Në Tetovë të gjithë dëshirojnë te kenë shitore, por…

Frekuenca e lartë e njerëzve në Tetovë, si qytet rreth të cilit gravitojnë rreth 300 mijë banorë, është motivi më i shpeshtë që disa të vendosin të fillojnë ndonjë lloj tregtie. Numri i lartë i shitoreve, si karakteristikë e Tetovës, është i dukshëm në një shëtitje të thjeshtë nëpër rrugët e qytetit. Vërtetim për këtë janë edhe treguesit statistikor sipas të cilave, Tetova, pas Shkupit, ka përqendrim më të lartë në kapacitetet shitëse në tregtinë me pakicë, shkruan REL, transmeton Portalb.mk

Nga ana tjetër, në një gjendje të tillë të konkurrencës bëhet e vështirë shitja. Kështu është shembulli i 37 vjeçarit Zharko Nastov, i cili me bashkëshorten e tij hapën butik për gardërobë për femra, por butikun e kanë mbyllur.

“Realisht pak është keq tani. Kanë dalë shumë qendra të mëdha, butiqe më të mëdha, kështu që për butiqet e vogla është më e vështirë. Është problem, për ekzistencën dhe për ata që punojnë që të nxjerrin një rrogë”, tha Zharko Nastov.

Analisti ekonomik Arben Halili shpjegon se hapja e shitoreve shihet si mënyrë që familjet të sigurojnë ekzistencë. Nga kjo, në Tetovë janë hapur shumë shitore, por edhe një numër i madh i tyre më vonë mbyllen.

“Ka dy tregues: nuk mund të gjithë njerëzit të jenë pjesë e administratës së shtetit dhe të tjera – kemi një numër të lartë të kurbetçarëve por ka gjenerata që i kanë të afërmit e tyre këtu dhe mundohen që t’i ndryshojnë këto shprehi. Ata në vend se të dërgojnë mjete financiare në nivel mujor që të mbajnë një pjesë të familjes, e kanë ndryshuar këtë shprehi dhe tani janë më të fokusuar që t’i inkurajojnë njerëzit që jetojnë këtu që ta nxjerrin bukën e tyre, u japin para njëherë për gjithë vjetin në sasi më të madhe që të mund të fillojnë biznes të vogël të mjaftueshëm për fillim”, konsideron Arben Halili.

Numri i shitoreve tregtare nuk mund të ndikojë shumë në ekonominë gjithëpërfshirëse dhe standardin në Tetovë, konsideron Halili. Sipas tij, çelësi është te numri i lartë i kapaciteteve prodhuese.

“Të ardhmen e zhvillimit ekonomik të qytetit dhe të Pollogut, e shoh pikërisht në këtë drejtim, gjegjësisht në hapjen e kapaciteteve prodhuese, në vend se të fokusohemi në tregti dhe shërbime”, tha ekonomisti.

Të dhënat e Entit Shtetëror për statistikë, të marra sipas regjistrimit të zbatuar në tregti në nëntor, thonë se në Maqedoni ekzistojnë mbi 18 mijë subjekte tregtare, ku pothuajse 10% janë në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button