Gjermani, Schulz parakalon Merkelin pas më shumë se një dekade

Socialdemokratët gjermanë kanë parakuar në sondazhe konservatorët e Kancelares Angela Merkel, për herë të parë që prej tetorit të vitit 2006, e për më tepër kur kanë mbetur edhe 7 muaj nga zgjedhjet federale, përcjell Top Channel.

Sondazhi i kryer nga “Infratest dimap” dhe i publikuar nga rrjeti televiziv gjerman “ARD”, e nxjerr “SPD”-në kuotën e 32 për qind, ndërsa bllokun konservator të Merkelit me vetëm një për qind më pak, 31%. Socialdemokratët kanë rritur ndjeshëm pozitat e tyre, që prej nominimit të ish-presidentit të Parlamentit Europian, Martin Schulz.

Në krahasim me një sondazh nga e njëjta kompani të publikuar më 2 shkurt, “SPD”-ja ka fituar 4 pikë përqindjeje, ndërsa blloku konservator i përbërë nga kristiandemokratët (CDU) dhe aleatët bavarezë të Unionit Kristian-Social (CSU), ka humbur 3 pikë përqindjeje.

“SPD”-ja e rigjallëruar duket se ka tronditur sondazhet gjatë javëve të fundit, pasi kishin mbetur pas konservatorëve të Merkelit prej vitesh, apo thuajse një dekade. Herën e fundit që “SPD”-ja ka fituar zgjedhjet ka qenë në vitin 2002, kohë në të cilën drejtohej nga Gerhard Schroeder.

“SPD”-ja ka urdhëhequr së basku me konservatorët e Merkelit në një “koalicion të madh” që prej vitit 2013, por Schulz ka qenë i angazhuar në Bruksel në pjesën më të madhe të kësaj periudhe legjislativi. Që prej rikthimit në Gjermani, ai ka bërë fushatë kundër politikave të kancelares, si një person i jashtëm.

Sondazhi, ndërkohë, tregon se partia antiemigracion “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) ka 11 për qind të mbështetjes, “të gjelbrit” me vetëm 8 për qind, ndërsa ekstremistët e majtë “Linke” me 7 për qind. Pas tyre janë “Demokratët e Lirë” (FDP) me 6 për qind. Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, kjo do të bënte që “AfD”-ja dhe “FDP”-ja të kalonin pragun prej 5% të nevojshëm për të hyrë në Parlament, një zhvillim që do të komplikonte llogaritë për koalicion. Sondazhi është zhvilluar nga 20-22 shkurt dhe janë pyetur 1.047 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button