VMRO përshëndetet përgjithmonë me pushtetin

Me ngjarjet e fundit VMRO dogji urat e çfarëdo bashkëpunimi me shqiptarët, ndërsa votuesit shqiptarë ja thyen asaj “patericat” shqiptare. Kjo siguron se VMRO do të mbetet gjatë në opozitë, derisa të mbushet mend

Një epokë e re politike. Tre vite më parë, para rundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, më rastisi t’i bashkangjitem për kafe një grupi njerëzish më të moshuar. Po debatonin për zgjedhjet presidenciale dhe ishin të mendimit se duhej përkrahur Pendarovski, jo nga ndonjë simpati për të sa për t’ia “futur grusht hundëve” Ivanovit e VMRO-së. Mirëpo hezitonin të votonin, sepse partitë tona s’po bënin zë. Si shumëkush kishin frikë se mos etiketohen se anojnë nga njëra parti maqedonase.

Partitë shqiptare atëbotë kishin hall tjetër. Ata duhej t’i servonin VMRO-së presidencën, pa humbur tek shqiptarët. PDSH ishte më e hapur dhe direkte. Ajo doli me kandidat në rrethin e parë, ndërsa në të dytin privatisht udhëzoi strukturat e saj të votojnë Ivanovin. BDI si zakonisht veproi tinëzisht. Për të ndalur shqiptarët mos votojnë Pendarovskin ajo organizoi bojkot aktiv, por për të mos dështuar cenzusi 40% pranoi që rundi i dytë i zgjedhejve presidenciale të organizohet bashkë me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu publikisht ajo paraqitej si e pastër, përderisa privatisht i shërbeu qëllimit të VMRO-së.

Zgjedhjet e atij viti ishin hera e fundit që shqiptarët patën drojë nga partitë e tyre. Herën e ardhshme, në vitin 2016, ata u liruan plotësisht nga mendësia kolektive dhe votuan si deshën vetë. Me qëllim që të përmbysin Gruevskin një pjesë votuan direkt LSDM-në, ndërsa pjesa tjetër ngriti përnjëherë në skenë dy parti të reja të papërlyera nga VMRO-ja. Kështu ata jo vetëm që ia hoqën fitoren nga dora VMRO-së, por njëkohësisht ja thyen asaj të dy patericat shqiptare. Pa këto paterica dhe me këtë rezultat shkuarja e VMRO-së në opozitë realisht mbeti opcioni i vetëm real në vitin 2017. Siç duket VMRO do të rrijë gjatë kohë atje, sepse tani e tutje ka përballë një elektorat shqiptar të gatshëm për të ndëshkuar këdo që bashkëpunon me të.

Qeverisje dekadëshe me gjysëm legjitimiteti. Dhjetë vite me rradhë VMRO është thirrur te vullneti i shumicës për të transformuar mënyrën e funksionimit të shtetit në favor të saj. Ky qëndrim ka dy probleme. E para, fitorja në zgjedhje në demokraci nuk të jepë të drejtë të bësh ç‘të duash e të sillesh si sundimtar absolut. I dyti dhe më i rëndësishmi është një fakt pak i folur: VMRO asnjëherë nuk ka fituar 50% të votave në zgjedhje. Madje edhe në kulmin e popullaritetit, në vitin 2008, ajo fitoi vetëm 48%. Fakti që ajo arriti shumicë absolute në parlament është një nga trillet e sistemit tonë zgjedhor dhe nuk e relativizon aspak mungesën e përkrahjes së shumicës.

Por si ka qëndruar VMRO kaq gjatë në pushtet dhe si ka vënë kontroll absolut mbi shtetin e shoqërinë? E pra legjitimitetin e nevojshëm asaj ja kanë siguruar partitë shqiptare. Ato përqindje që i kanë munguar për shumicë, për legjitimitet për të qeverisur, ja ka servuar BDI-ja. Nën petkun e argumenteve të ndryshme, me fraza boshe për integrime e konsensualitete, partia shqiptare ka maskuar mbështetjen e parezervë dhënë VMRO-së për të vënë në dorë të gjitha frenat e pushtetit, për të kriminalizuar deri në skaj shtetin e shoqërinë. Pa “patericat” shqiptare VMRO nuk do kishte qëndruar kaq gjatë në pushtet, lere më t’a përvetësojë gjithë shtetin për vete.

Pikërisht kësaj politikëbërje votuesit shqiptarë i dhanë grusht të fuqishëm me 11 dhjetor. Dhe pikërisht për shkak të këtij ndryshimi radikal të sentimentit të elektoratit shqiptar, asnjëra parti nuk pati më guxim të futet në koalicion me VMRO-në, sado që të kishte dëshiruar. Sot e tutje do të dëgjojmë lloj-lloj garniturash që do marrin meritat për shembjen e regjimit të Gruevskit. Por e vërteta është se këtë e bëri populli shqiptar dhe vetëm populli shqiptar. Po ai do kujdeset që VMRO mos të kthehet kurrë më në pushtet.

