Konstituimi i Parlamentit, partitë bëjnë kalkulimet e fundit

Pas mbrëmjes së gjatë në Reçicë të Vogël dhe epilogut të saj me “përkrahje të BDI-së për formim të Qeverisë së udhëhequr nga LSDM”, në partitë politike sot mbizotëron pasiguria për të dhënë përgjigje, ndaj çështjes për thirrje të seancës konstituive. Në lidhje me atë se deri të hënën a do të zgjidhet kryetari i Parlamentit, Ali Ahmeti mbrëmë tha se “nuk mund të flet për situata hipotetike”, njofton Portalb.mk.

Pasi zëdhënësi i partisë së Zoran Zaevit, Petre Shilegov, sot nuk është i kapshëm në telefon për Portalb.mk, nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska, shkurt tha se sot nuk pritet që partia të jep ndonjë informatë për hapat e mëtutjeshëm.

“Jemi në rrëmujë. Mendoj se sot nuk do të ketë diçka të re që të deklarojmë. Tani për tani nuk do t’i paralajmërojmë hapat e mëtutjeshme”.

Situata është “hipotetike” për partinë e Bilall Kasamit, në lidhje me atë se a do t’ua japin votat e partisë së tyre në Kuvend që të formohet Qeveria.

“Situata është hipotetike. Nuk mund të flasim për një punë që nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Duhet të shihet se pse t’i japin votat për formim të Qeverisë. Ata që janë marrë vesh, duhet të flasin edhe me neve”, thotë për Portalb.mk, deputeti i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi.

“Nëse do të jetë e nevojshme ndihma e “Aleancës për Shqiptarët”, për këtë do të vendosin kryesitë e partive përbërëse të Aleancës, në moment të caktuar”, kështu përgjigjen nga Aleanca për Shqiptarët për Portalb.mk, në lidhje me atë nëse do marrin pjesë në Qeverinë e udhëhequr nga LSDM.

“Gjatë periudhës së kaluar është diskutuar me LSDM-në, por edhe me faktorin ndërkombëtarë për domosdoshmërinë e realizimit të ndryshimeve rrënjësore në drejtim të ruajtjes dhe forcimit të vlerave demokratike në vend, respektimit të të drejtave të ndërsjella, kohezionit ndër etnik etj. Natyrisht duke u bazuar në “Deklaratën” e partive shqiptare e cila parasheh zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate të çështjeve të rëndësishme për shoqërinë në përgjithësi”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja, përveç kërcënimeve të vazhdueshme ndaj LSDM-së dhe BDI-së që nëse ata formojnë qeveri “do të ketë probleme”, sot përsëri nëpërmjet një kumtese i ka bërë thirrje LSDM-së se “nëse janë të sigurt se pranimi i platformës gjithëshqiptare është e mirë për ardhmërinë e Maqedonisë dhe ajo do të mbështetej nga qytetarët, të pranojnë shpallje të zgjedhjeve të reja në të cilat do të votohej për platformën nga Tirana”.

“Nëse Zoran Zaev nuk është i sigurt në rejtingun personal dhe mbështetjen, vlerësojmë se LSDM-ja duhet ta hedhë poshtë platformën dhe të heq dorë nga realizimi i të gjitha elementeve nga ato të cilat çojnë drejtë formimit të shtetit binacional. Në rast të tillë VMRO-DPMNE-ja do t’ia jap votat e saj LSDM-së që të formojë qeveri, si dëshiron, por pa shantazhe dhe pranim të platformave të cilat shkaktojnë dëme të mëdha dhe e shndërrojnë Maqedoninë nga shteti multietnik në shtet binacional”, thuhet në kumtesë.

Në një intervistë për “TV24”, Zaev tha se një nga opsionet e dukshme për mandatim të tij është të “thirret seancë parlamentare për të zgjedhur një kryesues i cili do ta mandatojë për formimin e Qeverisë” duke shtuar se hapat që do të ndërmerren do të jenë në pajtueshmëri me praktikën, Kushtetutën dhe ligjet në Maqedoni.

“Nëse Ivanov nuk ndërron mendim, një nga opsionet e dukshme është që të thirret seancë parlamentare për të zgjedhur një kryesues i cili do të më mandatojë mua për fillim të bisedimeve për formim të Qeverisë së re. Po kjo nuk nënkupton se Qeveria do të formohet. Po besoj se ecuria e ngjarjeve do të ndodh në pajtueshmëri me praktikën në Maqedoni. Që nënkupton: dhënie e mandatit, bisedime koalicionuese, arritje e marrëveshjes, konstituimi i parlamentit, për të sjellë vendime. Të gjitha mundësitë janë të hapura por me rëndësi është të udhëhiqemi në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve”, tha Zoran Zaev.

Kryetari i Parlamentin mund të zgjidhet në rast se thirret seancë parlamentare nga partitë parlamentare.

Sipas ekspertëve të Kushtetutës kjo mundësi mandatimi është në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Kjo mundësi e mandatimit të Zoran Zaevi nga kryesuesi i Parlamentit vje, pasi presidenti aktual i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, refuzoi t’ia jep mandatin kreut të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoran Zaevit edhe pse ai tashmë ka arritur të sigurojë 67 nënshkrime. Këtë  vendim, ashpër e kanë kritikuar, SHBA-ja, BE-ja, Gjermania, Britania e Madhe, vendet e rajonit dhe personalitete të larta politike brenda dhe jashtë vendit, ndërkaq e ka “lavdëruar” vetëm Rusia.

Kjo gjendje ka sjell dhe rritje të tensioneve dhe urrejtjeve ndëretnike, por edhe mes aktivistëve partiak.

Ministri i MPB-së të mërkurën në një konferencë për shtyp, tha se MPB-së i dënon ngjarjet e fundit dhe ju siguron se MPB do t’i shfrytëzojë të gjitha kapacitetet për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button