Kandidati i Trump për Sekretar të Flotës tërhiqet nga kandidatura

Philip Bilden, kandidati i presidentit amerikan Donald Trump për postin e Sekretarit të Flotës Amerikane, është tërhequr nga kandidatura, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, përmes një deklarate me shkrim ka bërë të ditur se Bilden është tërhequr nga kanditatura.

“Ky ishte një vendim personal i nxitur nga shqetësimet e privatësisë dhe sfida të rëndësishme me të cilat ai përballej në ndarjen e tij nga interesat e tij të biznesit. Edhe pse jam dëshpërurar, e kuptoj dhe e respektoj vendimin e tij. E di se do të vazhdojë t’i shërbejë kombit tonë në mënyra të tjera. Teksa presidenti realizon vizionin e tij për ndërtimin e ushtrisë sonë, unë presidentit Trump do t’ia rekomandoj një lider i cili do ta administrojë Flotën dhe Forcat Detare”, ka thënë Mattis në deklaratën e tij.

Nga ana tjetër, Bilden, në një deklaratë të Departamentit të Mbrojtjes, citohet të ketë thënë se “Pas një procesi të gjerë shqyrtues, kam vendosur që unë nuk do të jem në gjendje të përmbush kushtet e Zyrës së Etikës së Qeverisjes pa probleme dhe pa e privuar familjen time nga interesat private financiare”.

Tërheqja e dytë e kandidatëve të Trump

Tërheqja e Bildenit nga kandidatura është konsideruar si plasaritja e dytë në administratën e Donald Trump.

Muajin e kaluar nga kandidatura u tërhoq edhe Andrew Pudzer, kandidati i Trump për Departamentin e Punës. Pas tërheqjes, Pudzer deklaroi se vendimin e kishte marrë pas diskutimeve me familjen dhe të afërmit. Nga ana tjetër, disa zyrtarë theksuan se Pudzer është tërhequr i shqetësuar se nuk do të marrë mbështetjen e mjaftuar nga Senati.

Ndërkaq, pas dorëheqjes së Sekretarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, nënadmirali Robert Haward refuzoi kërkesën e Donald Trump për këtë post.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button