Grushtshteti presidencial

Në një demokraci parlamentare Presidenti i shtetit duhet ta respektojë shumicën parlamentare edhe kur personalisht nuk e pëlqen të njëjtën”. Me këtë mesazh të shkurtër dhe të qartë Eurokomesari Han i tërhoqi vërejtjen Ivanovit për shkeljen kushtetuese të rradhës që ai e bëri me atë që refuzoi t’i japë mandatin Zoran Zaevit për të krijuar qeverinë, edhe pse ky i fundit paraprakisht dorrëzoi listën me 67 nënshkrime që demonstrojnë shumicën e qartë parlamentare të cilën Ivanov rrefuzon që ta pranojë dhe ta respektojë. Pak rendësi kanë për Ivanovin fjalët e Eurokomesarit dhe miqve tjerë ndërkombëtare të vendit, sepse ai në fjalimin e tij të sotëm qartazi iu drejtua komunitetit ndërkombëtar për t’u thënë të mos ndërhyjnë në dhënien e mandatit pasi që paraprakisht nuk e panë të arsyeshme të ndërhyjne sa i përket pranimit ose jo të platformës shqiptare e cila tani formalisht paraqitet si arsyeja kryesore për këtë veprim të presidentit.

 

Nuk është hera e parë, dhe me gjasë nuk do të jetë as hera e fundit që Ivanov bën shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë. Shpresoj që kjo të jetë arsye për të inicuar, të paktën simbolikisht, procedurën për impiçment ndaj kësaj karikature që pretendon të jetë president i një shteti dhe që në bazë të ligjit, duhet të marrë pensionin presidencial edhe pas mbarimit të rregullt të mandatit të tij. Është koha që të paktën simbolikisht dhe formalisht të mbetet damka historike e kriminelit mbi këtë person që për më pak se një vit bën dy shkelje të mëdha kushtetuese me qëllim që të mbulojë kriminalitetin e shkallës së lartë që ka kapluar këtë shtet.

 

Pesë janë aspektet juridike të vendimit të gabuar të Ivanovit të shpallur në pasditen e 1 Marsit 2017:

 

