Platforma+reforma=proforma

Duke u nisur nga semantika dhe etimologjia e fjalëve të mësipërme, s’mund të mos japim një sqarim linguistik dhe koment politik të kuptimit të këtyre fjalëve të cilat kohët e fundit i dëgjojmë shumë shpesh dhe të cilat i trazuan shpirtrat e qytetarëve, varësisht nga përkatësia partiake apo etnike.

Fjale ‘platformë’ që burimisht e ka domethënien “politika e deklaruar e një partie politike ose grupi” nuk është diçka e re në kuptimin politik për ata që kanë njohuri gjuhësore dhe juridike, kështu që kjo fjalë mund t’i trazojë vetëm shpirtrat dhe jetët e atyre që nuk e dinë kuptimin e saj fillestar, edhepse  nga ana tjetër, kësaj po i rritet vlera nga politikanët dogmatikë dhe euforikë, të cilët duan t’ia ‘shesin’ popullit sikur po bëjnë ndonjë punë kushedi sa të madhe!

Prandaj, kur e zbulojmë kuptimin e vërtetë të fjalës platformë, s’ka si të mos e parashtrojmë pyejtjen se cila ka qenë  platforma=politika e deklaruar e një partie politike ose grupi, përpara se të vinin deri te platforma aktuale?! A thua vallë s’kanë pasur ndonjë politikë të deklaruar partiake, që tash të na “gëzojnë” aq shumë me një platformë të tillë?! A thua deri tani kanë qenë të zënë me punë të tjera dhe e kanë kuptuar partinë si një shoqëri apo grup biznesi për përfitime afariste të grupit udhëheqës të partisë në fjalë? Apo edhe me keq, kanë qenë në gjumë dhe s’e kanë ditur fare se një parti politike duhet të ketë një politikë të deklaruar për implementimin e së cilës duhet angazhuar apo luftuar pa u kursyer fare?!

Sidoqoftë, asgjë e re në perëndim, nuk është ndonjë arritje e madhe për një parti politike që më në fund, pas një aktiviteti gati 15 vjeçar donkishotist, të “vetëdijesohet” për arsyet e ekzistencës së vet, dhe nuk është për të na habitur fakti, se asaj do t’i duhen edhe ca vite, që t’i përvishet punës për ta zbatuar politikën e vet të deklaruar.

Aq më tepër, kur tanimë është koha që ajo të bëjë “reforma”, gjegjësisht të bëjë ndryshime (në diçka, zakonisht një institucion apo praktikë shoqërore, politike apo ekonomike), për të përmirësuar atë, që e ka prishur dhe degjeneruar vetë me ‘heshtje apo mosveprim’, dhe me pjesëmarrjen e saj pasive në krijimin e politikave shoqërore. Behet pyetja ku qëndron tani kredibiliteti politik dhe ‘besueshmëria” reale dhe logjike se një parti që kontribuoi ne mosbërjen e ndryshimeve në praktikën shoqërore, politike dhe ekonomike, të rishqyrtojë politikat e veta në mënyrë vetëkritike, të kërkojë falje publike për moskokçarjen e vet, dhe të kërkojë edhe një besim për “të përmirësuar” atë që e ka “deformuar” vetë, me moskryerjen e detyrave zyrtare, dhe mosrealizimin e zotimeve të marra përsipër në mandatet e kaluara kot dhe huq?!

Bazuar ne mungesën e konsekuencës në veprimet politike, dhe në kundërthënëshmërine ideologjike të filozofisë së reformistëve, të cilët zakonisht duhet të jenë të tjerët, ata që s’kanë pasur asnjë pikë faji dhe përgjegjësie të mëparshme për dështimin deri tani të reformave të proklamuara, apo për reformat që sollën deri në ‘deformimin’ e sistemit gjyqësor dhe degjenerimin e vlerave të mirëfillta demokratike, të lirisë së shprehjes së mendimit dhe në zëvendësimin e tyre me vlera antidemokratike, autoritare dhe totalitare, të kontrollit politik partiak të të gjitha institucioneve, si në arsim dhe shëndetësi, ashtu edhe në financa dhe ekonomi, që i degjeneroi të gjitha sferat e jetës, me ngufatjen e zërit të inteligjencës, pezullimin e sistemit shumëpartiak me anë të përndjekjes se paskrupullt dhe anatemimit të porositur mediatik  të kundërshtarëve politikë, deri në pezullimin e sistemit gjyqësor, si bastion i fundit i sigurimit të sundimit të ligjit, dhe i mbrojtjes së qytetarit nga keqpërdorimi zyrtar dhe tejkalimi i kompetencave të bartësve të ekzekutivit.

Duke u bazuar në veprimet dhe dështimet e lartpërmendura, mund të vijmë lirisht në përfundimin se platforma politike e një partie që deri dje s’kishte pasur apo s’kishte dashur te dinte për ekzistencën e saj, është e paradestinuar të dështojë në bërjen e “reformave” për përmirësimin e institucioneve dhe sistemit politik në tërësi, dhe rrjedhimisht epilogu i saj në arritjen e ndryshimeve do te jetë proforma, apo formalisht sa për sy e faqe, sa për të shpëtuar fatin e vet politik dhe lëkurën e bartësve të vet politikë nga përndjekja penale dhe dhënia e llogarisë dhe përgjegjësisë politike për stagnimin politik dhe ekonomik të votuesve të tyre të deridjeshëm.

Siç duket, edhe këtë herë, platforma do të mbetet një deklaratë e shkruar në letër, dhe e parealizuar në vepër, nga ata që s’e kanë legjitimitetin politik të flasin në emër të shumicës së votuesve, edhe pse e kanë legjitimitetin legal të numrave në parlament, të cilin me aq forcë ua kontestonin të tjerëve që më parë ishin në po të njëjtën situatë. Hipokrizia në politikë s’ka fund, sepse ajo është fatkeqësisht udhërrëfyesi për politikanët tanë, që definicionin e “partisë politike” e kuptojnë fjalë për fjalë, si një grup njerëzish, që kanë për qëllim marrjen dhe mbajtjen me çdo kusht të pushtetit!

Pragmatizmi material dhe makiavelizmi defetist nuk duhet të jenë ideologjia kryesore e veprimit politik të partive tona, sepse kjo nuk është afatgjate dhe është fataliste për çdo parti politike. Esenca apo përmbajtja duhet të jenë përherë prioritare karshi formës apo formalizimit, sepse reformat esenciale dhe përmbajtjesore përherë fitojnë kundrejt reformave ‘formale’ të atyre që i praktikojnë. Rezultatin e luftës ndërmjet këtyre koncepteve e ka dëshmuar historia, por dështimet dhe humbjen e kohës i ka pësuar shoqëria! Me fat na qofshin reformat nga proformistët, dhe lumë si ne, që kemi ende kohë për të humbur!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button