Mustafa kërkon përkrahje të mëtejshme të BE-së për proceset integruese të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot priti në takim drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz Calavera, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra e kryeministrit thuhet se gjatë këtij takimi Mustafa ka folur për avancimin e rrugës integruese evropiane të Kosovës dhe progresin që po arrihet në shumë fusha brenda vendit.

Gjatë takimit, po ashtu është biseduar për përgatitjet lidhur me mbajtjen e Samitit të Triestes, për Axhendën e Reformave Evropiane, për reformën e administratës publike si dhe proceset që lidhen me zbatimin e MSA-së, zhvillimin ekonomik, fuqizimin e shtetit të së drejtës.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar në rrugën e saj eurointegruese dhe në vazhdimin e proceseve evropiane që lidhen me rajonin. Në këtë rrugë, presim përkrahje më të madhe dhe më të vendosur të BE-së”, ka thënë kryeministri Mustafa, duke e falënderuar drejtoreshën Calavera të përkrahjen e deritashme të BE-së për proceset në Kosovë.

Kurse drejtoresha Calavera, ka vlerësuar progresin në Kosovë, duke shprehur mbështetje të mëtejme të Komisionit Evropian për proceset dhe reformat evropiane në Kosovë.

Ndërkaq, sot Calavera u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, si dhe me ministren e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, së cilës ia dorëzoi marrëveshjen e pakos së Programit të Asistencës së Para-anëtarësimit (IPA) për vitin 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button