Krerët politik në Maqedoni me telegram urimi për festën e 7 Marsit

Me rastin e Ditës së Mësuesit, ditës së shkollës shqipe – 7 Marsit, krerët politik dërguan telegram urimi për të gjithë mësimdhënësit dhe atyre që kontribuan për arsimimin e gjeneratave të reja, njofton Portalb.mk.

Lëvizja BESA të gjithë mësimdhënësve dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në arsimimin e gjeneratave të reja ua uron këtë ditë të rëndësishme dhe të nderuar të shkollës shqipe.

Me këtë rast BESA, përmes një kumtese, rikujton se pozita e mësuesit sot në vendin tonë, kur po shkruajmë e flasim për 7 Marsin, që shënohet në shenjë respekti për ta, pa dyshim së është e vështirë.

“Mësuesi ynë dje dhe sot vazhdon të japë shumë nga vetja e tij, në mënyrë që brezi i ri të edukohet e nesër të jetë i gatshëm që t’i marrë në dorë frenat e zhvillimit të shoqërisë, për ta ngritur e përparuar atë. Mësuesi ynë sot po bën çmos që këtij brezi t’ia mbajë ndezur flakadanin e diturisë për të marshuar ashtu drejt ardhmërisë së ndritur. Andaj mësuesi shqiptar mbetet faqja më e ndritur e historisë sonë”, thuhet në kumtesën e lëvizjes Besa.

Nisur nga kjo, Lëvizja BESA e ndjen për detyrim moral që dinjitetin e nëpërkëmbur të mësuesit ta ngrejë e ta vendosë në piedestal, aty ku e ka ai vendin e merituar. Figura e mësuesit duhet të jetë figura më e respektuar e shoqërisë dhe jo më e nëpërkëmbura, ashtu siç trajtohet sot. Prandaj Lëvizja Besa do të bëjë çmos që mësuesi shqiptar ta arrijë statusin më të lartë socio-ekonomik dhe moral brenda shoqërisë.

“Me përuljen më të madhe të gjithë mësimdhënësve shqiptarë ua urojmë 7 Marsin – Ditën e Mësuesit!”, thuhet në telegram urimin e kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Rilindja Demokratike Kombëtaret të gjithë atyre që punuan dhe punojnë në mësimdhënie, ua uroj Ditën e mësuesit, ata ndër të tjerash e kujtojnë 7 Marsin si sakrificë dhe shprehin faleminderime për të.

“7 Marsin e kujtojmë me respekt të thellë për mësuesit dhe rilindasit e parë shqiptarë të cilët na e lanë amanet gjuhën shqipe, të cilën e flasim tani. Mësuesit – prindërit tanë të dytë, u sakrifikuan me vite të tëra,  andaj shprehim falënderimin për gjithçka që bënë për ne, për durimin që kishin dhe për tërë diturinë që mbollën në ne. Të gjithë atyre që punuan dhe punojnë në mësimdhënie, ua uroj Ditën e mësuesit. Gëzuar të gjithë edukatorëve, mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve” shkruhet në telegram urimin e Kryetarit të RDK-së, Vesel Memedi.

Ndërsa Partia Demokratike Shqiptare telegram urimin e saj për 7 Marsin e nis me atë se “është e pakontestueshme se arsimi, kultura dhe gjuha janë shpirti dhe mburoja e një kombi, kurse shtylla kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të një shoqërie është fuqizimi i dijes”.

“Është e pakontestueshme se arsimi, kultura dhe gjuha janë shpirti dhe mburoja e një kombi, kurse shtylla kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të një shoqërie është fuqizimi i dijes. Më lejoni që për nderë të 7 Marsit – ditës së arsimit shqip, në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, t’ju shpreh urimet dhe përgëzimet më të sinqerta arsimtarëve, pedagogëve dhe profesorëve shqiptarë” shkruhet në telegram urimin  e kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi.

Kurse kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar 7 Marsin ditën e mësuesit duke kujtuar se “Para 130 viteve, më 7 mars 1887, në Korçë u hap mësonjëtorja e parë e shkollës laike shqipe”.

“Edhe pas 130 viteve, betejat e Rilindasve tanë nuk kanë të ndalur as sot kur po ballafaqohemi me sfida të ndikimeve nga më të ndryshmet dhe me përplasje të civilizimeve dhe kulturave.

Pas shumë përpjekjeve dhe sakrificave të gjeneratave të tëra, sot kemi çerdhe, shkolla fillore e të mesme, si dhe universitete në gjuhën shqipe, por nuk mjafton vetëm infrastruktura, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për cilësi dhe përkushtim”, shkruan në telegram urimin e Ali Ahmetit.

Kurse Aleanca për Shqiptarët uron mësuesit dhe veteranët e arsimit duke kujtuar se “dita e sotme është ditë e shenjtë për shkollën shqipe, është ditë e shenjtë për gjuhën tonë të lashtë sa vet njerëzimi, pa të cilën nuk do kishte dije e përparim”.

“Të dashur veteran të arsimit dhe të dashur mësues, Aleanca për Shqiptarët ua uron këtë Festë, ndër më të ndriturat festa të historisë sonë, festë kjo që edhe sot e kësaj dite në Maqedoni nuk është e zyrtarizuar si festë shtetërore.

Shkolla dhe arsimi shqip, është prioritet për Aleancën për Shqiptarët. Vetëm arsimi i mirëfilltë dhe i shëndoshë mund të çojë një popull drejt rrugës së drejt, drejtë rrugës së dijes dhe zhvillimit. Gëzuar dhe për shumë vite 7 Marsi”, shkruan në telegram urimin e Aleancës për Shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button