Del nga shtëpia 20 vjet pas vdekjes së djemve, mesazhi i ndjerë i mbesës

Gjyshja e Klevisës kishte 20 vjet pa dalë nga shtëpia. Mbesa erdhi sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty” për t’i bërë një kërkesë gjyshe Merushes, që të vijë në programin e “E Diela Shqiptare”. Gjyshja e saj është rritur jetime, por edhe bashkëshorti i saj po ashtu. Merushja humb njërin nga djemtë e saj në moshën 23-vjeçare, shkruan Class, përcjell Portalb.mk.

“Pas kësaj ngjarjeje, ajo u mbyll në shtëpi, u vesh me të zeza dhe nuk diti të buzëqeshë më. Vitet kaluan dhe u martua xhaxhai i dytë. Një muaj më pas u martua edhe babi im. Por jeta nuk donte që gjyshja ime të buzëqeshte. Xhaxhai im ndërron jetë. Ai la një vajzë 3-muajshe dhe kjo ndarje nga jeta për nënë Merushen ishte e trefishtë, pasi nusja bashkë me vajzën u larguan nga shtëpia. Për 20 vjet ajo nuk ka dalë nga shtëpia dhe e vetmja lumturi që ka pasur në jetë ka qenë lindja ime. Ajo më thotë gjithmonë se “ti Klevisa më ke mbajtur mendjen deri tani.” Unë jam shumë fanse e juaja në faqet zyrare që keni në rrjetet sociale dhe i tregoja gjithmonë për komentet që bëja dhe ju më kthenit përgjigje. Ajo më thoshte gjithmonë se nuk dua të vdes pa të parë ty njëherë në televizor. Gjyshja më ka dhënë shumë forcë për zgjedhjet e mia dhe shpresoj të ketë ardhur sot. Ajo do të më bëjë të lumtur nëse ka ardhur, pasi kjo do të jetë një ditë shumë e veçantë. Ajo duhet të jetojë për ne, se edhe ne nuk jemi mirë kur e shikojmë atë ashtu.”

Pas shumë përpjekjesh nga ana e produksionit të “E Diela Shqiptare” nënë Merushja del nga “ngujimi” 20-vjeçar dhe nga qyteti i Lushnjës ka udhëtuar drejt Tiranës, për të parë se kush i ka bërë mesazh. Ajo e ndjek çdo javë emisionin “E Diela Shqiptare”. Ardit Gjebrea e pyet rreth jetës së saj, një jetë e cila ka qenë e vështirë. “Unë jetën time e kam kaluar shumë të hidhur. Nënës po i ikën fëmijët para, rron kot. Mua më kanë ikur dy djem dhe kam qenë e hidhur në vetvete. Edhe bashkëshorti më iku pas djemve. Sot kam vetëm një djalë bashkë me nusen.”

Arditi e falënderoi nënë Merushen që ka ardhur në shtëpinë e “E Diela Shqiptare” pasi është e vetmja dalje pas humbjes së djemve të saj. Ajo i është shmangur çdo feste që ka pasur në jetë. “Cili është motivi që erdhe sot këtu? Kush mendon se mund të jetë? Përveç mbesës nuk mendoj se është njeri tjetër.”

“Të keqen nëna, e dija që ti do ma bëje këtë surprizë. Shpirti i nënës ti”- i drejtohet ajo së mbesës, ndërsa Klevisa e falënderon për surprizën e madhe që i bëri sot: “Nëna, unë të falënderoj shumë që ke ardhur për mua. Kjo që ke bërë sot është një hap shumë i madh për ty, por gjithashtu edhe për ne. Unë erdha këtu, që të bëj realitet ëndrrën tënde që të më shikoje në televizor. Gjithashtu, dua që të bëhesh pjesë e gëzimeve tona familjare, të jesh pjesë e fotografisë së familjes sonë dhe jo të jetë montazh ajo foto. E di që jeta nuk është treguar e bukur, por ti ke një shpirt të fortë që më bën edhe mua të eci përpara”  – i tha Klevisa gjyshes së saj, e cila mori kurajë për të parën herë pas 20 vjetëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button