Ja pritjet se si mund të veprojë presidenti Ivanov lidhur me dhënien e mandatit

Pas lëvizjeve të fundit në fushën e politikës në Maqedoni, gjegjësisht pasi që LSDM-ja siguroi nënshkrimet e duhura për mandat, si dhe pas paralajmërimit të liderit të LSDM-së, Zoran Zaev që në mars pritet të formohet qeveria e re, paraqiten dilema rreth asaj se si do të veprojë presidenti Gjorge Ivanov, shkruan Portalb.mk.

Njohësit e çështjeve politike thonë se gjithçka mund të pritet nga Ivanovi, mirëpo që shpresojnë që një gjë e tillë të mos ndodh.

Sipas tyre çdo takim dhe marrëveshje që mund të arrihet është duke u bërë në përputhje me kushtetutën dhe se presidenti nuk mund të gjen ndonjë alibi ose argument të fuqishëm për t’i bërë obstruksion dhe për mos t’i ndarë mandatin Zoran Zaevit.

Ivanov nuk ka alibi dhe as argument për të bërë obstruksion

Kryetari i këshillit euroatlantik, Ismet Ramadani thotë për Portalb.mk se nga presidenti Ivanov gjithçka mund të pritet, pasi që ai disa herë ka dëshmuar që është në shërbim të VMRO-së dhe Nikolla Gruevskit.

“Mund të pritet ndonjë sjellje e këtillë, sepse ai ka dëshmuar se është në shërbim të partisë e cila e ka propozuar, d.m.th. VMRO-DPMNE, mirëpo meqë në marrëveshjen e cila dalëngadalë po shihet që po ndodh ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së definitivisht kanë qenë të kujdesshëm që të mos kalojnë dispozitat kushtetuese, d.m.th. ndryshime kushtetuese nuk ka, gjithçka është duke shkuar në kuadër të kushtetutës dhe marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe nuk mund të gjen kryetari i shtetit ndonjë alibi ose ndonjë argument të fuqishëm për t’i bërë obstruksion apo për mos t’ia dhënë mandatin Zoran Zaev-it”, tha për Portalb.mk. Ramadani.

Ai shtoi se nëse ai bën një hap të tillë, atëherë do të shndërrohet në një president të izoluar.

“Nëse bën një gabim të tillë, atëherë do të ballafaqohet me ndërkombëtarët dhe do të jetë president i izoluar. Ndërkombëtarët përcjellin mesazhet që mos të bëjë gabim të këtillë dhe mos ta fut shtetin në ndonjë krizë edhe më të madhe politike dhe me segmente të prishjes së sigurisë por megjithatë ngel ajo dilema dhe dyshimi se si person i dëgjueshëm ndaj Nikolla Gruevski-t mund të ndodh që të bëj probleme rreth dhënies së mandatit sido që të jetë duhet të presim se me këtë vendim nuk ka shumë alibi, nuk ka argumente pra për ta penguar sepse megjithatë shumica e siguruar në parlament, zgjedhje e kryetarit të parlamentit jep mundësi reale që mandatari të propozon edhe mandatin e qeverisë”, shtoi Ramadani.

Gjithçka pritet nga presidenti Ivanov

Ish ambasadori, Nano Ruzhin për Portalb.mk shprehet se nga Ivanov gjithmonë ekziston rreziku për lëvizje të paparashikuara, gjë që e ka dëshmuar edhe në të kaluarën.

“Kur është në pyetje kryetari Ivanov, gjithmonë ekziston rreziku për lëvizje të paparashikuara. Këtë e tregoi edhe në të kaluarën me ablacionin, dhe tani më ka filluar të qarkullojnë zëra se nuk do të ia jep mandatin opozitës. Nuk do të më habiste madje edhe nëse deklaron gjendje të jashtëzakonshme”, tha për Portalb.mk. Ruzhin.

Ai shtoi se edhe nëse nuk jepet mandati nga Ivanovi, deputetët mund të mblidhen dhe së bashku ta zgjidhin këtë situatë.

“Por deputetët përderisa nuk marrin mandat nga Ivanovi, mundet që vetë ata të mblidhen dhe të emërojnë presidentin në cilin do vend të shtetit. Gjithsesi askush nuk përjashton edhe skenar tjetër më ndryshe, gjegjësisht Ivandov të jep mandatin dhe të ndodh në një formë normale, dhe kjo po që do ishte një surprizë e këndshme. Deri më tani gjithçka është e mbushur me panjohuri, manifestime të rrugëve dhe rrëmujë”, shtoi Ruzhin. /Portalb.mk.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button