Veprimet (jo)etike gjatë përdorimit të mediave sociale

Në dekadën e fundit të shekullit 20 u shënuan ndryshime drastike në procesin e prodhimit, distribuimit dhe shfrytëzimit të informatave. Ato janë pasojë e procesit të shpejtë teknik-teknologjik, i cili në vete përmban sasi enorme të potencialit për ekspanzion. Ndodhi “revolucioni mediatik” me ç’rast teknologjitë e avancuara e ndryshuan përgjithmonë mënyrën në të cilën krijohej, bartej, plasohej dhe ruhej komunikimi

Shkruan: Dr. Dejan Donev, profesor inordinar i etikës në gazetari dhe  i etikës në medie

Mediet e reja ose të ashtuquajturat “medie të treta” që u paraqitën si rezultat i konceptit Web 2.0 dhe i teknologjive të reja mediatike, filluan të shihen si pjesë e ndryshimeve që ndodhën dhe ndodhin në nivel shoqëror, teknologjik dhe kulturor, duke shkaktuar ndryshime të pakthyeshme, veçanërisht në raportimin gazetaresk. Në fakt, nëse deri tani në gazetari, etika dhe profesionalizmi ishin vetëm viktimë në luftën për ekzistencë, tani ato janë viktima e parë në këtë luftë të përditshme. Rrjeti i cili çdoku në botë prezanton një lloj të ri të objektivitetit, transparencës, tani bëhet temë e besimit. Me këtë u paraqit edhe nevoja e shtuar për shqyrtim etik dhe analizë morale të situatave të reja, për shkak se mjafton të krijohet një kanal në YouTube, platformë për blog ose profil në rrjetin social dhe ai/ajo në mënyrë pretencioze të vetëshpallet si medie.

Në këtë kontekst, edhe pse më shumë seç pritej, në Maqedoni mediet e njëjta njëkohësisht me të gjitha përfitimet (“65% e të anketuarve tanë thonë se rrjetet sociale janë pjesë e pashmangshme e jetës së tyre”) shkaktuan edhe një bagazh të madh të dyshimeve dhe dilemave etike. Ato në gazetari krijuan një trend të raportimit që është në akull të hollë dhe kufizohet me amoralen: “një pjesë serioze e internetit dhe pothuajse e tërë bota e rrjeteve sociale plotësohet me shpejtësi ekstreme me përmbajtje të reja pa mbajtur llogari për atë se a janë ato përmbajtje të vërteta dhe a kanë ndonjë vlerë esenciale”. Me këtë rast, me shfrytëzimin e tyre dhe duke e kuptuar realitetin nëpërmjet tyre gjithnjë e më shpesh ballafaqohemi me dyshime dhe dilema etike në formë të:

