Dy dekada “reformim” të pasuksesshëm të sistemit arsimor, shqiptarët mbeten në vendnumëro

Diskriminimi financiar ndaj shkollave shqiptare, mangësia e paraleleve në gjuhën shqipe dhe mbingarkimi i tyre, gabimet e shumta gjuhësore dhe kontekstuale të teksteve shkollore dhe përzierja e politikës në përzgjedhjen e kuadrove, këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet arsimi shqip që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë. Reformat dy-dekadëshe nuk kanë arritur rezultatin e duhur, ligjet janë retrogradë ndërsa shqiptarët vlerësojnë se sistemi arsimor nuk është i përshtatshëm për to, shkruan Portalb.mk dhe Mkd.mk.

Versionin në gjuhën maqedonase mund ta lexoni: KËTU

Sipas një hulumtimi të Institutit për Hulumtime Sociologjike dhe Politiko-Juridike, shqiptarët në përqindje më të madhe në krahasim me etnitetet tjera në Maqedoni, vlerësojnë se sistemi arsimor nuk është i përshtatshëm apo është i keq. Sipas anketës së realizuar, 20.7% e shqiptarëve thonë se arsimit në Maqedoni i duhen reforma serioze, ndërkaq vetëm 10.2% e maqedonasve dhe etniteteve tjera vlerësojnë se arsimi nuk është cilësor.

Sulejman Rushiti
Sulejman Rushiti

Sipas ish ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti, reformat në arsim kanë pësuar ndërhyrje arbitrare për nevoja partiake dhe për politikave ditore.

“Duke marrë parasysh që arsimi shqip trashëgoi një situate të pavolitshme që nga koha e ish Jugosllavisë, është përballur me animozitetin e skajshëm dhe me majorizim, arsimi shqip është më i prekur nga kapja e shtetit. Akoma kemi shkolla fillore me kushte mesjetare, akoma nxënësit shqiptarë detyrohen të mësojnë maqedonisht , Universiteti i Tetovës diskriminohet financiarisht ndërsa vazhdon farsa me Universitetin Nënë Tereza. Arsimi duhet të vendoset në binare me një strategji nacionale e cila duhet të jetë kompatibile me zhvillimet evropiane”, vlerëson Rushiti.

Veterani i arsimit shqip në Maqedoni, Avzi Mustafa, vlerëson se në Maqedoni, çështja e arsimit nuk shikohet me përkushtim dhe motivim të madh, por me anë të ligjeve dhe dhunës.

Avzi Mustafa
Avzi Mustafa

“Të gjitha këto ligje që janë sjellë dhe po sillen, gjoja se po bëhen ndryshime na kanë sjellë që të mos dimë që ta gjejmë rrugën e vërtetë për të mos dalë nga ky qorrsokak që në Maqedoni me dekada po vepron. Si duket , këtu po bëhet një garë se cili ministër që vjen në këtë dikaster do të sjellë diçka të veten, a në fakt ato po e fundosin edhe veten edhe arsimin në skëterrën e gremisë thellë e më thellë. Ky shtet nuk do të ndihet bashkëfajtor për shkatërrimin e arsimit dhe ato të japin dijen duke sjellë analfabet me diploma apo zëvendësimin e surrogatëve që bredhin selive të partive. Këto ligje nga pushteti shtiren se gjoja duhet të zgjedhin probleme, por të gjitha këto qartë shihen se dëshirojnë të flasin me gjuhën e biznesit qeveritar që ka për qëllim për të cilin trumbetojnë. Kur bëhet fjalë për sjelljen e ligjeve të pa menduara mirë, pa analiza, pa afatizime dhe pa gjetur rrugët e përshtatshme, nuk mund të japin rezultatet e duhura. Kjo ndodhë shpesh në arsimin tonë duke sjellë ligje në shpejtësi, pa dialog të hapur konstruktiv dhe pa diskutim të argumentuar të të gjithë pjesëmarrësve, pra arsimtarëve, profesorëve, prindërit, nxënësit apo studentët”, vlerëson Mustafa.

Problemi i parë, sidomos në zonat rurale shqiptare janë objektet e shkollës,  diskutabile është cilësia e kuadrit arsimor, sepse gjithnjë e më tepër punësimi bëhet na baza partiake, për këtë duhet që Enti për Punësim të funksionojë si duhet dhe të bëjë selektimin dhe përndarjen e kuadrove nëpër shkolla.