Perspektiva e VMRO-së sot. VMRO akoma mund të duket si parti që e ka situatën nën kontroll, që akoma kontrollon fijet e pushtetit dhe që ka në dorë t’iu japë rrjedhë ngjarjeve ashtu siç dëshiron. Ajo duket si parti që nxjerr popullin në rrugë kur të don, e aftë të nxisë e qetësojë konflikte me sustë nga larg. Por e gjithë kjo nuk ka rëndësi: VMRO vetëmse numëron ditët e saja të fundit në pushtet.

Sado e komplikuar të duket situata e sotme në Maqedoni, ajo ka një përshkrim të thjeshtë. Një parti politike ka humbur shumicën parlamentare, por refuzon të lëshojë pushtetin. E situata të këtilla nuk tolerohen as në diktatura si Rusia e Bjellorusia; edhe atje pushtetarët kanë kujdes që të manipulojnë zgjedhjet që të sigurojnë shumicë parlamentare e legjitimitet politik. Mu për këtë loja për VMRO-në ka mbaruar. Askush, askund në botë nuk ka toleruar qeverisje pa legjitimitet politik. Në momentin që partitë shqiptare ja kthyen shpinën, pushteti i VMRO-së u rrënua. Ajo mund të provokojë, të nxisë konflikte, të shkaktojë kriza dhe të qëndrojë në pushtet edhe ndonjë ditë, por këto janë vetëm detaje. Pushteti i VMRO-së ka përfunduar; ajo është më opozitë.

Perspektiva e VMRO-së në afat të gjatë. Më tepër se rrënia nga pushteti sot, kokat e ftohta në VMRO duhet të shqetësohen me perspektivat e saj në të ardhmen. Animositeti që ka kultivuar ndaj shqiptarëve, që po del haptazi në shesh këto ditë, i siguron asaj dështim pas dështimi. Me fajin e vet ajo tek shqiptarët ka krijuar një bllok armiqësor jashtë çdo kontrolli partiak, që do të jetë i gatshëm t’a godasë me fletëvotime kurdo që të duhet.

Së pari është mëse e sigurtë se skenaret e vitit 2009 e 2014 më nuk do të përsëriten. Nuk ka më parti shqiptare që do mund të mbështesë VMRO-në në zgjedhje presidenciale  apo të thirrë në bojkot të tyre; tani e tutje kjo do të jetë vetëvrasje politike. VMRO do të humbë presidencën, e shqiptarët do të sigurohen që mos t’a kthejë më kurrë.

Skenari i njëjtë do të përsëritet në nivel lokal. VMRO do t’i humbë dhe nuk do t’i fitojë më komunat e përziera me shumicë maqedonase, ku shqiptarët janë në numër të mjaftueshëm për të ndryshuar rezultatin. Pikë së pari këtu hyjnë qyteti i Shkupit, Kumanova, Krusheva, e me pak fat edhe Manastiri, Ohri, Velesi e komuna tjera.

Pak më e koklavitur duket gjendja në nivel qendror. Ndoshta VMRO me nacionalizëm do të arrijë të rifitojë shumicën, apo ndoshta do të gjendet parti shqiptare që një ditë do t’i bashkangjitet në pushtet. Por të dyja fenomenet janë pak të mundshëm. Asnjë parti, as VMRO në kulmin e saj, nuk mund të sigurojë vetë 50% të votave. Do të mjaftojë kalimi në sistem me një njësi zgjedhore që në realitet asnjëra parti mos të sigurojë më tepër se 50 vende në parlament.

Nga ana tjetër vështirë se do të gjendet më parti e madhe shqiptare e gatshme për koalicion me VMRO-në. Të çliruar nga prangat partiake shqiptarët do të dijnë t’ua tregojnë vendin partive të këtilla dhe t’i vënë në vijë, ashtu siç bënë këtë herë me PDSH-në dhe BDI-në. Tanimë votuesi shqiptar e njeh peshën e votës së vet; tani e tutje ai e din se është mbreti i vërtetë i zgjedhjeve. Dhe ai nuk do të lejojë që dikush t’a fusë në avantura të reja me VMRO-në.

Pozicionin e VMRO-së më së miri e përshkroi ambasadori sllovak në një kolumnë për Utrinski Vesnik në fund të vitit të kaluar. Duke tërhequr paralele me vitet e 90-ta në Sllovaki ai aludoi se VMRO nuk ka “kapacitet koalicionues”. Dhe pikërisht ky është termi kyç që do të përcaktojë politikën në të ardhmen. VMRO apo kushdo tjetër mund të fitojë gjithë ditën e gjithë natën te “kampi i vet”. Me flakjen përfundimtare të principit fituesi-me-fituesin, ajo kurrë më nuk do të ketë “kapacitet koalicionues” me bllokun shqiptar. Kështu ajo nuk do të kthehet më në pushtet, derisa vërtetë të mbushet me mend.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button