Berati i dyti në “Karate 1 Premier League”

Berat Jakupi ka prekur finalen e turneut të fuqishëm në karate “Karate 1 Premier League” që është zhvilluar në Holandë. Por paraqitja e mrekullueshme e Jakupit në konkurrencë të seniorëve në disiplinën kumite -84kg, është ndalur nga gjeorgjiani Arkania Gogita, i cili me pak fat e mundi gostivarasin me rezultatin e ngushtë 4:3.

Jakupi e nisi mirë luftën duke avancuar përballë kundërshtarit të tij me rezultatin 3:1, mirëpo vetëm në sekondën e fundit e humbi luftën kur lejoi që kundërshtari të fitojë tre pikë të plota dhe të fitojë luftën.

Megjithatë edhe përkundër kësaj disfate, kjo arritje është një sukses i madh për Jakupin, i cili mban gjallë shpresat që të sigurojë një vend në përfaqësuesen e Maqedonisë në karate.

Berati deri në finalen e madhe kishte 6 lufta, duke kaluar me sukses në raundin e parë portugezin Alfonso Kueiroz, pasi që e mundi me rezultatin 8:0, pastaj turko gjermanin, Mehmet Bolat, të cilin e mundi me rezultatin e ngushtë 3:2, si dhe holandezin Aleksander Overman, ndaj të cilit Jakupi shkëlqeu duke e mundur me rezultatin e thellë 4:0.

Në 1/8 e finales Jakupi ngadhnjeu ndaj italianit Nello Maestri me rezultatin 3:1, në çerekfinale me rezultatin e pastër 2:0 mundi portugezin Hugo Pina, ndërsa fitoren më të ëmbël e realizoi në gjysmëfinale përballë serbit Millosh Jovanoviq, të cilin e mundi me rezultatin 3:2.

Sfida e ardhshme për Jakupin do të jetë turneu në Lashko të Sllovenisë, i cili gjithashtu njëjtë sikurse edhe ky turne në Holandë organizohet nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Karatesë, që më pas në fund të vijnë edhe luftat e “plej-offit”, ku edhe do të vendoset nëse Jakupi do të sigurojë një vend në përfaqësuesen e karatesë së Maqedonisë për të qenë pjesë e Evropianit në Finlandë që do të mbahet gjatë muajit maj.

Pikët e fituara nga këto turne regjistrohen edhe nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Karatesë, po gjithashtu edhe nga Federata e Karatesë së Maqedonisë. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button