Dorëhiqet drejtori i “HM- Transporti”, vazhdon greva e punëtorëve

Pas tetë ditëve të tentimeve tona për të siguruar deklaratë nga drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë – Transporti, Nikolla Kostov lidhur me grevën e punëtorëve të hekurudhave, ai sot është dorëhequr. E dorëheqjen e tij e ka konfirmuar drejtori i ndërmarrjes tjetër të hekurudhave “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”, Irfan Asani.

Sipas tij, ky vendim i Kostov mund të ketë pasuar pas mbledhjeve të mbajtura në Qeveri. Asani për situatën e krijuar në hekurudhat e Maqedonisë dhe grevën e punëtorëve fajin e drejtoi tek Kostov.

“Problemi ekziston tek ndërmarrja e transportit atje ku gjithçka është jashtë rregullave dhe për këtë është fajtor edhe drejtori i saj zoti Kostov. I cili krijoi një situatë të pa lakmueshme e cila e nxori situatën jashtë rregullave”, u shpreh Irfan Asani, Drejtor i HM – Infrastruktura.

Sipas tij, Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti është e zhytur në borxhe dhe vetëm ndaj ndërmarrjes Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura borxhi ka arritur në 180 milion denarë.

“Ndërmarrja e transportit është një ndërmarrje e cila menaxhohet shumë keq. I gjithë ai transport hekurudhor me mallra që transportohet ka rënë në nivel shumë të ulët. Shkaku që shërbimi është i dobët dhe se menaxhimet i transportit hekurudhor sillen në mënyrë jo korrekte”, shtoi ai.

Punëtorët theksuan se do të vazhdojnë me protesta, derisa të paguhen rrogat e mbetura.  Qeveria e Maqedonisë në mbledhjen e fundit ka miratuar 1,1 milionë euro për nevojat e kësaj ndërmarrje. Por nga Këshilli iniciues i protestave thonë se për sigurimin e rrogave për 2500 punëtorët janë të nevojshme 1,5 milionë euro. Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve theksuan se paratë do të lëshohen në llogari të Hekurudhave të Maqedonisë – Transporti atëherë kur ajo do të dorëzojë faturat për harxhimet e saj. Ndërmarrja Publike  Hekurudhat e Maqedonisë dhjetë vite më parë u transformua nga ku dolën dy ndërmarrjet e sotme: Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura dhe Hekurudha e Maqedonisë – Transporti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button