Ajtene Qamili
Ajtene Qamili

“Edhe plan-programet arsimore kanë ende mangësi dhe zbrazëtira, të cilat duhet të përmirësohen duke u mbështetur në përvojat e deritanishme empirike. Për mendimin tim, problem janë tekstet shkollore të paunifikuara, sepse prodhojnë kuadro me njohuri të larmishme, prandaj sugjeroj të unifikohen dhe veç kësaj, të lekturohen dhe redaktohen, jo vetëm gjuhësisht, por edhe për nga përmbajtja nga profesionistë me përgjegjësi e jo vetëm sa për formalitet. Si problem të rëndësishëm e shoh edhe lejimin e secilit nxënës të regjistrohet në secilën shkollë të mesme, pavarësisht aftësive dhe shkathtësive që ka. Mendoj se duhet që nxënësit të klasifikohen sipas suksesit, shkathtësive dhe aftësive që kanë në profile përkatëse e me këtë të shtohen drejtimet e zejtarisë dhe artizanateve nëpër shkollat e mesme, që të mos bëhet hiperproduksion i disa profileve, kurse në anën tjetër të kemi mungesë kuadrash të profileve të tjera”, vlerëson profesoresha universitare, Ajtene Qamili Qamili.

Gazetarja e cila shpesh merret me çështjen e arsimit shqip në Maqedoni, Laura Papraniku, thotë se arsimi vuan nga mungesa e reformave te mirëfillta, ndërkaq është ende më i ngarkuar me probleme kur është në pyetje në ai në gjuhën shqipe.

Laura Papraniku
Laura Papraniku

“Politikat diskriminuese, fatkeqësisht nuk kanë marrë fund ende dhe për këtë flet dibalanci në objektet shkollore, mungesa e paraleleve shqipe dhe mohimi i të drejtës për arsim në gjuhën amtare (vetëm në Shkup p.sh. nuk lejohen paralele nga klasa e gjashtë – Idrizovë, nuk sigurohen mësues shqiptarë – Gjorce Petrov, mësohet si në mesjetë – Karposh, pa folur pastaj për Manastirin ku nuk janë formuar ende paralele shqipe në shkollata e mesme, apo për gjimnazin e Velesin ku kanë vetëm një profesorë shqiptarë, e kështu me radhë). Edhe atje ku mund të duket se politika diskriminuese ka vepruar më pak, në Dibër për shembull – nuk është kështu. Për objektin e gjimnazit i cili u lëshua në përdorim në shtator të vitit të shkuar MASH nuk ndau as edhe një denarë. Për kushtet e shkollave, tabloja nuk është vetëm bardh e zi. Mirëpo, pjesa dërmuese e shkolla të mbingarkuara me nga 2 000 e 3 000 nxënës gravitojnë te shqiptarët. Në Kumanovë, kemi ende shkolla shqipe në varësi të shkollave maqedonase edhe pse kanë numër më të madh nxënësish se “shkollat amë”, thotë Papraniku

Nga ana tjetër, këshilltari Shtetëror në MASH, Safet Neziri, thotë se sistemi ynë arsimor gjatë kohë gjendet në udhëkryq për sa i përket reformave cilësore dhe orientimi jonë kah vlerat pozitive reformuese.

Safet Neziri
Safet Neziri

“Reformat e shumta shpeshherë e kanë dëmtuar rrjedhojën e proceseve pedagogjike dhe arsimore. Jo rrallë herë më së tepërmi janë goditur shkollat dhe paralelet me mësim në gjuhën shqipe për shkak mungesës së kushteve për zbatimin e këtyre reformave (numri madh i nxënësve nëpër paralele, mungesa e hapësirave të mjaftueshme, mungesa e mjeteve didaktiko-pedagogjike etj.) Nëse flasim për kushte se si zhvillohet procesi edukativo-arsimor gjithçka është relative. Vendbanimet mes veti kanë dallime të mëdha, në kuadër të një komune ka dallime sa i përket zhvillimit të arsimit e të mos flasim për më gjerë. Veçanërisht ka ardhur në shprehje procesi me mësim në gjuhën shqipe, se atje mësimi për dallim nga të ,,tjerët,, zhvillohet me vështirësi të mëdha sepse numri i nxënësve është mbi 30 veta nëpër paralele për dallim tek shkollat me mësim në gjuhën maqedonase, turke, boshnjake, serbe etj. është dukshëm më i vogël, atje numri sillet më pak se 20 nxënës në paralele. Si rezultat i këtyre ,,numrave,, vijnë në shprehje kualiteti dhe rezultatet e punës. Gjithashtu vjen në shprehje dhe vjetërsia dhe amortizimi i mjeteve dhe veglave didaktike, mungesa e laboratorëve, kabineteve për mësim praktik dhe mungesa e librave për disa lëndë profesionale etj. Të gjitha këto dhe shumë faktor ndikojnë në krijimin e kushteve optimale për një arsim më cilësor”, vlerëson Neziri.

