“Monstra” dhe “Sopoti” assesi të bien në duart e Speciales

Rastet “Monstra” dhe “Sopoti”, ende nuk po arrijnë në duart e Prokurorisë Speciale, pasi që në njërën anë nuk është votuar ligji për dëshmitarët e mbrojtur dhe nga ana tjetër, Këshilli i Prokurorëve nuk i jep, njofton Portalb.mk.

“Sjellja e ligjit për dëshmitarët e mbrojtur dhe ndryshimet që ne i kërkuam, janë kyçe për shumë lëndë, në mesin e të cilëve janë “Monstra” dhe “Sopoti”, tha prokurorja e PSP-së, Lençe Ristovska.

Ajo njoftoi se lënda “Sopoti” është kërkuar nga Këshilli i Prokurorëve, por ata nuk kanë ndonjë përgjigje konkrete.

“Ne e kemi kërkuar lëndën “Sopoti nga Këshilli i Prokurorëve, ne kemi formuar procedurë parahetimore dhe tani kryejmë disa kontrolle në bazë të bisedave të përgjuara të cilat i kemi. Ende nuk kemi përgjigje nga Këshilli i Prokurorëve Publik”, tha Ristovska.

“Monstra”

Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.

Familjarët e të burgosurve për rastin ‘Monstra’ 1 majin  e vitit 2012 e kujtojnë si një ndër ditët më të këqija të jetës së tyre, pasi që trauma e aksionit policor të zhvilluar para pesë viteve ende nuk ka kaluar.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Sopoti

Rasti i “Sopotit” është që nga viti 2003, kur gjatë eksplodimit të një mine në afërsi  të Sopotit humbën jetën dy ushtarë polak dhe një civil.

Për këtë rast u gjykuan 10 banorë të fshatit Sopot me gjithsej 140 vite burg, shumica e të cilëve vuajtën nga shtatë vite burg, kurse tani ndodhen në liri me detyrim paraqitjeje çdo javë në gjykatë.

Nga materialet e përgjuara të publikuara nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, dëgjohet se si ish ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska dhe ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, diskutojnë për rastin në fjalë dhe thonë se të akuzuarit pafajsisht janë burgosur.

Në një bisedë tjetër telefonike dëgjohet se si deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së në Kuvend, Ilija Dimovski, ka kërkuar nga Gordana Jankullovska dhe prokurori Marko Zvërlevski paraburgim për bashkëqytetarët e tij në procesin gjyqësor “Sopoti”, në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Gjykatës. Dimovski kërkoi nga Jankullovska ta detyrojë Marko Zvërlevskin dhe të caktojnë burgim, pa e respektuar gjykatën dhe prezumimin e pafajësisë.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button