Elitat politike, e keqja e djeshme dhe e sotme

“Nëse problemi i një krize nuk adresohet saktë dhe nuk ofrohet zgjidhje, kriza rëndom thellohet edhe më shumë. Tashmë askush nuk mund ta mohojë me argumente se kriza politike në vend është pasojë e mosfunksionimit të sistemit politik, i cili lidhet drejtpërdrejt me kushtetutën e vendit dhe sjelljen e lidershipit. Por, pavarësisht nga kjo, aktorët e krizës dhe disa nga pjesëmarrësit në procesin politik po manipulojnë dhe intrigojnë për të përfituar për agjendat e tyre, të cilat janë në konflikt me zgjidhjen e qëndrueshme dhe afatgjate të krizës.

Shteti duhet të Ridefinohet

Funksionimi i sistemit politik të një shteti është në varësi të drejtpërdrejtë nga ndërtimi dhe mishërimi i funksioneve të kushtetutës në përputhje me realitetin etnik, historik, kulturor, ekonomik dhe social të shtetit, që ajo kushtetutë shënon ekzistencën e tij, si dhe nga veprimi kushtetues ose jokushtetues i lidershipit. Te ne të dyja këto shtylla të funksionalitetit të sistemit politik përbëjnë probleme reale të krizës së vendit, si në kuptimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, po ashtu edhe të mungesës së pavarësisë, mungesës së konsolidimit dhe mungesës së efikasitetit të institucioneve dhe të pushteteve. Gjithë kjo ka ardhur si rezultat i problemeve që i ka prodhuar kushtetuta e vendit, me mos mishërimin e të drejtave kombëtare dhe politike të shqiptarëve, si një nga dy kombet më të mëdha të shtetit, por edhe nga veprimet antishqiptare, antieuroatlantike, destruktive, korruptive dhe kriminale të lidershipit dhe drejtuesve të institucioneve të shtetit

Pa pretenduar analizën ne detaje te kushtetutës aktuale te vendit, nga sa kam arsyetuar me sipër, kuptohet se për të funksionuar sistemi politik, i cili do të garantonte barazi të shqiptarëve me maqedonasit, që duhet kuptuar edhe si interes për stabilitet, paqe dhe progres të shtetit të përbashkët, është e domosdoshme të bëhet korrigjimi dhe përmirësimi i saj, pra ridefinimi i shtetit. Kjo mund të arrihet vetëm me një klasë politikanësh shqiptarë, që kanë strategji dhe karakter.

Elitat politike, e keqja e djeshme dhe e sotme

Edhe në periudhën pas Marrëveshjes së Ohrit, elitat politike, akademike dhe fetare maqedonase kanë drejtuar me konceptin e padronit, duke i thelluar edhe më tej ndasitë dhe mosbesimin ndëretnik. Ata kanë gjetur mekanizma dhe terren të përshtatshëm kryesisht te politikanet tanë, nëpërmjet të të cilëve kanë arritur t’i përjashtojnë, shfrytëzojnë dhe kontrollojnë shqiptarët.

Paraqitjet deklarative për avancimin e disa të drejtave të shqiptarëve nga LSDM-ja që para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por ndoshta edhe nga OBRM-ja gjatë bisedimeve me BDI-në për të krijuar qeveri, janë vetëm edhe një mashtrim i radhës, demagogji dhe intrigë politike. Qëllimi parësor i kësaj loje politike ishte që LSDM-ja të përfitonte në zgjedhje nga elektorati shqiptar, që ishte zhgënjyer nga qeverisjet e mëparshme të partive shqiptare, ndërsa pas zgjedhjeve këto parti maqedonase, të detyruara nga diferenca shumë e vogël e sasisë së deputetëve ndërmjet tyre, po përpiqen t’i joshin partitë shqiptare për të përfituar nga ata në intencën se kush do ta krijojë shumicën qeverisëse, por nuk duhet harruar se LSDM-ja e ka edhe interesin e ruajtjes së mbështetjes të elektoratit shqiptar që votoj për atë, edhe për zgjedhjet e ardhshme.

Me zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit të vitit të kaluar nuk pritej të ndodhte ndonjë mrekulli, për shkakun e së cilës politikanët maqedonas do ta ndryshonin mendësinë për ta pranuar ndërtimin e shtetit, në të cilin shqiptarët dhe maqedonasit do të ishin të barabartë dhe do të bashkëqeverisnin në interes të të gjithë qytetarëve të vendit. Prandaj është e kuptueshme se maqedonasit janë të gatshëm të ofrojnë vetëm një avancim jodomethënës të interesave të shqiptarëve, i cili bie në kundërshtim me shtyllën kryesore dhe të patejkalueshme për të ardhmen e shtetit, zgjidhjen e qëndrueshme dhe afatgjate të problemit ndëretnik – barazinë e shqiptarëve me maqedonasit.

