KLERO-NACIONALIZMI

“Jemi tubuar në këtë vend të shenjtë që të fillojmë një vepër të madhe, kthimin e  Maqedonisë maqedonasve. Shpëtoji Zot njerëzit e tu, bekoje trashëgiminë…. Beso në popullin tonë othodoks. Ngadhënje ndaj armikut! Dhe ruaje me kryqin tënd jetëdhënës. Amin!” Këto janë sekuenca nga lutja fetare mobilizuese e bërë më 24 shkurt  para Tempullit kyç të Kishës Ortodokse Maqedonase në Shkup, ritual ky religjioz në kuadër të protestave “Amaneti i Maqedonisë”, pjesë e platformës “Të palëkundurit”. Pjesë e propagandës së këtij grupimi ekscentrik mes tjerash është parulla  “Jepe betimin për Maqedoni”, grafitet si “Revolveri dhe kamata!”, brohoritjet “Erdhi koha, erdhi çasti…”, “S’duam tre, s’duam dy, e dua vetëm një gjuhë unë!” Ligjërata e mësipërme shikuar sociologjikisht hyn në kategorinë e klero-nacionalizmit, që nënkupton një nacionalizëm të shtytur nga kleri, një primitivizëm të mendësisë (Grahovac) që implikon nxitje për dëbim dhe vrasje, një botëkuptim shpërfaqjet e të cilit tanimë i kemi parë në trojet e ish Jugosllavisë, një pikëpamje të ngurtë plot urrejtje dhe ultrakonservatore. Ky mentalitet gjithnjë ngjyroset me çmenduri, radikalizëm, kompleksitet, frikë (Ivanković, 2010). Lutja e klerikut para popullatës së tubuar është një shembull tipik i thirrjes për luftë të shenjtë, për kryqëzatë, është një formë e terrorizmit verbal. Klero-nacionalizmi është produkt i fesë të cilën satiristi i njohur anglez Jonathan Swift e ka karakterizuar si antintelektualizëm dhe antifetari: „Kemi aq fe sa na duhet për t’u urrejtur, por pamjaftueshëm për ta dashur njëri-tjetrin“. Sot këto fuqi  të marrëzisë fetaro-ideologjike, ngjashëm sikurse edhe dje, janë qarqe që frikësohen nga mendimi, liria dhe individualizmi.

Pjesë e kësaj çmendurie u bë edhe një organ fetar kolektiv, Sinodi i Kishës Ortodokse Maqedonase, i cili i thirri liderët politikë që “ta ruajnë pozicionin kushtetues të gjuhës maqedonase në territorin e RM-së konform Kushtetutës, si edhe karakterin unitar të shtetit“. Ky organ më tej theksoi nevojën urgjente për „pajtim të ndërsjellë dhe unitet nacional“, „për udhëheqje nga vlerat ungjillore krishtere“. Me këtë deklaratë kisha shkeli mbi parimin e shekullarizmit, që është kategori kushtetutare, i dha ngjyrime fetare politikës shtetërore, faktikisht doli jashtë spektrit të frymës së vet spirituale dhe u fut punët e „cezarit“. Kjo zallamahi politike e ngatërruar me antikulturë fetare nuk është risi. Ajo ka një histori, i prijnë figura të papërgjegjshme, siç ishte rasti i Boban Mitevskit, profesor në Fakultetin Teologjik Ortodoks dhe shef i kabinetit të prijësit të KOM-it, Stefanit, i cili para disa viteve lidhur me kryqin grandioz në lagjen Aerodrom mes tjerash ishte shprehur: “…Gjendja reale në terren tregon se muslimanët po e pushtojnë territorin dhe e shënojnë atë më objekte fetare, madje edhe atje ku realisht nuk kanë popullatë dhe besimtarë. Si përgjigje ndaj kësaj, ne ndërtojmë kisha e kryqe dhe e mbrojmë territorin tonë nga pushtuesit. E mbrojmë territorin që është yni dhe mundohemi që të gjithë besimtarëve t’u sigurojmë kushte që me nder t’i kultivojnë ndjenjat e tyre fetare” (plusinfo.mk) Këtë karakter kishte edhe ndërtimi i kryqit të madh 51-metërsh para kullave të “Xhevahir Holding”-ut, simbol ky “donacion” nga Kongresi Botëror Maqedonas, për të cilin kryetari i tij thotë se është legjitimim i maqedonasve, duke shtuar ata kanë të drejtë ta shënojnë hapësirën e vet etnike. Mitevski investitorin turk e kishte cilësuar si “kompani muslimane”, kurse për kryqin kishte pohuar se do t’i pengonte muslimanët që të vendoseshin në një hapësirë krishtere.

