Ndërron jetë emigranti nga Pakistani i sulmuar në autostradën Shkup-Kumanovë

Ka ndërruar jetë emigranti me inicialet I.A.S nga Pakistani i cili pas hyrjes ilegale në territorin e Republikës së Maqedonisë ditë më parë, është sulmuar në autostradën Shkup-Kumanovë, në afërsi të fshatit Bunarxhik, transmeton Anadolu Agency (AA).

Informacioni është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e cila tha se njëri nga dy personat e sulmuar ka ndërruar jetë.

“Lidhur me rastin ‘Grabitje’ nga data 25.2.2017, mjeku përgjegjës në repartin për Neurokirurgji në qendrën Klinike në Shkup informoi se ka ndërruar jetë personi i lënduar me inicialet I.A.S”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Më 16.02.2017, policia e Maqedonisë njoftoi se personi që ka ndërruar jetë, shtetas i Pakistanit, bashkë me një bashkëkombës të tij kanë hyrë ilegalisht në territorin e vendit, dhe të njëjtit më vonë rreth orës 00.30 pas mesnate janë gjetur të shtrirë në tokë me lëndime në kokë dhe trup.

Ata i kishin rrëfyer policisë se në urën e cila shpie në fshatin Bunarxhik, janë sulmuar nga persona të panjohur të cilët i kanë goditur me shufra të metalta, dhe se u janë marrë paratë të cilat i kanë poseduar.

Sipas njoftimit të policisë, I.A.S ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe bashkë me personin tjetër nga Pakistani me inicialet F.K.A janë dërguar në spitalin e Shkupit. MPB thotë se po punon në zbardhjen e rastit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button