Samsung, skandali që po trondit Korenë e Jugut

Lee Jae-Yong ka mbërritur i shoqëruar nga bashkëshortja e tij në qendrën e paraburgimit në Seul. Trashëgimtari i gjigantit Samsung është arrestuar nën akuzën e ryshfetit, dëshmisë së rreme dhe përvetësimit, shkruan bota.al, përcjell Portalb.mk.

Ai ka paguar një ryshfet prej 35 milionë euro për një kompani të Choi Soon-Sil, krahu i djathtë i presidentit të rrëzuar, Park Geun-hye, një përfaqësues i një kulti shamanik, dhe që është ripagëzuar si “Rasputini” i Koresë së Jugut.

“Arrestimi i pronarit të Samsung shkakton jo vetëm humbje për kompaninë, por edhe sjell një kosto sociale të lartë – thotë Cho Chang-Hoon, profesor i ekonomisë në Universitetin e Sogangut.

Megjithatë, sistemi gjyqësor në Korenë e Jugut ka treguar se ligji është i barabartë për të gjithë. Kjo, në afat të gjatë, do t’i japë mundësi Koresë së Jugut që të rrisë besueshmërinë e saj”.

Samsungu është kontribues për 20% të GDP-së së Koresë së Jugut dhe ka shkaktuar tashmë një mbyllje negative, këtë të premte, të bursës së Seulit. Muajin e kaluar, Gjykata e Qarkut Qendror ka refuzuar kërkesën për arrestimin, të bërë nga ana e Prokurorisë Speciale. Këtë herë, miratimi për ndalimin ka ardhur në dritën e një akuze penale dhe provave të reja.

“Unë e kam pritur që këtë herë do të urdhërohej arrestimi – thotë Lee Hyun-Sook, një banor i kryeqytetit të Koresë së Jugut – Sepse duhej ta bënin që pas marrjes në pyetje herën e parë. Tani kishin të gjitha provat dhe ligji është i drejtë. Ka bërë një punë shumë të mirë Prokuroria Speciale”.

“Ky arrestim është një turp – thotë një banor i Seulit, Seo Jong-Seok. Fillimisht hetimet e prokurisë së posaçme duhej të përqëndrohesnin mbi Presidenten Park Geun-hye, por – sipas mendimit tim – nuk kanë arritur të gjejnë ndonjë gjë kundër saj dhe pastaj arrestuan Lee-në. Ndikimi në ekonominë e vendit tonë do të jetë shumë i madh”.

Institucionet publike mund ta mbajnë të ndaluar Lee Jae-Yong për 20 ditë, para se ta akuzojnë penalisht. Trashëgimtari i Samsungut e drejton kompaninë që nga viti 2014. Dhe pikërisht tek stafeta e dorëzimit të kompanisë është përqëndruar puna e hetuesve: korrupsioni mendohet që të ketë lehtësuar kalimin brenda familjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button