Një javë grevë, nuk ka zgjidhje për gazetarët e “Utrinskit”, “Vestit”dhe “Dnevnikut”
Gazetarët e “Dnevnik”, “Utrinski”, dhe “Vest” edhe sot pasdite në mënyrë simbolike kanë dalë para menaxhmentit të MPM-së që ta shprehin revoltin e tyre për rrogat e papaguara dhe honorare, njofton Portalb.mk.
Greva tashmë zgjat një javë, ndërsa menaxhmenti i “Media Print Maqedonia” nuk është deklaruar për gjendjen e kompanisë.
Kohës së fundit kishte ndryshime strukturore në deklaratën e kompanisë dhe tani, që kur Jordan Kamçev dhe Jana Stanistaleva u tërhoqen nga MPM-ja, menaxher i vetëm është Sërgjan Kerim.
Ndryshe, greva është në kohë të pacaktuar, ndërsa të punësuarit i kërkojnë rrogat e papaguara. Greva është nën organizim të Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe të punëtorëve të mediave në Maqedoni, ndërsa vendimin e kanë sjell grupet e sindikatave të gazetave ditore “Utrinski Vesnik”, “Dnevnik” dhe “Vest” para dy jave. Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë shprehën mbështetje për kolegët dhe kërkuan nga menaxhmenti i kompanisë që t’i plotësojë kërkesat e bordit të grevës për pagesën e rrogave të papaguara dhe honorareve.