Deklarata e përbashkët shqiptare nuk kërcënon dhe nuk është në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë!

Presidenti Gjorge Ivanov deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare e cilësoi si kërcënim ndaj sovranitetit të shtetit, por njohësit e çështjeve politike dhe juridike vlerësojnë të kundërtën. Ata thonë se asnjë pikë nga kjo deklaratë nuk përbën kërcënim për sovranitetin apo territorin e Maqedonisë, madje nëse eventualisht ka ndonjë shkelje kushtetuese, Presidenti nuk është ai që bën këtë vlerësim, shkruan Portalb.mk.

Nëse kjo deklaratë apo platformë arrihet dhe me shumicë votash votohet si ligj në parlament, pas mratimit nëse ka dyshime presidenti për shkelje kushtetutshmërie, jep vërejtje dhe të njëjtat vërejtje i merr në dorë Gjykata kushtetuese, dhe argumenton me fakte se a ka apo jo shkelje kushtetuese.

Asnjë nga pikat nga deklarata e përbashkët, nuk kërcënon Maqedoninë

Profesori universitar për çështje juridike kushtetuese, Osman Kadriu thotë për Portalb.mk se argumentet që kjo deklaratë dhe pikat e saj kërcënojnë vendin janë pa argumente dhe nuk janë të bazuara në asnjë lloj fakti.

“Mjerisht në vendimin e presidentit, ai përdor argumentacion që fare nuk ka lidhje, që nuk mbështetet d.m.th. në asnjë lloj fakti, ai bën kualifikime bombastike kur vihet në pyetje sovraniteti, territori i Maqedonisë dhe interesat nacionale, shtetërore, regjimi politik që ka të bëjë me shtetin unitar e kështu me radhë. Kur shqyrtohet deklarata e përbashkët e partive shqiptare, asnjë pikë nuk është në lidhje, konotacion me këto kualifikime që i jep kryetari i shtetit, bukvalisht asnjë, por ja që kryetari i shtetit është vegël e partisë VMRO-DMPNE, ai vetëm zbaton urdhrat e tyre dhe përdor si alibi këtë që ta refuzojë mandatin e Zaev-it”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai madje tha që kushtetutën dhe vendin nuk e kërcënojnë pikat e deklaratës së përbashkët, por që këtë gjë po e bën vetë presidenti.

“Ai me këtë gjest në mënyrë të rëndë e shkel kushtetutën edhe atë në mënyrë flagrante meqenëse ai ka për obligim ta jep mandatin dhe assesi të thirret në ato kualifikime. Për ato kualifikime ai nuk ka bazë as politike e as kushtetuese, tek e fundit ai kryeson sipas postit që ka edhe me Këshillin për Siguri Nacionale, le të urdhërojë le ta thirr Këshillin edhe të shohim se Këshilli a do të sjellë një vendim të tillë, një konkluzion të tillë, se me të vërtetë cenohet qëllimi i interesave nacionale, sovraniteti dhe integriteti territorial e kështu me radhë, prandaj mendoj se kështu si veproi, i ka sjellë shumë dëm shtetit. Brengosem për marrëdhëniet në Maqedoni dhe vallë a do krijojmë kushtet që të mund të thirret një seancë parlamentare në gjendje normale ose do të ketë përsëri tensione që të mos mund deputetët të futen në parlament dhe të formojnë qeveri. Edhe njëherë e theksoj se asnjë nga pikat nga deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare nuk kërcënon dhe nuk është në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë”, shtoi Kadriu.

Deklarata të shndërrohet në ligj, e më pas të vërtetohet kushtetutshmëria e saj

Profesori universitar Svetomir Shkariq për Portalb.mk, komenton pikat e deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, duke thënë që Presidenti nuk ka detyrë të bëjë kualifikime të tilla, por kushtetutshmëria e deklaratës mund të vërtetohet vetëm pas miratimit si ligj, si dhe argumenteve të gjykatës përkatëse për vërejtjet e presidentit.

“Nëse ajo platformë shndërrohet në ligj, atëherë ai ligj do të miratohet në parlament dhe atëherë presidenti do të ketë mundësinë të jep vërejtje dhe nëse parlamenti e miraton atë si ligj, ekziston mundësia që edhe gjykata themelore të reagojë edhe të vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjeve, d.m.th. edhe të këtij ligji. Atëherë përgjigjja do të jetë e qartë dhe e argumentuar, tani nuk duhet të merremi me këtë. Në afat prej 30 ditësh parlamenti ka për detyrë të shqyrtojë vërejtjet e mundshme të presidentit të cilat mund të miratohen ose jo, por me 61 vota ligji automatikisht hyn në fuqi, më pas gjykata kushtetuese do të ketë mundësinë të merret me kushtetutshmërinë e dy-gjuhësisë apo çfarë do që të jetë ligji dhe atëherë do të dimë se a e cenon kushtetutën apo jo, nëse po atëherë do të ndërpritet miratimi i tij. Tani nuk ka nevojë për manipulime dhe të huajt që deklarohen në publik, ka procedurë për këtë”, tha për Portalb Shkariq.

Ndërkaq edhe deputeti i BDI-së, Artan Grubi, reagoi ndaj deklaratës së presidentit, Gjorge Ivanov, për mosdhënie të mandatit, duke thënë se “është i vetëdijshëm që vendimi i Ivanovit në esencë nuk ka të bëjë me Deklaratën e përbashkët shqiptare”.

Grubi bëri “ca sqarime zbërthyese të pikave të Deklaratës që qytetarët duhet t’i dinë”, dhe shton se rrëfimet për ndarje, federalizimi, kantonizim, ndryshim të rendit kushtetues, janë përralla për fëmijë!

Kurse në vizitën e saj në Shkup, Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini deklaroi “E lus presidentin të mendojë, t’a tërheq vendimin në interes të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe si që shkruan Kushtetuta, mandati i jepet kandidatit që ka mazhorancën në Kuvend. Këtë e thotë Kushtetuta dhe presim që e njëjta të respektohet. Gjithashtu, është shumë me rendësi që të gjithë liderët dhe të gjithë ata që kanë përgjegjësi institucionale e kanë për detyrë të përmbahen me retorikën e tyre që mos të lejojnë që kriza politike-institucionale të shndërrohet në një konflikt ndër-etnik ose ende më keq, konflikt gjeo-politik”. /Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button