Rusia: Ndërhyrja në Maqedoni dëshmi e Tiranës për projektin e “Shqipërisë së Madhe”

Rusia ka akuzuar Shqipërinë, NATO-n dhe Bashkimin Evropian se po përpiqen të imponojnë qeveri pro-shqiptare në Maqedoni.

Një ditë më herët presidenti maqedonas Gjorge Ivanov refuzoi t’i jepte mandatit LSDM-së dhe koalicionit me partitë shqiptare për të krijuar qeverinë në Maqedoni, “për shkak se kjo platformë përfshin edhe përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe”.

Lëvizja e Ivanovit është kritikuar ashpër nga Bashkimi Evropian, ndërsa Rusia ka dalë në mbrojtje të vendimit të presidentit maqedonas.

“Me bashkëveprim me Bashkimin Evropian dhe zyrtarët e NATO-s, një ‘platformë shqiptare’ e krijuar në Tiranë, në zyrën e kryeministrit shqiptar, po imponohet në Maqedoni”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Rusia thotë se një lëvizje e tillë është dëshmi për pretendimet e Shqipërisë për zgjerim në rajon si pjesë e projektit të quajtur “Shqipëria e Madhe”.

Në letrën e Moskës akuzohet edhe Kosova për përfshirje në Maqedoni dhe thotë se Perëndimi dëshiron që humbësit të marrin fuqinë e udhëheqjes.

“Është e domosdoshme që të ndalen intervenimet e jashtme në punët e brendshme të Maqedonisë”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button