Rini kafenesh

Është ditë e hënë. Ora shënon pak më tepër se 11 paradite. Rrugëve të shumta, bulevardeve të ngushta të shtruara e bajate të kryeqytetit gjen njerëz plot, të moshave të ndryshme që nga ato të vjetra, mosha e mesme diku 50-60 vjeç e mosha e artë ta themi diku te të 30-at. Njerëz pra që janë të aftë për punë, por se në mes të ditës e në diell rrinë rrugëve.

E mua kjo gjë me duket realisht anormale, por se është pjesë e një realiteti që gjithmonë e më shumë shfaqet gri e më gri, zi e më zi shpesh. Kjo nuk është e gjitha. Këta njerëz domosdo ecin keq, vishen keq, ngjajnë si të vrarë, herë si të dalë prej bash’ varresh. Madje unë them se ky krahasim i fundit shkon shumë, për shkak se njerëzit në kryeqytet dhe në mbarë atdheun jetojnë shumë pak larg Sharrës. Këta në Tiranë madje janë hiç më shumë se dy kilometra larg Sharrës, vendit të varreve të shumta. Madje, ne si njerëz këtu jemi afër Sharrës fizikisht e shpitërisht do thosha.

Diku kam lexuar për disa qenie, të cilat dilnin prej pllakave të varreve. E kështu ngjajnë shumë shqiptarë, sikur në mëngjes, metaforikisht dalin bash’ prej pllakave të varreve e se kur perëndon dielli shkojnë e hyjnë sërish në atë varrin e vet. Jetë varresh. Tragjike. Mundesha të flas e të shkruaj plot se çfarë tragjizmi përjeton mosha e rritur në këtë vend, por se në këtë kaptinë desha të merrem me rininë, të ashtuquajturën “shpirt të kombit”.

E rinia është prej vërteti shpirt për kombin. Por çfarë bën rinia? Ajo është gjunjëzuar prej vërteti, harruar në shumë raste, por se më shumë ka rënë në një gjumë të thellë, pushon, pi kafe e makiato, prej se lind dielli e derisa perëndon. Rinia qëndron mbushur me fjalë, thashetheme, me shkuma pijesh gjithë çfarë lloj, mbijeton gërmadhash në atdheun e vogël me halle shumë. Po po rinia është me tërë mend zemra e kombit e nuk është as kjo copë e tokës e as ajo tjetra, por është vrulli djaloshar, si freskia në agim.

Por kombi shqiptar, e ka zemrën e vet të vyshkur moralisht, të rënë parimisht në të drejta, të vrarë prej realitetit e fjalës së madhe në pazar. E unë po çirrem se nuk po flas për palcën, as për veshkën, as për kockat e trupit të kombit.

Por po flas për zemrën e këtij kombi të marrë zvarrë prej degradimit social. Kombi është goditur në aortë e ta godasësh në pjesën më delikate kombin, është njëlloj sikurse goditja e shtizës në thembrën e Akilit, që prej helmit e la të vdekur.

Edhe ky komb kështu, përbëhet nga rinia e helmuar, e tromaksur, e hutuar, që vdekja i vjen rrotull ende pa i ardhur mosha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button