ÇFARË THONË ARSIMTARËT DHE PROFESORËT PËR GJENDJEN E SISTEMIT ARSIMOR?

Problemet e arsimit shqip në gjithë qytetet ku ka nxënës shqiptar fillojnë që nga koncepti dhe vazhdojnë me problemet me institucionet, hapësirat ose objektet, sociale-ekonomike dhe probleme në kuadrin profesional arsimor. Ekonomia e dobët nuk mund të stimulojë arsim cilësor, ndërkaq kërkesa e tregut të punës nuk përputhet aspak me shkollimin adekuat të shekullit të ri.

Abil Baush
Abil Baush

“Nuk flasim vetëm për çështjen konceptuale pasi që edhe pala maqedonase e ka të njëjtin koncept, por te ne është diçka tjetër. Për shumë vite e kemi imagjinuar si fajtor dikë, përpara e kemi fajësuar për diskriminim shtetin, pasi që kemi pasur paralele të stërngarkuara nëpër shkolla. Sipas Entit për Statistika në gjuhën maqedonase ka rreth 7000 paralele, ndërkaq në atë shqipe rreth 3500, pra është një me dy. Nga ana tjetër në Shkup, arsimi i ka tre shkolla të mesme që udhëhiqen nga drejtorë shqiptarë, dy shkolla të pastra shqiptare dhe një shkollë tjetër e përzier shqip/maqedonisht, ndërkaq 23 shkolla në Qytetin e Shkupit ke shumë pakë paralele shqip, një, dy apo tre katër, të cilat edhe ato nuk janë të organizuara mirë. Pra, nuk ka organizim. Te pala maqedonase ka paralele të cilat bëhen edhe me 19 nxënës, ndërkaq te ne janë të stërmbushura. Në aspektin konceptual, sipas planit zhvillimor, kur flasim në nivel shtetëror, në shkollat profesionale ne nuk kemi kuadër dhe atë mungesë të kuadrove mundohemi që ta zëvendësojmë me shqipfolës që nuk është adekuat për lëndën e caktuar. Ministria kur nuk mundet të zgjedhë probleme fundamentale të shqiptarëve, është faji i atyre”, thotë zëvendësdrejtori i Shkollës së Mesme të Shkupit “Zef Lush Marku”, Abil Baush.

Për profesorin e Shkollës së Mesme Teknike “Nace Bugjoni” – Kumanovë, Fatri Saliu, arsimi shqip në Maqedoni është refleksion i sistemit politik që mbisundon në vend.

“Kemi hiperprodhim të të diplomuarve në sferat shoqërore dhe diametralisht shumë pak orientim në prodhimin e të diplomuarve në shkencat teknike. Nga ana tjetër shkollimi fillor dhe veçanërisht ai i mesëm, lëngojnë në adaptimin ndaj kohës së re, në të cilën metodat vizuele dhe praktike ende janë të largëta për nxënësin tonë. Shkollimi i mesëm obligativ edhe përskaj dobësive evidente, duhet të reformohet rrënjësisht duke i dhënë më shumë hapësirë njohurisë praktike të diturive të kohës së sotme. Kthehemi te politika, mjetet e dedikuara për arsim nuk shpërndahen proporcionalisht, por në bazë të hapësirës që ato shkolla i posedojnë. Kjo në mënyrë sistematike në Kumanovë p.sh. diskriminon nxënësit shqiptarë ndaj atyre maqedonas pakrahasimisht shumë. Mund të jap edhe shembuj konkret, por le të jetë ky një detaj përshkrues, SHMTK “Nace Bugjoni” në Kumanovë ka përafërsisht mbi 150 nxënës shqiptarë më shumë se sa nxënës që mësojnë në gjuhën maqedonase (rreth 1100 – 950), por hapësira e pjesës maqedonase e tejkalon hapësirën shkollore të pjesës shqiptare shumëfish. Rrjedhimisht edhe mjetet që u dedikohen janë shumëfish më të mëdha. Kjo është një diskriminim klasik sistemor. Edhe me shkollat tjera ekzistojnë problemet e ngjashme, të cilën gjë Ministria e Arsimit mund ta rregullojë sa çel e mbyll sytë, nëse ka vullnet politik nënkuptohet”, thotë Saliu.

Klasë
Klasë

Arsimtari i Shkollës Fillore “Istikball”-Tetovë, Imerja Ademi, vlerëson se arsimi shqip në Maqedoni përballet me shumë problem të mëdha duke u nisur nga objektet shkollore, tekstet mësimore, mjetet e ndryshme mësimore dhe shumë problem të tjera.