Në këto rrethana rruga e vetme që shqiptarët t’i realizojnë interesat që u takojnë është aftësia e tyre për të gjetur mekanizma detyrues, për t’i dhënë fund sjelljes së deritanishme prej padroni të maqedonasve ndaj shqiptarëve. Pjesë e kësaj duhet të jetë edhe ndëshkimi i atyre që i përgatitën dhe realizuan skenarët e vrasjeve, keqtrajtimeve dhe njollosjeve të shqiptarëve. Por, kjo duket e pamundur derisa një pjesë të madhe të skenës politike e kanë zënë politikanët e korruptuar dhe demagogë, të cilët janë të pabesueshëm në mundësinë, vullnetin dhe aftësinë e tyre për të vepruar drejt dhe me përgjegjshmëri.

BDI-ja, e cila si pjesëmarrëse në qeverisje për disa mandate ka dëshmuar sjellje destruktive në raport me Marrëveshjen e Ohrit, disa herë deklaroj se ajo paskësh qenë iniciatore dhe përgatitëse e Deklaratës së Përbashkët të Partive Shqiptare, të cilën rezulton se me intriga e paska servuar nëpërmjet Kryeministrit të Shqipërisë. Kjo deklaratë, siç duket, ka për funksion parësor rehabilitimin dhe rritjen e rejtingut të BDI-së, tanimë të përgjysmuar në zgjedhjet e dhjetorit 2016 dhe të dërrmuar nga vullneti i lirë i elektoratit shqiptar, i cili e legjitimoi Lëvizjen Besa si faktor politik dhe shpresë për shqiptarët e zhgënjyer nga ajo. Me këtë deklaratë, të mbështetur nga të gjitha partitë shqiptare, BDI-ja ka ndërtuar një lojë politike që as do të mund ta arrinte, as do t’i shërbente nëse atë do ta kishte sjellë e vetme. Në këtë mënyrë ajo i shmanget koalicionit me VMRO-ne, manovron per koalicionim me LSDM-në dhe në një fare mase eklipson dhe e lë në hije Platformën Ridefinimi të Lëvizjes Besa, e cila e ka vënë në siklet politiken maqedonase dhe vetë BDI-në. Me këto veprime manipulative ajo përpiqet të krijojë imazhin politik mashtrues për elektoratin, me shpresën e shkretë se kështu do të përfitonte në veçanti në zgjedhjet vendore të pas disa muajve, të cilat janë vendimtare për të ardhmen e saj. Bashkëshoqëruese dhe kartë e kalkulimeve politike të BDI-së në këtë rrugë, me veprimet e saj, rezulton se ka qenë dhe vazhdon te jetë LR-PDSH-ja, që ka mbetur në margjina pas zgjedhjeve parlamentare të para pak muajve.

Për këto arsye të dyja këto parti tashmë janë përqendruar vetëm në zhvleftësimin e kapitalit politik të Lëvizjes Besa, e cila e prishi skemën politike të deritanishme, ku shqiptarët ishin në të gjitha qeveritë e Shkupit, por asnjëherë nuk qeverisën, por i korruptuan, deformuan, tjetërsuan e sakatosën interesat e shqiptarëve. Është e dukshme se Lëvizja Besa, me përcaktimin dhe vizionin e qartë politik për kauzën shqiptare, për të cilën u vlerësua nga votuesi shqiptar në zgjedhjet e fundit parlamentare për vendin, por të parat për atë, është bërë “halë në sy” edhe për politikën maqedonase, por edhe për politikën destruktive shqiptare. Prandaj, goditjet e tyre ndaj saj do të jenë edhe më intensive edhe më të egra.

Sidoqoftë, Besa është shprehur publikisht se e mbështet Deklaratën e Përbashkët dhe do t’i mbështet çështjet në të mirë të shqiptarëve. Ajo asnjëherë nuk do të lejojë që kjo forcë, që tani është morali dhe shpresa e shqiptarëve të zhgënjyer dhe të nëpërkëmbur, të bëhet pre e skenarëve që i ofruan dhe do t’i ofrojnë partitë politike maqedonase dhe politikanët e korruptuar shqiptarë, të cilët e kanë humbur ndjesinë e shqetësimit kombëtar dhe kujdesin praktik për problemet reale me të cilat përballen shqiptarët.

Nisur nga kjo gjendje dhe nga detyrimi kombëtar e politik, Lëvizja Besa me seriozitet dhe vendosmëri të lartë do të ushtrojë përgjegjësinë përfaqësuese që ia delegoi votuesi shqiptar për ridefinimin e shtetit, për shkëputjen nga të korruptuarit dhe dekriminalizimin e politikës e të institucioneve të shtetit me mbështetjen e Prokurorisë Speciale Publike”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button