E kemi për detyrë…

Protesta paqësore është shenja më e lartë e përgjegjësisë së një qytetari që e don vendin e tij. Çdo qytetar i ndershëm ka për detyrë t’i bëjë vazhdimisht presion çdo qeverie për mbajtjen e premtimeve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve për një jetë më të mirë. Të jesh opozitar është vlerë, virtyt dhe në çdo rast është më dinjitoze sesa të jesh militant.

Të flasësh gjithmonë pro dikujt dhe gjithmonë kundër dikujt tjetër, unë besoj që është shëmti. Të gjithë gabojmë, por çdonjëri ka edhe rezultate. Ndaj, ti, si qytetar i përgjegjshëm, duhet të përqafosh virtytet më të larta të secilës palë dhe të kundërshtosh e denoncosh gabimet, duke bërë presion që ato të mos përsëriten. Kjo është një detyrë, jo dëshirë.

Kombet e civilizuara, opozitarizmin më të fortë e bëjnë veçanarisht ndaj atyre partive që kanë votuar zgjedhjet e fundit dhe që fituan besimin për të qeverisur. Por ne, fatkeqësisht, vazhdojmë t’u qëndrojmë besnik deri në ‘vetëmohim’, partive të caktuara, duke kryqëzuar e njollosur çdo politikë të kundërshtarëve tanë dhe duke përjetësuar në bronz edhe marrëzitë më të kobshme të grupit ku bëjmë pjesë. Jemi skllav të partive të caktuara, duke ‘burgosur’ me dëshirë fatin dhe të ardhmen tonë.

Jemi shkatërrimtare me kohë të plotë të jetëve tona. Jemi përgjegjës të vështirësive, vuajtjeve dhe varfërisë tonë. Shitja e dinjitetit për një vend punë, në këmbin të kyçjes së gojës edhe ndaj padrejtësive të mëdha, na ka vjedhur lirinë dhe shpresën. Ky pakt i heshtur që vazhdon prej dekadash, na ka kushtuar shtrenjtë, duke shembur përtokë të ardhmen tonë.

Dijet jemi detyruar që mbyllim në raft bashkë me librat, tashmë të plurosur e të mykur nga harresa dhe të zhvlerësuar nga injoranca dhe servilizmi elitar. Cilësitë e larta dhe universale njerëzore, po shkelën çdo ditë me këmbë nga veset më të liga dhe të ulëta njerëzore. Por, çfarë duhet të bëjë ai qytetar që vazhdon të besoje ende dhe që shpresen e kultivon çdo ditë?

Ai kurrësesi nuk mund të pranojë te nënshtrohet apo të mbështesë një kriminel, vrasës, përdhunues, apo në rastin më të mirë një analfabet, s’ka rëndësi se na vjen dhe në cilin krah bën pjesë. Ai, në asnjë menyrë, as me detyrim dhe mos e thëntë Zoti, as me dëshirë, nuk mund të pajtohet me një gjë të tillë. Kjo do ishte një vrasje e dytë për të.

Ndaj sot, ashtu si edhe më përpara, dhe me siguri edhe nesër, ka arsye të mjaftueshme, të forta dhe të qenësishme për të protestuar. Jo për llogari të partisë që drejton protestën, pasi edhe ajo mban mbi shpatulla përgjegjësi e fajë të rënda, por për dinjitetin tonë dhe për një të nesërme më të mirë.

Unë nuk mund të pranoj kurrën e kurrës, një parlament me deputetë hajdutë, vrasës dhe trafikantë. Nuk mund të pajtohem kurrësesi që bashkitë dhe administrata, të drejtohen nga persona me rekorde kriminale apo të pashkollë. Nuk ka rëndësi të kujt partie janë. Do jem gjithmonë kundër tyrë në politikë. Do protestoj gjithmonë, me shkrime, në shesh apo në tavolina diskutimesh edhe pse e di fort mirë, se revolucionet nuk i bëjnë partitë, por qytetarët e ndërgjegjësuar. Ndaj, protestoj edhe unë, por edhe kundër një pjese të PD.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button