  1. (keq)përdorimit të të dhënave personale, gjegjësisht shqyrtimi etik i këtyre medieve vëmendje të veçantë duhet t’i kushtojë nga njëra anë, të drejtës për privatësi si vlerë, dhe nga ana tjetër, privatësisë si koncept juridik edhe atë veçanërisht të dhënave dhe privatësisë së përgjithshme në hapësirën e internetit. Sa për ilustrim, në Maqedoni “përdorimi i rrjeteve sociale është tepër i madh – ka mbi 1.000.000 profile në Facebook (1.004.680 njerëz sipas Facebook-ut), mirëpo me siguri, nëse hiqen profilet e rrejshme, të dyfishta dhe komerciale, ka diku rreth gjysmë milionë shfrytëzues individualë”.
  2. mënyrës së shfrytëzimit të këtyre rrjeteve si formë e marketingut social mediatik, gjegjësisht si pjesë integrale e strategjive korporative për komunikim. Prandaj, në Maqedoni, “në qoftë se sot zhvillohet luftë e medieve se kush do të tërheqë më tepër publik në internet, në të ardhmen padyshim do të zhvillohet luftë e vërtetë, jo vetëm për të fituar sa më shumë vizitorë-ithtarë, por edhe për fitim më të madh”.
  3. lirisë më të madhe të të shprehurit. Me rritjen e vëllimit të informatave, bie cilësia e tyre, edhe pse, për shembull, gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoni, sipas të dhënave statistikore supozohej se “vendi kryesor për komunikim politik, debat të hapur dhe mundësi për ngritjen e vetëdijes së përgjithshme të elektoratit do të jetë Facebook-u”. Përkundër pritjeve, “pjesa më e madhe e publikut u bë viktimë e diskursit propagandues dhe nuk kishte mundësi t’u kundërvihej formave delikate të manipulimit”.
  4. mundësisë, në përputhje me ambientin kulturor, për ekzistimin dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Në këtë kuptim, “shkeljet më shumë dominojnë në rrjetet sociale, mirëpo, poashtu, shpeshherë janë të pranishme edhe në përmbajtjet që gjenerohen nga shfrytëzuesit/publiku, dhe deri në një shkallë, poashtu, në përmbajtjet e prodhuara nga një numër i caktuar mediesh dhe gazetarësh”. Rreziku vjen jo vetëm nga shfrytëzuesit, por edhe nga gazetarët e uritur për senzacionalizëm, të cilët shfrytëzojnë ndodhi të ndryshme për të plasuar informata senzacionaliste të fituara nga mediet sociale. Kjo “rezulton me përforcimin e stereotipeve dhe me shpërthim të gjuhës së urrejtjes, që shihet posaçërisht në rrjetet sociale ose në faqet ku përmbajtja është krijuar nga shfrytëzuesit”.
  5. mundësisë për keqpërdorim të medieve sociale, në aspekt të politikës. Në fakt, “shpejtësia e shpërndarjes së porosive ndërmjet votuesve konsiderohet si përparësi, mirëpo nga ana tjetër mund të jetë edhe mangësi, veçanërisht nëse bëhet fjalë për përhapjen e informatave negative”, edhe atë duke plasuar rezultate të porositura nga anketat, duke prezantuar programe politike të bazuara në gënjeshtra dhe imagjinatë… Njëkohësisht, “ndarjet politike, etnike dhe fetare që replikohen edhe në sferën onlajn – më së shumti duke dominuar në rrjetet sociale, poashtu, shpeshherë janë të pranishme edhe në përmbajtjet që gjenerohen nga shfrytëzuesit/publiku, dhe deri në një shkallë, poashtu, në përmbajtjet e prodhuara nga ana e gazetarëve”.
  6. asaj se çka është informatë objektive dhe e vërtetë dhe kush vendos për këtë. E domosdoshme ishte të parashtrohet pyetja “а është mirë apo keq ajo se njerëzit gjithnjë e më shumë lajmet e tyre i marrin nëpërmjet rrjeteve sociale?”, e poashtu edhe për vendin e gazetarëve në mediet sociale, përderisa paralelisht “për çdo ditë rritet përqindja e njerëzve që lajmet i marrin nga rrjetet sociale. Ky numër dhe kjo dinamikë është shumë më e madhe kur bëhet fjalë për të rinjtë (…) Informatat që i fitojnë nëpërmjet rrjeteve sociale, gjithnjë e më shumë i akumulojnë si njohuri”.

Si përfundim nga ajo që u tha më lartë edhe ne jemi shumë larg për të qenë përjashtim ose imunë ndaj këtyre problemeve, gjegjësisht “duke pasur parasysh privatësinë e internetit edhe më tutje do të vazhdojë praktika e paraqitjes ose mirëmbajtjes së faqeve që do të ofrojnë përmbajtje pa etikë dhe standarde gazetareske me qëllim të vetëm – tërheqje të publikut dhe fitim”. A mundet etika aktuale mediatike t’u përgjigjet këtyre formave të reja të sfidave që paraqiten me këtë formë të re të lidhjes sociale apo duhet të gjenden mënyra të reja nëpërmjet të cilave etika do të veprojë kryesisht për ruajtjen e dinjitetit të secilit pjesëmarrës, si dhe të objektivitetit të vetë procesit? Pas përplasjes iniciale të vlerave, sipas të cilës “letargjia vjen nga fotografia që e kanë gazetarët për veten e tyre”, është rritur numri i gazetarëve oflajn dhe onlajn, të cilët edhe më tutje dëshirojnë në këtë trend të ri të raportimit gazetaresk të jenë të përgjegjshëm, duke zhvilluar një etikë të re mediatike, e cila i përfshin praktikat e medieve tradicionale, mirëpo edhe të atyre të reja, të udhëhequr nga shenjtëria e profesionalizmit në ushtrimin e profesionit të tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button