Misajllovski: Mjete për Hekurudhën ka por nuk mund të paguhen derisa zgjat greva

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në buxhetin e saj ka 10 milionë euro në dispozicion për Hekurudhat e Maqedonisë, por nuk ka mundësi ligjore t’i paguajë derisa ndërmarrja nuk punon, deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajllovski pas vizitës së sotme në Agjencinë për Kadastër të Patundshmërive, njofton Portalb.mk.

“Për t’i marrë paratë HM transport dhe HM infrastruktura duhet të punojnë. Gjithçka që do të përfitojnë gjatë muajit duhet ta faturojnë deri te Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa Ministria t’i paguaj menjëherë të gjitha mjetet, pasi që ato janë shpenzime operative që i mbulon Qeveria. Atë që e kanë si përfitim apo të ardhurash të kompanisë mbeten atje, por për t’i faturuar të gjitha shpenzimet operative dhe humbjet duhet të punojë”, tha Misajllovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.

Theksoi se për shkak të 70 deri 80 personave të cilët e pengojnë punën nuk ka mundësi Ministria t’ua ndajë mjetet dhe sqaroi se Qeveria në seancën e kaluar i ndau 70 milionë denarë shtesë për HM.

“Kjo do të thotë se në nivel mujor HM transport drejtpërdrejt do të marrë më shumë mjete të cilat do t’i sistemojë drejt dy kompanive, por kushti i vetëm është të fillojnë me punë. Ministria nuk ka mënyra ligjore se si t’i paguaj paratë nëse nuk punon dikush. Kjo do të thotë shkelje e Buxhetit dhe shfrytëzim i pabazë i mjeteve. Prandaj ju bëj thirrje të punësuarve të kthehen në vendet e tyre të punës dhe të fillojnë me punë. Mjete në Buxhet ka dhe të gjitha do të paguhen, pasi që janë me dedikim dhe nuk mund të harxhohen për asnjë aktivitet tjetër”, potencoi Misajllovski.

Sot, siç tha, ka biseduar edhe me drejtorin e ri të HM transport dhe me drejtorin e HM infrastruktura me të cilët kanë kërkuar zgjidhje se si më shpejtë të punësuarit t’i marrin të gjitha mjetet e mbetura.

Ministri i Transportit dhe lidhjeve përkujtoi se HM ka marrëveshje pune me shumë kompani dhe se kanë mundësi për shumë punë. Nëse, shtoi, i përpunojnë marrëveshjet do të kenë mjaft mjete në dispozicion, por nëse nuk punojnë një pjesë e kompanive mund të shtrojnë padi dhe të kërkojnë kompensim me çka do t’i shkaktojnë dëm ndërmarrje dhe shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button