  1. Ivanovi si bartës i funksionit President i Shtetit shkeli nenin 90 të Kushtetutës së RM. Ky nen përcakton që “Presidenti është i obliguar (pra nuk ka të drejtë, por obligim të qartë) që mandatin për krijimin e qeverisë t’ia dorrëzojë kandidatit të partisë apo partive që kanë shumicën në Kuvend”. Pikë! Me kaq mbaron obligimi formal i presidentit të shtetit në një demokraci parlamentare ku i njëjti vetëm formalisht dorrëzon mandatin ndërsa mandatari përgatit programin dhe përbërjen e qeverisë të cilën e dorrëzon në Kuvend ku qeveria votohet me shumicë absolute (në rastin tone me 61 vota). Gjithçka që presidenti duhet të bëjë në këtë rast, është të sigurohet se mandatari ka shumicën në Kuvend. Shumica parlaentare në rastin tone u dëshmua me firmat e 67 deputetëve të dhëna Zaevit, kështu që misioni i Presidentit të shtetit u kompletua. Gjithçka përtej kësaj është shkelje e nenit 90 të Kushtetutës.
  2. Me faktin që Ivanov nuk u mjaftua me firmat që dëhmonin qartë ekzistencën e shumicës parlamentare (të cilat firma pikërisht ai i kërkoi si dëshmi), por filloi të hetojë platformën politike të shqiptarëve dhe mundësinë që Zaevi si mandatar ta ketë pranuar të njëjtën, bëri një ndërhyrje të ashpër në pushtetin legjislativ dhe në pushtetin gjyqësor të vendit, duke shkelur kështu haptazi parimin e ndarjes së pushtetit që poashtu njihet si njëra ndër vlerat themelore juridike të këtij shteti të përcaktuara në nenin 8 të Kushtetutës së RM. Programin dhe përbërjen e qeverisë dhe çfarëdo marrëveshje politike që lidhet me atë e vlerëson Kuvendi i RM para se të jape votëbesimin për krijimin e qeverisë së re. Presidenti i shtetit në një demokraci parlamentare nuk ka asnjë lloj ingerence dhe as të drejtë për të bërë një vlerësim të tillë. Kjo që bëri Ivanov shkon në kundërshtim me nenin 90 të Kushtetutës që përcakton pikërisht që programin qeveritar e vlerëson Kuvendi gjatë dhënies së votëbesimit. Veçmas nga kjo, Ivanov konstatoi që pranimi i platformës shqiptare, për të cilën ai tha që është shkruar dhe firmosur në një shtet të huaj, paraqet vepër penale Rrezikim i pavarësisë së RM nga neni 308 i Kodit Penal të RM për shkak se ky akt, gjithnjë sipas Ivanovit, e sjell në pozitë inferiore dhe të poshtëruar shtetin e Maqeodonisë. Veprat penale i ndjek prokuroria publike dhe jo presidenti i shtetit. Veprat penale deshmohen para nje gjykate dhe jo para presidentit. Presidenti i një demokracie parlamentare nuk është as monark absolut e as gjykatës suprem që të vendosë lidhur me veprat penale kundër shtetit dhe ta interpretojë si të dojë Kodin Penal. Derisa gjyqësori i një shteti nuk ka ngritur procedurë penale për një vepër, e njëjta praktikisht nuk ekziston në realitetin juridiko-penal. Qartazi duket që Ivanov si përfaqësues i pushtetit ekzekutiv, ndërhyri në mënyrë flagrante në pushtetin legjislativ dhe atë gjyqësor, duke shkelur pa asnjë fije turpi elementin kryesor të një shteti demokratik, atë të kontrollit dhe balancit mes pushteteve.
  3. Gjatë gjithë procesit të caktimit të mandatarit pas zgjedhjeve të 11 Dhejtorit 2017, Ivanov vendosi standarde të dyfishta dhe bëri diskriminim në bazë të përkatësisë politike, gjë që shkon në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës së RM. Kur për herë të pare ia dorrëzoi mandatin Gruevskit, Ivanov nuk u sigurua paraprakisht se i njëjti ka përkrahjen e shumicës në parlament, dhe nuk kërkoi asnjë dëshmi që një shumicë e tillë të vërtetohet. Thjeshtë e dha mandatin, ndërsa Gruevski nuk arriti të formojë qeveri. Kur duhej që mandatin t’ia japer partisë së dytë, Ivanov ndryshoi rregullat e lojës dhe kërkoi dëshmi për ekzistencën e shumicës parlamentare, bile shtoi dhe kushte të tjera lidhur me vlerësimin e programit politik të qeverisë dhe rruajtjen e integritetit të vendit (si që u spjegua më lartë, këto nuk janë fare në kompetencat e Presidentit). Për më tepër, Ivanov rrefuzoi t’i jape mandatin Zaevit duke u thirur tek platforma shqiptare. Kjo platformë u promovua me 7 Janar, ndërsa Ivanov mandatin e parë ia dha Gruevskit me 9 Janar, 2017. Prej tij nuk kërkoi respektimin e integritetit dhe tërësisë territoriale të shtetit e as që përmendi platformën shqiptare, pranimin ose mospranimin e së njejtës, ndërsa Zaevit rrefuzoi t’ia jape mandatin pikërisht duke u thirur tek platforma që eksistonte që më herët. Ky është diskriminim i pastër politik për të cilin mbahet përgjegjësi për shkelje të Kushtetutës.
