Kryetari i PDSH-së priti në takim ambasadorin e Suedisë

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi sot në selinë e partisë në Tetovë realizoi takim me ambasadorin e Suedisë në vend, Mats Stafanson.

Në takim, siç thuhet në kumtesë, u bisedua për situatën aktuale, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe pikëpamjet e PDSH-së për daljen nga kriza politike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit euro-atlantik.

Kryetari Thaçi shprehu brengosjen për marrëdhëniet e brishta ndëretnike, situatën ekonomike si dhe për ngecjen e proceseve integruese, duke kritikuar politikat virtuale dhe teatrin nacional që po zhvillohet kohëve të fundit me të cilat Partia Demokratike Shqiptare nuk pajtohet.

Kryetari Thaçi theksoi se PDSH tash më dëshmoi se është opozitë e vërtetë dhe se nuk do të merr pjesë në këtë teatër politik me të cilin nuk zgjidhen problemet në vend, por do të mbështesë çdo nismë institucionale që ka të bëj me avancimin e të drejtave të shqiptarëve, reformave të mirëfillta, si dhe me proceset integruese të vendit.

Thaçi konstatoi se avancimi i vërtetë i të drejtave të shqiptarëve, ndarja e drejtë dhe proporcionale e buxhetit të shtetit, reformat e mirëfillta, si dhe integrimi i vendit në strukturat euro-atlantike arrihen vetëm nëpërmjet demokracisë konsensuale me parlament dy dhomash.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button