QEVERI A LUFTË?

Maqedonia është në prag të formimit të qeverisë së re. Për një shtet mirëfilli demokratik kjo është fare normale, por jo dhe për vendin e çudirave, ku prijësit despotë me maska demokratësh, që nuk mund ta durojnë humbjen e pushtetit, ftojnë përkrahësit ta pengojnë me konflikt të armatosur kalimin e tij (pushtetit) nga një subjekt politik te tjetri, pavarësisht pasojave që mund të prodhojë një monstruozitet i tillë.

S’ka dyshim se kjo luftë psikologjike i levërdis mendësisë diktatoriale, e cila përpiqet me ankth të vë nën hije problemet e vërteta, që kanë rezultuar me humbjen e besimit të njerëzve në institucionet shtetërore, humbjen e shpresës për të ardhmen, varfërimin e përgjithshëm të popullatës, papunësinë e madhe, ikjen e të rinjëve jashtë shtetit, borxhet marramendëse të mbetura mbi kurrizin e popullit, orientimin e gabuar të vendit herë nga perëndimi e herë nga lindja, stërkeqjen e raporteve ndëretnike, armiqësimin me fqinjët dhe me ndërkombëtarët etj.

Në ballë të këtyre lëvizjeve destruktive është kryetari i deridjeshëm i qeverisë dhe kryetari aktual i partisë më të madhe maqedonase, i cili nuk e pranon përballjen me gjyqin e drejtësisë dhe mundësinë e përfundimit prapa grialave për shkak të keqpërdorimeve të shumta që ia faturon tash e sa kohë Prokuroria speciale.

Për të qenë fatkeqësia komplete, pas tij marshon një armatë e tërë akademikësh, aktorësh, poetësh, shkrimtarësh, filozofësh, profesorësh universitarë, studentësh të keqedukuar dhe njerëzish trushpëlarë, të rritur me paragjykime dhe paranojë antishqiptare, të cilët, në fakt, janë ideatorët e perandorisë grueviste, të ngritur mbi idenë e lashtësisë homerike të një pjese të popullatës së sotme të Maqedonisë dhe mbi antishqiptarizmin e paralajmëruar idiotësisht gjatë kampanjave parazgjedhore dhe veçmas gjatë ekspeditave ushtarako-policore të demonstruara brutalisht dhe përherë vetëm nëpër vendbanimet shqiptare.

Inspirimin e fundit për klithmat pro luftës për jetë a vdekje me “tradhëtarët” maqedonas që guxojnë të bëjnë qeveri me shqiptarët e shpallur armiq të përbetuar të rendit e shenjtë kushtetues, kabilja mjerane akademike e kulturore e gjeti në platformën e partive politike shqiptare, që ka në qendër zyrtarizimin e Gjuhës shqipe në tërë territorin e vendit. Për mendjen e të tillëve, është kjo vija e kuqe përtej së cilës fillon dekompozimi i shtetit nacional dhe biblik maqedonas, federalizimi që do të lindë shtetin e tretë shqiptar në ballkan, makthi që do t’i japë fund ëndrrës shekullore vëmërëoiste për shtetin e tyre utopik si kërthizë e botës.

Në këso rrethanash, kur Ballkani është shndërruar sërish në arenë ku ndeshen intereset e të fuqishmive, donkishotët mbase dhe mund të bëhen shkaktarë tragjedishë të reja, prandaj duhet bërë çmos që të evitohet mundësia e eskalimit të së keqes. Se situata nuk është për të bërë hajgare, flet dhe vënia në lëvizje e diplomacisë perëndimore, që përpiqet të parandalojë kobet eventuale. Pjesë e kësaj preventive duhet të jenë të gjithë qytetarët e vetëdijshëm se, për aq kohë sa shqiptarët angazhohen për të drejtat e tyre legjitime, pa cënuar me asgjë të vetme të drejtat dhe liritë e tjetrit, idetë paskajshmërisht idiote të luftërave të reja ndëretnike janë të papranueshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button