“Nëse do flasim per shkollat fillore në Tetovë problemet janë shumta, shkollat ballafaqohen me mungesë të klasave, kabineteve laboratorëve etj. Nxënësit edhe sot e kësaj dite mësojnë nëpër bodrume ku ballafaqohen me lagështinë e madhe dhe me hapësira shumë të ngushta që janë jashtë standardeve. Inventari nëpër klasa (bankat karriget) akoma janë ato që kanë qenë para 50 viteve. Kjo gjë nuk është evidente në shkollat maqedonase. Ndarja e gjimnazit të Tetovës në dy subjekte është një gabim shumë i madh, sepse kjo nuk është një zgjidhje e përhershme. Nga ana tjetër në Maqedoni ka shumë komuna maqedonase shumë herë më të vogla se Komuna e Tetovës ku janë themeluar shkolla të mesme, të cilat nuk i plotësojnë kushtet për themelimin e shkollave të mesme pasi kanë më pak se 16 paralele për katër vite gjë e cila bie në kundërshtim me ligjin për themelimin e shkollave të mesme. Unë mendoj se Ministria e Arsimit, qofshin ministrat shqiptarë apo maqedonas nuk kanë vepruar njëlloj me shkollat shqipe siç veprojnë me shkollat maqedonase”, thotë Ademi.

Arsimtarja e Shkollës Fillore të Dibrës, “Penestia”, Valbona Jani, vlerëson se reformat në arsim janë bërë për një qëllim të mirë, por sipas saj ata që i kanë bërë, kanë harruar se nuk ka kushte për këto reforma.

Valbona Jani
Valbona Jani

“Flas për kushtet se shkollat janë të pa renovuara nuk kemi mjete për këto reforma, arsimtarët vetë mbledhim mjete duke filluar nga fletat e bardha e deri ne mjetet me eksperimente që na kërkohen.
Mendoj qe shteti kur të bën reforma më së paku dy apo tre vite përpara duhet t’i njoftojë arsimtarët apo t’i pajis me mjete dhe njohuri për këto reforma. Problemi është se te ne fëmijët pajisen me libra në fund të vitit shkollor ose gjysma kanë gjysma jo ose fletore të punës nuk ka mjaftueshëm. Si mendoni ju, si t’i ndajmë nxënësit, kjo ndodh te paralelet shqipe. Unë si arsimtare nuk kam një doracak shtesë që ta zhvilloj mësimin, këto mendoj se janë themelore. Përkthimet e librave janë me shumë gabime, pse mos e kemi të njëjtën abetare si në Shqipëri dhe Kosovë. Ditari elektronik mendoj që është i kot, vetëm se na kanë bërë si administratorë, tërë ditën shkruajmë, në vend që të merremi me nxënësit”, thotë, Jani.

Për arsimtaren e Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, të fshatit Serbicë të Kërçovës, Arzije Xhelili, arsimi shqip në Maqedoni, përballet me shumë probleme, duke filluar që nga librat e deri te reformat të cilat, sipas saj, nuk janë adekuate.

“Fillimisht përballet me problemet me librat, ata vijnë plot me gabime. P.sh. libra e lëndës së shoqërisë, nuk ka asnjë lidhje me shqipen, gjithçka mësohet për maqedonasit. Gabimet mund të llogariten si nga aspekti drejtshkrimor, por edhe nga ai kontekstual, duke i shtrembëruar madje edhe faktet. Duhet të hiqet testimi ekstern dhe intern, për arsye se për një ditë apo 60 minuta nuk mundet që të vlerësohet një nxënës. Ne e vlerësojmë për tërë vitin, ndërkaq ata e vlerësojnë për 60 minuta. Përveç kësaj, edhe pyetjen i japin me plotë gabime. Ka pyetje madje edhe në maqedonisht që s’kanë lidhje me shqipen. Programet e Kembrixhit janë katastrofë, pasi që nuk përputhet askund materiali. P.sh nxënësit e klasës parë kur të vijnë duhet të dinë të shkruajnë, të numërojnë deri më 100, pra kyçemi që ditën e parë me mësime në matematikë gjuhë shqipe etj. Niveli i nxënësve nuk është për ato libra. Çështja administrative te ditarët elektronik nuk është në rregull pasi që është shumë ngarkesë, përndryshe është shumë e mirë nga çështja e informimit të prindërve. Jam e mendimit që duhet të ketë një ditarë, pra ky i rregullti të largohet dhe të ngelet vetëm ai elektronik”, vlerëson Xhelili.

klasë

ÇFARË THONË NXËNËSIT PËR ARSIMIN SHQIP NË MAQEDONI?

