Kalorësit e ligësisë

Gruevski, një politikan teknokrat, i vetëbegenisur, dinamik, me pushtet të frikshëm, tani hiqet si hero që është i gatshëm të flijohet për kauzën maqedonase. Ai nuk është prej racës së flijimtarëve, por ka dëshmuar se për pushtet nuk merakoset për vlerën e jetës njerëzore. Megafonët e tij thonë se nëse Zaevi e realizon “Platformën shqiptare”, atëherë nuk ka më Maqedoni të pavarur. Nën këtë parrullë ka nisur një homogjenizim dhe mobilizim maqedonas “për ta mbrojtur shtetin” nga albanizimi. Ky shtet, deri tani, paska qenë i pavarur nga shqiptarët. Nëse shqiptarët i realizojnë disa të drejta të tyre, atëherë Maqedonia e humbka pavarësinë. Më saktë: nëse Maqedonia nuk është shtet i maqedonasve dhe “pak i do të tjerëve”, atëherë nuk paska kuptim pavarësia e saj.

Kalorësit e ligësisë thonë se shqiptarët, për dallim nga maqedonasit, kanë atdhe rezervë, pra Shqipërinë dhe Kosovën. Shqiptarët, sipas disa borive të regjimit, që çirren kështu, e që kanë nënshtetësi të dyfishtë, me demek, mund të shkojnë “atje”. Shqiptarët nuk do të shkojnë askund. Ata janë në vendin e tyre. Nuk të ketë Maqedoni pa shqiptarët. Ky shtet është krijuar që të ruhen balancat në Ballkan, me kushtin që shqiptarët të ishin shtetformues. Kështu nuk do të kërkonin opsione të tjera në një periudhë kohore kur të gjitha opsionet ishin mbi tavolinë.
Qasja aktuale e elitave intelektuale maqedonase, që reflektojnë në politikë ose politika reflekton tek ato, e çon shtetin drejt dekompozimit, drejt një konflikti të ri, në të cilin, sigurisht, nuk do të merrnin pjesë qyqarët, këta nxitës anakronikë të konflikteve, të ngjashëm me mësuesit e tyre veriorë. E për konflikt flasin ata që e duan një Maqedoni vetëm të maqedonasve dhe pak “të të tjerëve” dhe ata që duan ta ruajnë pushtetin, si mbrojtje nga ndëshkimi për paudhësitë që i kanë bërë. Sigurisht ka edhe grupime të tjera.

VMRO DPMNE thirret në mbrojtjen e vlerave konservatore, por kjo parti, shpesh herë, me veprimet e saj, e ka rrezikuar shtetin, duke përkrahur edhe ide për ndarje të Maqedonisë. LSDM deklarohet si parti e majtë, por asnjëherë nuk ka qenë e këtillë. Në periudha të ndryshme ka qenë po aq nacionaliste sa VMRO DPMNE. Së fundmi e ka ndryshuar diskursin. Ne nuk mund ta dimë se si do të ishte Maqedonia me Zaevin si kryeministër. Ai mund të jetë një politikan që mund t’i mbyll disa çështje të pazgjidhura ndëretnike. Nuk mund ta paragjykojmë. Megjithatë politika dhe menaxhimi i shtetit nuk mvaren vetëm nga një njeri. Nëse nuk shkon gjithçka në theqafje, atëherë çështjet ndëretnike mund të mbylleshin në fillim të qeverisjes së tij eventuale. Me kalimin e kohës, sa më shumë ndodhin keqpërdorime të pushtetit, aq më shumë keqpërdoren raportet ndëretnike. Keqpërdorimi i raporteve ndëretnike ka qenë profitabil për përfitime politike të çastit të partive që janë korruptuar, por kanë mbetur të hapura çështjet ndëretnike, që ngushtojnë hapësirën Maqedonia të frymojë si shtet normal dhe në kërkim të perspektivave të reja. Një Maqedoni pa problemet e deritanishme do mundësonte që qytetarët e saj, pa dallime kombëtare, të merrnin pjesë në krijimin e vlerave të përbashkëta. Që kjo të ndodh, veçanërisht pas rrethanave të reja, të krijuara pas zgjedhjeve të fundit, duhet që politikanët shqiptarë të çlirohen nga logjika e robit. Si duket, sërish, duan ta zëvendësojnë një padron me një padron tjetër. Disa që i janë përkulur Gruevskit, sot kanë filluar ta kritikojnë, sepse kështu duan ta lartësojnë Zaevin. E shohin si padron të ri që presin t’i shërbejnë. Zaevin sërish do ta kritikojnë ata që e kritikuan Gruevskin. Zaevin do ta mbrojnë sërish ata që e mbrojtën Gruevskin. Shërbëtorët do ta kritikojnë vetëm kur do t’u shfaqet padroni i ri. Kritikuesit e pushtetit të Gruevskit sot janë disa llojesh: ata që e kritikojnë regjimin, por duan t’i shërbejnë të ardhshmit, pa e pasur si qëllim ndryshimin e Maqedonisë së vjetër; janë ata që i shërbyen regjimit, e më pas i humbën pozicionet e tyre dhe ata që vërtet e duan një Maqedoni tjetër, një Maqedoni të re, pa pasur ambicie për poste politike. Këtij shteti i duhen “autoritetet morale”, të cilët, nëse i referohemi Tismaneaut, janë zëra kritikë që nuk duan ta zëvendësojnë princin, por t’i shërbejnë mirëqenies së përgjithshme. Këta të parët do ta kritikojnë edhe Zaevin nëse do të bëhej kryeministër, sikurse e kanë kritikuar Gruevskin kur ishte në kulmin e pushtetit.

Tani për tani duhet që Maqedonia të funksionojë si shtet normal. Në skenë janë shfaqur kalorësit e ligësisë. Ata duan të na çojnë në hon…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button