdo gazetar. Përveç nevojës për informim, ata duhet të kenë parasysh edhe aspektet tjera të rëndësishme të profesionit. Ky tekst është trajtuar pa seriozitetin e duhur në këto tema. Duke informuar “shkel e shko”, flitet për temë që thekson çështjen e rrezikut të sigurisë në vend dhe sigurisë së qytetarëve.

Lajmpress - Komandant Hoxha 1Linku deri te artikulli origjinal: “Komandant Hoxha: Një grup i armatosur prej 80 personave gjindet në një vendbanim shqiptar në Maqedoni”

Data dhe koha e publikimit: 18.02.2017, 8:50

Data e recensionit: 28.02.2017

Recensues: Fatlume Dervishi

Gazetari njofton për një grup personash të armatosur, të cilët sipas një statusi në rrjetin social Facebook, qëndrojnë në vende të banuara, gjë që logjikisht nënkupton se edhe banorët mund të jenë në rrezik.

“Xhezair Shaqiri i njohur si Komandan Hoxha prej luftës së 2001, në profilin e tij në facebook ka shkruar se me të komunikojn disa të persona që thonë së janë të armatosur dhe se gjendet në një vendbanim shqiptar në Maqedoni, raporton portali “tetova1”.

Komandant Hoxha ka një apel për të gjithë: Nese dikush ka info ku ndodhen keta djem ju thuani te largohen nga ai vend dhe lete kthehen tek familjet e tyre sepse dikush i ka derguar aty mish per top jo per patriotizem.”

E para, Facebook-u dhe shkrimet e ndonjë personi publik mund të jenë pikënisje, por nuk është relevant për të bazuar vetëm në të informacione kaq të rëndësishme. Duke pasur parasysh përvojën e hidhur të një pjesë të qytetarëve të vendit me raste të ngjashme, ky pohim ka shumë gjasa të shkaktojë frikë, pasiguri dhe panik te ata.

E dyta, para publikimit, autori domosdo duhet të kontaktojë organet relevante, për të pyetur nëse ata disponojnë të dhëna të këtilla dhe nëse po, atëherë autori do të duhej të interesohej nëse autoritetet i kanë marrë masat e nevojshme për parandalimin dhe adresimin adekuat të këtyre rasteve, nëse kanë marrë masat e nevojshme për sigurinë e jetës së qytetarëve, e të ngjashme.

KODI ETIK I GAZETARËVE:

  • Nëse gazetari vlerëson se informacioni i paprovuar është me interes publik, është i obliguar ta publikojë, por duke saktësuar se bëhet fjalë për informacion të pakonfirmuar.
  • Gazetari mund të publikojë diçka për të cilën nuk ka edhe aq dëshmi, por për të cilën ka mjaft indikacione se është i vërtetet, respektivisht diçka për të cilën ekziston dyshim i bazuar. Dyshimi i bazuar nënkupton prezentimin e argumenteve që janë të arsyeshëm dhe që janë indikacion se diçka është e vërtet, pa pasur dëshmi konkrete për vërtetësinë.

Për më shumë të dhëna, të cilat mungojnë edhe në vetë prononcimin e transmetuar, gazetari duhet të kishte kontaktuar personalisht edhe personin që ka publikuar këtë indicie në rrjetet sociale. Verifikimi është primar. Personi i cituar mund të disponojë edhe me të dhëna shtesë, ose mund ta mohojë komplet postimin. Tek e fundit, askush nuk mban përgjegjësi për atë që poston në profilin privat në rrjetet sociale sepse ata nuk janë mjete zyrtare të komunikimit. Përveç kësaj, teksti ka mundur të përmbajë edhe vlerësimet e njohësve, ekspertëve të sigurisë, faktorëve politikë etj.

Me kaq pak informacion dhe kaq shumë mjegull, duke theksuar vetëm një pohim të pakonfirmuar që mund të krijojë frikë dhe pasiguri te qytetarët, me këtë tekst është treguar mangësi serioze në ushtrimin e profesionit të gazetarit.

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button