АNALIZË: Maqedoni, pa iluzione – 2017-ta në nishan të krizës!

Padyshim, edhe viti 2017 do të jetë “i humbur” ekonomikisht. Papunësia, borxhi publik, konkurrenca e ulët, do të mbeten nën hijen e paqartësisë akoma të thellë politike, vlerësojnë një pjesë e ekonomistëve për Portalb.mk. Sipas tyre, ajo që duhet të jetë prioritet është hapja e plotë e financave publike, gjegjësisht transparenca e cila do të mundësojë të fitohet pasqyrë e vërtetë për atë se në çfarë kondicioni financiar është ekonomia, e para së gjithash sektori privat.

Ekonomi zhvillimore apo “false”?

Duke pasur parasysh krizën aktuale politike, e cila edhe sikur të përfundojë me formimin e qeverisë së re, presioni nga paqartësia mbi ekonominë nuk do të zvogëlohet. Profesori universitar, Semi Bislimi konsideron se edhe këtë vit do të luftojmë për përqindje pozitive të rritjes ekonomike, e cila do nuk do të thotë edhe standard më të mirë jetësor. Problem do të jetë edhe papunësia, varfëria, jolikuiditeti.

“Këto janë probleme që kërkojnë shumë mund, dije, para dhe kohë. Mirëpo, jam optimist se, që në javët e para të garniturës së re qeveritare, do të kemi ide se në çfarë drejtimi do të shkojmë. Më e rëndësishme nga të gjitha është përcaktimi i prioriteteve të domosdoshme dhe mbështetja (institucionale, materiale, financiare dhe me burime njerëzore), si dhe koncentrimi në realizimin e qëllimeve të projektuara. Në asnjë mënyrë sigurimi i parave nuk duhet të jetë pengesë për ta vënë në pikëpyetje realizimin e këtyre qëllimeve prioritare” – thotë për Portalb.mk profesori Bislimi dhe shton:

“Jam i vetëdijshëm se ekonomia jonë është e rraskapitur, financat publike mbahen të gjalla me anë të huave, mirëpo tani është koha për të ndërmarrë veprim vendimtar, do të marrim hua me qëllim të caktuar, për përforcimin e kapacitetit prodhues të ekonomisë së vendit, qasje e cila do të mundësojë ofertë më të madhe vendore, punësim më të madh, eksport më të madh, neto të ardhura më të mëdha në llogarinë rrjedhëse, të ardhura më të mëdha edhe në llogarinë financiare, kuptohet, kjo nuk arrihet për tre apo gjashtë muaj, mirëpo sinjalet e para nga qasja e tillë do të jenë të dukshme”.

Ditët që vijnë nuk do të jenë të lehta për ekonominë, thonë ekonomistët. Pyetje kyçe tani është se kush dhe si do ta menaxhojë ekonominë. Një pjesë e ekonomistëve alarmuan për borxhin e shtetit ndaj sektorit privat që numërohet në qindra miliona euro. Poashtu – në njëfarë mënyre është bllokuar edhe pagesa e subvencioneve në bujqësi, e ka informata për vonesë në pagesën e shtesave të ndryshme shtetërore. Të gjitha këto janë sinjale se ekonomia ka hyrë në një paqartësi të thellë, konsiderojnë ekonomistët.

“Problemet kyçe në vitin 2017 kanë diapazon të gjerë që fillojnë nga analiza e shpejtë dhe e detajuar dhe hulumtimi i gjendjeve aktuale në ekonomi dhe në sferën e financave publike që me gjasë janë shumë më të rënda se sa ato që tregohen publikisht, duke vazhduar me përcaktimin e detyrave, instrumenteve dhe masave për konsolidim afatshkurtër, mirëpo edhe strategjik, afatgjatë, e deri te zgjidhja e problemeve të përditshme urgjente. Në këtë kontekst do të duhet të merren parasysh problemet tradicionale të ekonomisë së Maqedonisë me të cilat do të duhet të ballafaqohet ministri i ardhshëm dhe qeveria në tërësi (standardi i ulët jetësor, papunësia e lartë, mosfunksionimi i mekanizmit tregtar, deficitet e brendshme dhe të jashtme të ekonomisë, konkurrenca e ulët e ekonomisë, roli tepër i madh i sektorit publik në ekonomi etj.)” – thotë për Portalb.mk profesori universitar dhe njëri nga ish-ministrat për financa, Nikolla Popovski.

Një pjesë e analistëve përkujtojnë edhe në porositë e institucioneve financiare ndërkombëtare, veçanërisht në rekomandimet dhe vërejtjet që i dërgoi Komisioni Evropian.

“Si një nga problemet më të mëdha ekonomike me të cilat do të ballafaqohet Maqedonia edhe këtë vit janë politikat fiskale. Raporti i Komisionit Evropian (KE) për Maqedoninë në vitin 2016, qartë potencon se menaxhimi me financat publike nuk është përmirësuar dhe se borxhi publik është rritur. Ngarkesë plotësuese paraqet edhe jotransparenca rreth politikave fiskale, veçanërisht rreth madhësisë së përgjithshme dhe të vërtetë të borxhit publik, me qëllim që të bëhet planifikim i drejtë i ardhshëm i buxhetit”, vlerëson Bojan Mariçiq nga Qendra për strategji evropiane.

Këtë vit, partitë në pushtet, VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja, tashmë janë duke e harxhuar buxhetin më të madh deri tani prej 3,3 miliardë eurosh me rritje të projektuar të ekonomisë prej 3 për qind. Për këtë vit është planifikuar dhe është paralajmëruar edhe emetimi i eurokambialit të ri, gjegjësisht marrja e borxhit nga jashtë për mbulimin e zbrazëtirës në arkën shtetërore./ Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button