Përse gjithë ky mllef antishqiptar?!

Do të gënjeja po të thoja se më ka befasuar urrejtja e Ivanovit ndaj Shqiptarëve dhe Gjuhës shqipe. E njëjta vlen edhe për klithjet fashizoide të turmave të dresuara, që kërkojnë zhbërjen tonë, njësoj si dje idhujtarët e millosheviqit. Kjo është pasojë e kultivimit me sistem të paragjykimeve dhe manipulimeve me të vërtetat historike, të cilat nisin me tekstet shkollore, ku shqiptarët prezantohen si ardhacakë dhe pushtues të territoreve maqedonase dhe përfundojnë me enciklopeditë e shkarravitura nga pinjollët e garashaninëve.

Ajo që befason është e dhëna se, kësaj here, në krye të turmave të manipuluara për mëshirim janë vënë në mënyrë të hapur emra të njohur të proviniencës së kulturës: akademikë, shkrimtarë, poetë, aktorë, filozofë, analistë, publicistë, gazetarë, profesorë universitarë, studentë, përfaqësues të medieve…, madje dhe kryepriftërinj, që e kanë bërë gati të pashpresë mundësinë e kthimit të jetës në binarët e normalitetit.

Prej nga buron gjithë ky frustrim dhe mllef antishqiptar, kur dihet se jemi të vetmit që të tillëve ua kemi pranuar, pa asnjë kusht, kombin, gjuhën, fenë, shtetin ku ne konceptohemi për qiraxhinj dhe së fundmi, me heshtjen tonë prej peshku, ua kemi miratuar dhe tapinë e lashtësisë së rreme, pa e menduar se pas këtij naiviteti do t’na shpallin ardhacakë në vatrat tona stërgjyshore, madje armiq biologjikë që duhet dëbuar me çdo mjet nga shteti. Ky qe dhe mesazhi kryesor i presidentit tonë mendjegëzuar, i shprehur në stilin e të përvuajturit: Unë nuk kam shtet tjetër…, që, e deshifruar për moronët, do të thotë se shqiptarët kanë dy shtete dhe mund të shkojnë atje, para se t’na detyrojnë ta bëjmë këtë adhuruesit kokëkrisur të komorave të gazit dhe kanc-llogoreve fashiste.

Ndër justifikimet e përhershme të klithmaxhinjëve, që pandehin se e mbrojnë shtetin prej makthit të quajtur Gjuhë shqipe, janë luftërat e bëra të maqedonasve ndër shekuj për vendin e tyre biblik. Me këtë nënkuptohet se shiptarët që paskan ardhur në Maqedoni në gjysmën e dytë të sh. XVIII, kanë gjetur gjithçka të gatshme, prandaj dhe nuk mund të jenë të barabartë me maqedonasit, prandaj dhe duhet të pajtohen me statusin e njëjtë me pakicën rome e turke…, të manipuluar dhe të ngritur gjithashtu në demonstrate me rolin e atij kovaçit që ndiqte ujkun tok me çobanin…

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se kësaj bindjeje i kontribuojnë edhe një numër i konsiderueshëm shqipfolësish, të cilët (a thua vetëm për rastësi?) janë në vijë të njëjtë me albanofobët e protestave dhe mësuesit e tyre, sa herë janë në pyetje betejat që kanë bërë shqiptarët në territoret ku jetojnë edhe aktualisht. Për t’mos e bërë pa nevojë historianin, po përmend me këtë rast vetëm kryengritjet e mëdha shqiptare të sh. XVII dhe XVIII, të bëra pikërisht në vendbanimet e shqiptarëve ardhacakë… Ndanë kësaj, kush nuk e di prej kujt u çlirua Shkupi në vitin 1912, se mijëra djem të rinj shqiptarë lanë jetën në frontin e egër të Sremit, se shumë të tjerë u persekutuan dhe likuiduan pas luftës antifashiste nga partizanët sllave, se shqiptarët e nisën shpërbërjen e Jugosllavisë titiste, pas së cilës Maqedonia u bë shtet… Por, siç e thashë më lart, gjakun tonë të derdhur rrëke për këto troje e mohojnë dhe një numër i konsisderueshëm shqipfolësish, ndaj përse të mos e bëjnë këtë të tjerët?

Sidoqoftë, e gjithë kjo që po ndodh aktualisht është shfaqje e orkestruar e bandës hajdute pushtetare, që ka qëndruar me vite në pushtet në sajë të antishqiptarizmit dhe që tani tënton, po me antishqiptarizëm të shpëtojë bythën. Këtë nuk e kanë të qartë vetëm viktimat trushpëlarë të kastës gangstere, e cila ua ka sosur të gjithëve ardhmërinë e bashkë me të edhe shtetin që tentojnë ta mbrojnë nga armiqtë imagjinarë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button