Kurani mbijeton zjarre – Kolumnë

Unë, në princip, i përshëndes dhe i përqafoj avancimet tekniko teknologjike, elektronike, informatike. Në këtë vazhdë, konsideroj se internet dhe fb janë një e arritur që kanë begatuar jetën e njeriut, i kanë mundësuar atij të vijë më lehtë deri te informacioni i nevojshëm , i ka rrënuar kufinjtë e komunikimit. Andaj, edhe vetë i përdori me kënaqësi.

Por, jo çdokush është i denjë të vjelë begatitë e zhvillimit teknologjik, jo çdokush është i denjë të përdorë fb. Mjerisht, po shohim në internet gjëra të tmershme të cilat po i plasojnë psikopatë e përbindësha të ndryshëm, provokatorë budallenjë që vendin sigurisht e kanë në ndonjë burg apo çmendinë nga të cilat nuk do duhej të dalin asnjëherë.

Si mund të digjet Fjala e Zotit

U iritova pa masë kur në një portal shikova një video storie që një i çmendur e kishte postuar diku. Ai po fliste pa kontroll, nën ndikim të alkoholit, mbante në dorë një Kuran dhe një shishe benzinë me të cilën bëhej gadi të djegë Librin e Shenjtë të Muslimanëve. Dhe, përpara flamurit të çekisë e dogji mbi një zgarë në të cilën kishte vënë edhe dy salsiçe derri.“Islami propagandon dhunë. T’i themi jo, ta luftojmë atë…”, çjerrej budallai, që dikur paska qenë pjesëtar iKFOR-it në Kosovë, pra i paska thënë vehtes paqeruajtës. I çmendur dhe paqeruajtës, disi nuk po më shkojnë bashkë.

Për bela, duke hulumtuar reagimet nëpër internet për këtë poshtërsi, më rastisi të shoh diçka edhe më të tmershme. Një e krisur e shqeu Kuranin, urinoi në fleta të shqyera, i përdori në vend të letrës së tualetit dhe në fund e dogji edhe atë para flamurit të Sllovakisë. “Do ju ndjekë e do ju vras muslimanë, fëmijë, gra pleq, do ju vras të gjithëve…”, bërtiste.

“O Zot, jep mend aty ku s’ka”, thashë në vehte dhe fillova të mendoj për reperkusionet e veprimeve të këtilla që ishin aq ofenduese dhe aq poshtëruese për një musliman. çfarë mund të ngjallëin akte të

këtilla te besimtarët e islamit, si do e përjetojnë muslimanët një ofendim që nuk mund të bëhet më i madh ?

Disa po thonë se këto janë akte çmendurie dhe nuk duhet të merren seriozisht, se interneti duron gjithçka dhe njeriu jo gjithçka duhet të përcjellë aty. Po thonë edhe se madhështia qëndruaka në falje, pra duheshka të fallen ata njerëz!?

Pajtohem tërësisht sa i përket faljes për një akt sa do që i tmershëm të jetë ai, nëse është i pa qëllimshëm, nëse njeriu që e ka bërë atë akt do pendohej. Por, të veprosh ashtu siç vepruan këta faqezinjë, është fyerje e pashembulltë e Zotit, është diçka që prekë thellë në ndjenjat më sublime të besimtarëve muslimanë, e ofendon rëndë besimin e tyre, mënyrën e jetesës, civilizimin. Është blasfemi e pa parë deri sot, por është edhe provokim që mund të ngjallë reagime të pa parashikueshme.

Dhe, kjo po ndodhë në një periudhë në të cilën bota është përplotë polarizime e ndasi, kur po bëhen përpjekje nga njerëzit qëllim mirë për të vënë dialog dhe për të tejkaluar dallimet, ndërkohë që dialogu dhe mirëkuptimi s’po duken askund

Jam i vetëdijshëm se njerëz të shumtë në botë janë të trishtuar e të hidhëruar nga veprimet e disa grupeve të ashtuquajtura “islamiste” dhe jam i vetëdijshëm se ato prodhojnë islamofobi. Ama, këto dy shembuj të çmendurisë i tejkalojnë të gjitha vijat e mundura të dallimit e të urrejtjes, ato nuk mund të quhen islamofobi, siç nuk quhet islamofobi edhe “ gjykimi” që ia bënë Kuranit dy pastorët amerikanë Terry Jones dhe Ëayne Sapp që poashtu patën djegur botërisht Librin e Shenjtë të muslimanëve,duke e shpallur atë “fajtor për krime”

Jo, këto gjëra s’janë vetëm islamofobi, janë nxitje të denja për vetë djallin, ato janë thirrje për kundërveprim që do të krijonte një rreth vicioz të urrejtjes dhe dhunës.

