SHERBETI I PUSHTETIT

“Politika nis nga foltoret e drunjta të katundit”. Sa gjeniale tingëllon kjo thënie e vënë në gojën e njërit prej politikanëve më të paskrupullt që njeh historia, Zhozef Fushesë, këtij tradhtari të lindur, intriganti të neveritshëm, shpirti të ulët prej polici, që veproi mjeshtërisht në prapaskenën e politikës.

Sipas dioptrisë së politikanëve të tipit të Fushesë politika nuk është aq thjeshtë sa e kuptojnë shumica, sepse, në të kundërtën, nuk do të ishte politikë, por thashetheme. Politika është më shumë se sa ajo që e thonë shumë përkufizues të saj, që nuk harrojnë t’u hedhin përkufizimeve edhe mëlmesa morali, veçanërisht në shoqëritë sikurse kjo e jona.

Ne që nuk jemi ngjitur në skenën e trishtë të politikës shpesh moralizojmë, por shumica e politikanëve nuk e dëgjojnë Monteskjenë. Ata e dëgjojnë Makiavelin, edhe nëse nuk kanë lexuar asnjë resht të tij, sepse makiavelizmi ka ekzistuar para Makiavelit.  Ata që e shijojnë, qoftë njëherë, sherbetin e pushtetit pësojnë ndryshime të çuditshme kimike në organizmin e tyre. Pushteti është pasion i çuditshëm. Është dredhi dhelpre, shpejtësi ujku e helm gjarpri. Është njëfarë opiumi. Mesha Selimoviqi thoshte se njeriu edhe mund të shërohet disi nga varësia prej rakisë e kumarit, por jo edhe nga ajo e pushtetit.

Pasi shumica e politikanëve tanë janë bijë ideologjik të Zhozef Fushesë (nëse ai vërtet mund të kishte ideologji), atëherë politika këtu vështirë se mund të përkufizohet sikurse e pandehin ata që e barazojnë me një thashetheme.

Ne i shohim disa politikanë, mashtrues deri në neveri, dhe shpesh i akuzojmë se janë të paaftë, por në fakt ne kërkojmë tek ata moralistin. Si dishepuj të Fushesë ata duken gjeni në këtë lojë politike ku, për asnjë çast, nuk merakosen për kërkesat tona etike.

Ata e kanë filluar misionin e tyre, si prej djalli, prej foltoreve të drunjta të katundit, por nuk i lidh asgjë me ne që u duartrokasim dhe u besojmë me sinqeritet.

Te këto foltore ata e marrin fuqinë, por pastaj bëjnë lojën e tyre, e cila u krijon kënaqësi, u kthehet në pasion, në frymëmarrje, në mënyrë jetese. Parullat etike i kanë për ne, votuesit e vdekshëm. Sikur t’i shihnim kur janë vetëm se si na tallin, ne naivëve që mendojmë se ata duhet të mendojnë për ne, atëherë do të kishim tjetër perceptim për botën. Por ata janë “andej” dhe ne jemi “këndej”. Në skenën e trishtë të politikës mendja e tyre bluan gjëra të tjera, pasi janë dehur nga nektari dhe ambrozi i pushtetit.

Në çdo politikan, sado hiqet i veshur me petk humanisti e moralisti, fshihet një Fushe. Ai që nuk e ka brenda Fushenë as e merr mundimin të ngjitet në skenën e trishtë të politikës, ku pas çdo buzëqeshje, si thotë Shekspiri, fshihet një kamë, një thikë e mprehtë që po s’e ngule pas shpinës së dikujt, do të jetë një dikush që do ta ngul në shpinën tënde, ashtu si ajo thika e Brutit në trupin e Cezarit.

Ja pra përse duhet të kemi dozë të theksuar dyshimi ndaj të gjithë atyre që kanë filluar lojën e tyre në skenën e trishtë të politikës, veçanërisht aty ku vallëzojnë mijëra djaj, fshehur pas petkut të engjëjve.

Këtu pushteti qëndron mbi çdo etikë e jetë njerëzore. Politika nuk është lojë sporti, siç thuhet. Loja e sportit ka rregulla. Loja e politikës sonë nuk njeh asnjë rregull. Ai që i prish më së shumti rregullat është vetë arbitri. Ai që i prish rregullat shijon sherbetin e pushtetit.

“Ministri i policisë është ai njeri, i cili si fillim kujdeset për punët që i përkasin e pastaj për të gjitha punët që nuk i përkasin”, thoshte Fushe. Politikanët tanë janë prej atyre që merren me punët që u përkasin dhe me ato që nuk u përkasin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button