Për 100 vjetorin e lindjes, figura e Musine Kokalarit u nderua edhe në Prishtinë (FOTO)

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalarit, Instituti Albanologjik i Prishtinës organizoi Tryezën Shkencore “Musine Kokalari – në 100 vjetorin e lindjes”, shkruan KultPlus, përcjell Portalb.mk.

Në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës kësaj radhe ishin mbledhur studiuesIT nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, për të folur për jetën letrare dhe artistike të shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalarit.

Gjithë kjo për një rast të veçantë, atë të 100 vjetorit të lindjes së Kokalarit. Në këtë tryezë, për të nderuar shëmbëlltyrën e saj, u prezantuan kumtesa nga studiues të ndryshëm në të mirë të veprës së Kokalarit, e disa prej tyre ishin bashkudhëtarët e jetës së saj, të cilët kanë qenë me të deri në momentet e fundit të jetës së Musinesë.

Në hapje foli Fadil Grajçevci, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, ku në mesin e tyre kishte edhe familjarë të Musine Kokalarit të cilët kishin ardhur nga Gjirokastra për ta bërë më kuptimplotë nderimin për Musinenë, bëri parashtrimin e figurës së plotë të Musine Kokalarit, veprës së saj dhe perspektivës që hapë në të ardhmen për fusha si historia, letërsia e më gjerë, vepra e Kokalarit.

“Pamundësia e leximit dhe e studimit të veprës letrare të Musine Kokalarit, shkrimtares së parë grua në letërsinë shqipe, ka bërë që për një gjysmë shekulli i njërit krahë të letërsisë shqipe të ngecë dhe të mos mund të ndjekë hapin e zhvillimit me letërsitë e tjera në rajon e më gjerë. Lexuesi ynë ende nuk e ka të plotë veprën e saj, sepse përveç veprës së saj që deri më sot e njohim dhe për të cilën janë bërë disa studime edhe pse jo shteruese, ajo ka lënë në dorëshkrime dhe disa mijëra faqe”, ka thënë ndër të tjera Grajçevci, i cili uroi që ky përvjetor i kësaj shkrimtareje të talentuar të jetë nxitje për ndërmarrje sa të guximshme aq edhe të rëndësishme për historinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare, botimin e plotë të veprës së Mosine Kokalarit.

“Vepra e Musine Kokalarit: idetë letrare dhe disidenca”, ishte kumtesa e radhës, e të cilën e solli profesori dhe studiuesi, Sali Bashota. Ai tha se në Kosovë emri i saj, në këto 20 vitet e fundit nuk është i panjohur, por megjithatë nuk është arritur të njihet në plotni vepra dhe veprimtaria e saj, prandaj tryezat e tilla si kjo sot, kanë për qëllim që të njihet në mënyrë sa më shkencore kjo figurë e ndritur.

“Për nga rëndësia e veprave të saj, Musine Kokalari qëndron në grupin e autorëve të afirmuar të vlerave letrare dhe sigurisht vlera që disa prej tyre edhe sot nuk dihen sepse janë të pabotuara. Veprat e saj dëshmojnë për potencialin e saj krijues dhe për afirmimin e një gruaje e cila dilte në opinionin kulturor në Shqipëri me një trajtim tjetër të tematikës të cilin e preferonte ta trajtonte në veprat e saj në përgjithësi”, tha Bashota, i cili tutje fjalën ja dha profesoreshës Mimoza Karagjozi Kore, kjo e fundit kishte ardhur nga Gjirokastra për të lexuar kumtesën “Vepra e Musine Kokalarit – dëshmi etnolinguistike e Gjirokastrës së viteve ’30, memoar i çmuar i ditëve të sotme”.

“Vepra e Musine Kokalarit është një trashëgimi e vyer për të folurën e qytetit të Gjirokastrës, e duke qenë në prozë, tiparet e kësaj të folme dalin më të plota. Nga vështrimi që i kemi bërë veprës së saj, vihet re se në të gjendet trajta arkaike e kjo rrjedhë nga fakti se gjuha e veprës është gjuha e grave gjirokastrite të cilat të paarsimuara dhe të padala nga vendlindja i kanë ruajtur më mirë e të pa përziera këto tipare”, foli kështu për rëndësinë dhe vlerën që Kokolari ja la qytetit të Gjirokastrës.

Ndërsa Arjeta Kokalari kishte sjellë copëza të jetës së Musines që ajo i kishte shkruar gjatë jetës.

Përderisa ajo tregonte për gjithë jetën e Musines, që nga fëmijëria, shkollimi e deri tek burgosja dhe internimi, ajo kohë pas kohe këto ngjarje i tregonte duke lexuar pjesë se si vetë Musineja i kishte përshkruar.
Krejt për fund një kumtesë me titull “Musine Kokalari në dy kohë”, e lexoi studiuesja Meliza Krasniqi, e cila meqë merret me studimin e veprave të Musine Kokalarit, në këtë rast kishte ndarë një shkrim i cili ndanë leximet e Kokalarit në dy kohë.

“Rrëfimi i Kokalarit, është një rrëfim dhe një periudhë ndër më të dhimbshmet dhe më tragjiket, veprën e Musine Kokalarit e kam zbuluar në kursin e letërsisë moderne dhe jeta e saj dhe fati tragjik më tërhoqën për ta lexuar të plotë. Ajo për mua përfaqëson simbolin e intelektuales grua e cila solli në letrat moderne shqipe një ligjërim dhe një zhvillim të ri të pavërejtur më herët”, e vlerësoi kështu studiuesja Meliza Krasniqi figurën e Kokalarit, duke vazhduar tutje të tregonte për vlerësimet që poeti Lasgush Poradeci i bëri veprës së Kokalarit dhe gjithashtu Ibrahim Rugova, i cili mbas pothuajse 40 viteve heshtje për të solli emrin e saj në Kosovë, duke prezantuar kështu 4 tregime të Musinesë në revistën letrare ‘Jeta e Re’.

Në këtë tryezë me kumtesat e tyre folën edhe Ermelinda Kashah: “Si e kam përjetuar unë figurën e Musine Kokalarit”, Hamit Xhaferi: “Musine Kokalari disidente dhe personalitet i shquar në kulturën tonë letrare” dhe Bedri Zyberi: “Dimensioni njerëzor i disidencës së Musine Kokalarit”.

Ndërsa një fjalë përshëndetëse ju fali të pranishmëve edhe Bibika Kokalari

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button