Maqedonia para tri infarkteve

Maqedonia tani më me meritë ka fituar epitetin “i sëmuri i Ballkanit”. Premieri i saj, tani vite me radhë papërgjegjshëm shkelë mbi parimet themelore elementare të demokracisë dhe mbi shtyllat kryesore të koekzistencës ndëretnike. Ai synon debaklin e social e ekonomik ta maskon me hipokrizi dhe patriotizëm të rrejshëm nacional, duke përbuzur një popullatë të tërë. Ai vazhdimisht shkel mbi koekzistencën edhe ashtu të ndjeshme ndëretnike. Ai shkel mbi vlerat elementare njerëzore kolektive. Ai shkel mbi dinjitetin dhe krenarinë kolektive. Duke dashur që përmes përkëmbjes së krenarisë shqiptare, të ndërtojë kullën e tij të pushtetit, ai rrënoj çdo gjë racionale, duke mos qenë i vetëdijshëm se me veprimet e veta është duke shembur limitin psikologjik të durimit. Historia tregon se në sa e sa raste situatat e manipuluara me dozim janë dalë prej duarve dhe kanë përqafua tragjedinë. Tensionet e qëllimshme shpesh kanë lëshuar djallin nga shishja dhe e gjithë ka përfundua tragjikisht. Premieri i shtetit, aktualisht është fenomen i vetëm në botë që synon politikisht të mbijetoj duke mbjellur dhe korrur urrejtje ndëretnike. Ai kërkon vota nga populli i vet që ta shtyp një popull që e konsideron element të huaj. Ne jemi i vetmi rast në botë ku premieri i shtetit provokon nxitje ndëretnike që të kap majën e pushtetit në qiell, përderisa njerëzit dhe popujt janë zhytur në baltë. 

Ai edhe mbrëmë te Milenko i Kanal- 5 (një figurë e përfolur për kriminalitet me viza amerikane), përndryshe mik i premierit, edhe njëherë talli Shqiptarët, të cilën punë si duket e ndihmojnë edhe disa Shqiptarë. Ai tha, se pas zgjedhjeve së pari do të bisedojë me partinë fituese shqiptare, por nëse nuk merret vesh, atëherë do të bisedojë me partinë tjetër.

Mesazhi është ky: -“Fituesi shqiptar duhet të lyp më pak, përndryshe do ta marr në pushtet humbësin shqiptar”. Po të kishin shqiptarët marrëveshje, atëherë premierit do t’ia kthenin me të njëjtin arshin: “Ne si parti shqiptare së pari do të bisedojë me fituesin maqedonas, e po të mos merremi vesh, atëherë do të bisedojmë me humbësin maqedonas”. Ndokush do të thotë se djalli nuk dëbohet me një djall tjetër,pasi bëhen dy, por si të veprosh kur ai djall dhjetëra vite na e ka zënë derën. Por, këtë punë mund ta bëjnë Shqiptarë me zemër njeriu, e jo me hundë vjedhacaku. Disa Shqiptarë,kur hynë në politikë nuk kishin as çorap, kurse tani kanë komplekse marramendëse, të ndërtuar me hakun dhe djersën e njerëzve të mjeruar, në kokën e të cilit vazhdimisht betohen. Kur t’i dëgjosh, gojën e kanë përplot me patriotizëm, përplot me moral, me përkushtim e dinjitet, kurse veprat përplot më mëkate, me mashtrime, vjedhje e manipulime.  Madje, edhe djalli është larguar nga ne, pasi kishte fituar bindjen se vet ne do të mundemi popullit t’ia ndërtojmë ferrin.

Sikur, partitë shqiptare të kishin përgjegjësi elementare, atëherë ato publikisht do ta lansonin formulën – “fituesi me fituesin, kurse humbësi të jetë kritik dhe t’i pret zgjedhjet e radhës.” Vetëm në këso forme, i qëndrohet përball të keqes së Gruevskit dhe të mirës së popullit. Vetëm kështu i vjenë fundi nënçmimit dhe nënshtrimit nga më i nënçmuari. E jo me ulje të pazarit duke u ulur në prehër të premierit. Madje një zonjë e nderuar, analiste-partiake, haptazi paralajmëroj se një parti shqiptare fuqishëm do të punoj për Ivanovin (një figurë vasale e Gruevskit, që nuk plotëson kriteret as për roje në presidencë). Pra do të përkrah njeriun që edhe vet si publik në Beograd “nuk kishte dëgjuar” këngën e Komitëve për “kleteti shiptari”, këngë e cila këndohet në korr vazhdimisht me dirigjim të VRMO-së. Ajo po ashtu tha se nuk është e thënë që gjithherë fituesi të shkojë me fituesin në qeveri. Por, kështu e ka puna derisa disa nga këto që tani janë shumicë shqiptare të mos shndërrohen në pakic të vetvetes. 

Sidoqoftë, premieri aktual, njerëzit dhe shtetin e ka sjellur në buzë të gremisë. Solli varfëri, skamje, urrejtje, shantazhe, ndarje e përçarje. Nga blokimet euroatlantike, fitoi pushteti e humbi populli. Vetëm këto tetë vite, vendin e kanë lëshuar rreth 400 mijë të rinj. Kjo tragjedi, përjetë do ta ndjekë ndërgjegjen dhe koshiencën tonë. 

Tani Maqedonia gjendet përpara tri infarkteve të rrezikshme. Infarkti i parë mund të godasë menjëherë pas kumtimit të rezultateve të zgjedhjeve, po të ndodhë që faktori i jashtëm negativisht t’i vlerësoj zgjedhjet, gjë e cila nuk është larg realitetit. Atë opozita maqedonase do të kuptojë si sinjal për t’i “okupuar” institucionet (parlamentin, qeverinë). Edhe po t’i mbijetojë këtij sulmi, infarkti i dytë pritet të sulmoj pas Samitit të NATO-s në shtator, kur do të rrëzohet edhe kufiri i fundit psikologjik i tolerancës për shkak të eliminimit të inkuadrimit të shtetit në këtë aleancë. Por, sikur nga rasti edhe këtij t’i shpëtoj, infarkti i tretë dhe ndoshta vdekjeprurës për pushtetin do të ndodhë vitin e ardhshëm kur Maqedonia do të duhet të kthej afro 650 milion euro borxh (të jashtëm e brendshëm), që nënkupton kolabim në pagimin e rrogave, pensioneve, shërbimeve tjera publike. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe mendjelehtësinë e premierit se gjithë jetën do të tallet me Shqiptarët, Ukrainën nuk do ta kemi aq larg. Atëherë çdokush do të bindet se megjithatë më në fund fiton e drejta gjithmonë fiton, por do të ishtë më mirë sikur të fitonte që në fillim.

Lajme të ngjashme

Back to top button