  4. Me faktin që me vetëdije të plotë dhe me qëllim Ivanov si President i shtetit shkeli rrendin kushtetues të vendit duke pamundësuar funksionimin demokratik të institucioneve të zgjedhura nga qytetarët, ai paraqitet si kryerës i një sërë veprash penale kundër shtetit dhe kundër detyrës zyrtare. Ai më së pari kryen veprën penale Sabotazhë nga neni 315 i Kodit Penal që kryehet nga pesoni që duke kryer detyrën e vetë të punës, me qëllim që ta rrezikojë rrendin juridiko-kushtetues të RM në mënyrë të fshehur ose të poshtër i shkakton dëm të konsiderueshëm një organi ose institucioni shtetëror. Për më tepër, në bashkëpunim me Gruevskin, i cili para vetëm disa ditësh i thiri haptazi qytetarët të bëjnë trazira dhe të mos pajtohen me formimin e qeversië me shumicën e siguruar parlamentare, Ivanov, duke mos dhënë mandatin, bëhet pjesë e Tradhëtisë ndaj shtetit që dënohet sipas nenit 305 të Kodit Penal që nënkupton ndërimin me dhunë të rrendit kushtetues të vendit. Sipas rendit kushtetues ndryshimi i pushtetit është gjë normale dhe bëhet me procesin demokratik zgjedhor dhe me sigurimin e shumicës në parlament. Çdo përpjekje që me dhunë të ndryshohet një gjë e tillë hyn në kuadrin e tradhëtisë ndaj shtetit që në popull njihet me termin Grushtshtet. Për më tepër, nga mënyra si e arsyetoi vendimin e tij, Ivanov qartazi shkaktoi urrejtje, mosdurim dhe ndasi etnike mes qytetarëve të RM duke shpallur votën e votuesve maqedonas etnik si votë më të vlefshme në krahasim me votën e votuesve shqiptarë etnik. Kjo vepër dënohet sipas nenit 319 të Kodit penal të RM. Dhe sigurisht, nuk guxojmë të harrojmë që në gjithë këtë proces Ivanov bëri edhe Keqpërdorim të detyrës zyrtare që dënohet sipas nenit 353 të Kodit Penal. Të gjitha këto janë vepra të rënda kundër shtetit dhe detyrës zyrtare për të cilat nuk mjafton vetëm përgjegjësia morale dhe politike në formë të impiçmentit, por pason edhe përgjegjësi penale. Fatkeqësisht, në RM nuk ka prokuror publik që do të inicojë një ndjekje të tillë, e as gjykatë që do t’i gjykojë këto vepra të Ivanovit. Mbetet të shpresojmë që një ditë do të ketë drejtësi dhe rrjedhimisht, do të ketë qetësi në këtë vend.
  5. Mbjellja dhe përhapja e qëllimshme e urrejtjes ndëretnike është një veprim shumë serioz dhe shumë i dëmshëm për çdo shtet multietnik. Maqedonia është pjesë e një rajoni ku urrejtja ndëretnike shpesh ka eskaluar në konflikte të përgjakshshme dhe me pasoja shumë të rënda. Të mos harrojmë që për këtë territor u krijua edhe Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë, ndërsa pas tij, në vitin 1998 u krijua edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare. Në qoftë se situata e tendosur ndëretnike në Maqedoni eskalon dhe vjen deri tek konflikti mes qytetarëve dhe kjo gjë ka pasoja për popullsinë civile, një gjë e tillë mund të thërrasë Ivanovin dhe përfaqësues tjerë politik edhe në përgjegjësi për vepra penale ndrëkombëtare, për të cilat nuk eksiston pengesa e imunitetit e as ndonjë pengesë tjetër për t’u gjykuar. Pëgjegjësia ndërkombëtare penale është poashtu diçka që Ivanov duhet ta marrë seriozisht në konsideratë.

 

Përfundimisht, zgjidhje juridike por edhe politike të situates së krijuar mund të gjinden me shumë lehtësi, por kjo humb kohë të çmuar për vendosjen e drejtësisë në vend. Të mos harrojmë, se ishte pikërisht përfshirja në kriminalitet të shkallës së lartë të të gjitha institucioneve relevante në Maqedoni arsyeja kryesore që solli gjer tek zgjedhjet e parakohshme dhe tek kjo situate e krijuar. Pa vendosur përgjegjësinë penale si prioritet kryesor, vështirë se do të realizohet ndonjë e drejtë themelore e qytetarëve të këtij vendi. Prandaj, në mënyrë që paqa dhe stabiliteti të sigurohet, duhet domosdoshmërisht drejtësia dhe përgjegjësia penale të funksionojë dhe të vendoset një herë e mirë si parim kryesor i qeverisjes.

Gjithkush që me veprimet e veta në mënyrë direkte ose indirekte e pengon vendosjen e drejtësisë, bëhet bashkëpunëtor në krimin i cili kërkohet të mbulohet dhe të shpëtojë i pa dënuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button