Kryetari i Lidhjes së Nxënësve Shqiptar (LNSH) dhe nxënësi i Shkollës së Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov” – Shkup, Amar Rexhepi, thotë se problemet aktuale me të cilat ballafaqohet arsimi shqip, sipas tij, janë të natyrës së njëjtë gjatë gjithë periudhës që nga pavarësia e Maqedonisë.

Amar Rexhepi
Amar Rexhepi

“Sot e sot, kemi mungesë të literaturës apo teksteve shkollore në gjuhën shqipe, të mos flasim që edhe ato pak që janë, janë përplot me gabime. Pastaj, arsimi i lartë në vazhdimësi është i diskrimunuar me ligjet që ky pushtet aktual nxjerr gjoja në dobi të këtij segmenti arsimor p.sh. ligji për financimin e universiteteve ku dukshëm shihet diskriminimi që i bëhet Universitetit Shtetëror të Tetovës, ligji për administratorët ku lirshëm mund të themi përparësitë për vende pune kanë ato që kryejnë arsimin e lartë në universitetet maqedonase etj. etj. Përveç këtyre, janë të dukshme edhe kushtet me të cilat ballafaqohet arsimi shqip: mungesa e hapësirave, mungesa e kuadrove cilësor e tjera. Duke u nisur nga mungesa e teksteve deri në ato të kushtet që janë elementare për zhvillim të procesit të arsimit. Ju dhe opinioni jeni dëshmitar se kushtet janë si në shekujt e mesjetës duke u nisur nga mungesa e kabineteve adekuate mësimore, mungesa hapësirave të zhvillimit të praktikës mësimore, mungesa e sallave të sportit e të ngjashme. Mendoj që nevoja për zhvillim të arsimit shqip më tepër do angazhim sesa fjalë”, thotë Rexhepi.

Ajlin Maliqi
Ajlin Maliqi

Ajlin Maliqi nga Gjimnazi i Strugës, “Ibrahim Temo”, vlerëson se ka një sërë problemesh me të cilën ata përballen vetë si nxënës, duke filluar që nga testimi ekstern.

“Ka shumë probleme, megjithatë do të kisha filluar me testimin ekstern, matura shtetërore dhe mungesa e mjeteve për praktikë që të mbahen disa lëndë të caktuara. Kushtet në të cilat zhvillohet procesi arsimor në shkollat e Maqedonisë janë të papërshtatshme, p.sh. ka mungesë të laboratorëve të fizikës dhe kimisë dhe pos kësaj mungojnë edhe një numër i madh i librave”, thotë Maliqi.

Nxnësi, Arif Limani ngaShkolla e Mesme Teknike “Nace Bugjoni” – Kumanovë, drejtimi i mjekësisë, thotë se jo të gjitha etnitetet në Maqedoni i kanë kushtet e njejta.

“Arsimi shqip në Maqedoni përballet me problematika të shumta. Si primare shumë sinqerisht mund të potencoj se është çështja e objekteve ku zhvillohet procesi edukativo arsimor.

Arif Limani
Arif Limani

Po flas konkretisht duke u nisur nga shkolla ku unë zhvilloj mësimin, sepse me të vërtetë mësojmë në kushte jo normale në të cilat nuk mund të zhvillohet në mënyrë normale procesi arsimor, sidomos drejtimi i mjekësisë ku mësojmë në të ashtuquajtura ‘baraka’ , me ambient tejet të vogël në krahasim me numrin e nxënësve.Edhe përkundër premtimeve boshe për ndërrim të lokacionit ende nuk ka asnjë rezultat në këtë aspekt. -Pastaj mund të flas për mungesë të sallave sportive, ku nxënësit mund ta shfaqin aktivitetin e tyre sportiv. Sporti me të vërtetë është gjysma e shëndetit mirëpo për fat të keq tek ne nuk kemi ku ta zhvillojmë atë. Mungesë e bibliotekave dhe leximoreve dhe mungesë e një punëtori të rregullt-bibliotekari ku do ta zhvillonte punën e tij në ambientet paraprake mjaft të nevojshme për nxënësit. -Mungesë e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Shumë e shumë probleme tjera, gjë që për ti cekur të gjitha do të më duheshin fletë të tëra, gjë që mjaftojnë vetëm këto që mos ta shfaq më tepër frymën negative”, thotë Limani.

Ky shkrim është botuar në bashkëpunim mes Portalb.mk dhe Mkd.mk me ndihmën e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shkup.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button