Lëvizjet e fundit dhe këto të këtyre ditëve në Maqedoni flasin për tendencat e një hegjemonie klero-nacionalonaliste, për një „oligarki klero-nacionaliste që e ushqen vetëveten, që me mendjemadhësi kujton se edhe populli edhe shteti ekzistojnë për të“ (Kadrić). KOM-i, si „nënë shpirtërore“ dhe VMRO-DPMNE si pater politicus, si binom i pashkëputshëm po përhapin një ligjëratë dhe politikë që e shpërfill realitetin multikulturor të vendit, shoqërisë dhe shtetit, udhëhiqen nga një imagjinatë moniste, kanë një vetëperceptim të dominusit të padiskutueshëm, dhe mundohen që të manipulojnë masat e gjera me të gjitha metodat e mundshme. Pretendimi për qeverisje sipas vlerave ungjillore është qasje teokratike dhe mesjetare, prekëse për qytetarët shqiptarë-muslimanë të këtij vendi, për të gjitha përkatësitë jokrisriane, është deprimues për ardhmërinë e këtij vendi. Pasojë e qëndrimeve të tilla janë edhe sulmet ndaj simboleve islame si ai ditë më parë ndaj shamisë-studentes Sumeje në sheshin e Shkupit („shqiptarë të ndyrë, terroristë të mallkuar“, „ky është vend kristian, një ditë do t’ju dëbojmë këtej“), një frymë e përgjithshme e fobisë ndaj tjetrit nacional dhe religjioz.

S’do mend se në mesin e grigjës që ndjek KOM-VMRO-së ka edhe njerëz me bindje por një pjesë e madhe e tyre janë të manipuluar nga „kisha dhe partia“. K. Lorenz-i manipulimin e njerëzve e trajton si një ndër tetë mëkatet vdekjeprurëse të njeriut të qytetëruar (civilized man’s eight deadly sins), dhe mendon se rreziku nga “shpëlarja e trurit” nuk është zvogëluar, sadoqë është rritur numri i atyre që janë të vetëdijshëm për këtë rrezik. Siç thotë Shushnjiq gjuha është armë fjalësore. Nga gjuha sot mund të lexohet ajo që nesër do të ndodhë në të vërtetë: „pastrimit etnik të hapësirës i paraprin pastrimi etik i gjuhës“, degradimi i gjuhës. „Fotografinë më të saktë për një bashkësi më tepër mund ta fitojmë nëse e njohim ligjëratën dhe gjuhën e saj se sa nëse e njohim kushtetutën dhe ligjet që bazohen në të. Marrëdhëniet mes dy bashkësive pasqyrohen në gjuhë: marrëdhëniet mes tyre njihen në raportet mes fjalëve!“ Gjuha e klero-nacionalistëve flet për një patologji sociale. Lidhja mes ekskluzivizmit, homogjenizimit nacional, religjiozitetit të theksuar dhe indoktrinimit flasin për një gjendje alarmante në një shoqëri multikultuore fragjile siç është Maqedonia. Shkalla e pasioneve klero-nacionaliste rritet („pragu“, „mbrojtja“, „vija e verdhë dhe ajo e kuqe“, „nata e thikave“, „me të gjitha metodat“), stabiliteti dhe ekzistenca e shtetit rrezikohen si kurrë më parë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button