Sidoqoftë, budallenjtë e këtillë, nuk e dijnë se Kurani ka mbijetuar shumë djegje dhe përpjekje për t’a zhdukur dhe ato përpjekje kanë ngjallur kundërefekte, Kurani është ngulitur edhe më fuqishëm në zemrën dhe në mendjen e muslimanëve. Por, të supozojmë se edhe mund të digjen të gjithë ekzemplarët e Kuranit. Cfarë do ju bëjnë hafizlerëve që janë me mijëra e mijëra të shpërndarë nëpër botë. S’ digjet Fjala e Allahut, o ju të çmendur, do digjeni ju.

Dhuna është gjithfare, por Zoti është Një

Jam shumë krenar dhe shumë i kënaqur me faktin se asnjëherë, në asnjë kohë, nuk ka ndodhur e nuk është dëgjuar që një musliman të ketë djegur ndonjë Libër të Shenjtë, të cilësdo fe, këtë gjë nuk e ka bërë madje as ISIL. Sepse, Librat e shenjtë – Teurati, Zeburi, Inxhili dhe Kurani janë tekste që Muslimanët besojnë se janë të shpallura nga Zoti tek të dërguar të ndyshëm gjatë historisë së njerëzimit. Besimi në të gjitha librat e shpallura është një nga kushtet e besimit në Islam.

Po të ndodhte një gjë e atillë, do të shqetësohej i tërë komuniteti islam, do të reagonin edhe teologët muslimanë, por edhe njerëzit e rëndomtë. Sepse, do të ofendohej Zoti që është Një, Ai që i ka shpallur ato Libra për njerëzimin që duhet të jetojë në harmoni e paqe, në mirëkuptim e dashuri.

Për momentin, po më kujtohet një reagim i Kishës Ortodokse Ruse përpara disa vitesh lidhur me një incident rreth Kuranit e që pati kërkuar ” të ndalohet përhapja e kotësirave që thonë se kinse në Kuran ka ekstremizëm”. Për më tepër, teologu ortodoks rus, Andrej Kuraev, kishte deklaruar se “Ajetet në Kuran vetëm flasin për Zotin që është Një dhe se Atij duhet t’i lutemi, çfarë ka ekstreme aty? Porostë e njejta mund t’i gjeni edhe në Librin e të Krishterëve dhe në atë të Hebrenjëve…”, tha atëbotë ai teolog ortodoks.

Këtë storie me Kishën Ortodokse Ruse e përmenda vetëm për të dëshmuar se sa pakë duhet bërë që njerëzve t’ju qartësohen gjërat, pra duhet një grimcë qëllimi të mirë dhe pakë mençuri e korektësi. Diçka që medoemos duhet të reflektojë, së paku nga elementet teologjike, lidhur me këtë incident të ndyer që e përfola në fillim të këtij teksti.

Unë thellësisht besoj se ata dy të çmendur, do përfundojnë o në çmendinë, o në burg. Nuk kisha dashur që ata të përfundojnë si viktima të ndonjë fetvaje sepse njerëzit e atillë nuk meritojnë që një musliman i devotshëm të ndyej duartë me ata. Aktet e tyre të turpshme do ua sjellin dënimin e merituar, por ndjej keqardhje për shqetësimin e muslimanëve nëpër botë që ,sipas reagimeve të shumta që mund të lexohen në internet, janë shqetësuar nga ky provokim I pistë.

Dhuna mund të jetë gjithfare, presionet dhe provokimet poashtu, por Zoti është Një.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button