Aksioni “Një tapë – një shpresë”, burim buzëqeshjeje për shumë persona

Dhurimi është nevojë e njeriut, për t’i bërë të lumtur ata të cilëve më së shumti u nevojitet kjo ndjenjë. Për një gjest human nevojitet aq pak për t’ju mundësuar të pafuqishmëve që të kenë një botë më të bukur dhe më ndryshe nga ajo reale. Pikërisht përmes humanizmit dhe përkushtimit, anëtarët e Asociacionit Studentor të Mjekësisë në Maqedoni (ASMM) tashmë një kohë të gjatë punojnë dhe arrijnë t’i kthejnë buzëqeshjet e shumë familjeve në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Të mblidhen 250 kilogramë tapa ndoshta duket vështirë, por asgjë nuk është e vështirë përderisa dëshira për të ndihmuar është më e madhe se gjithçka. “Një tapë – një shpresë” mban emrin aksioni përmes të cilit Asociacioni Studentor i Mjekësisë në Maqedoni me mbledhjen e tapave synon për të ndihmuar personat që më shumë kanë nevojë për ndihmë.

Onur Dika, student i mjekësisë së përgjithshme në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” dhe një nga koordinatorët e ASMM-së, në një prononcim për AA thekson se ndonëse fillesat e projektit kanë qenë të vështira, aksioni po merr gjithnjë e më shumë përmasa në vend, veçmas në shkollat fillore dhe të mesme.

“Qëllimi kryesor i aksionit humanitar ekologjik ‘Një tapë – një shpresë’ është që të mblidhen as më shumë që të jetë e mundur tapa plastike, të cilat më pas dërgohen në Turqi, ku riciklohen, ndërsa për sasinë prej 250 kilogramëve fitohet një karrocë invaliditeti. Ajo i dhurohet familjes e cila ka nevojë, e që nuk ka mundësi financiare ta sigurojë vet”, tha Dika.

Sipas tij, aksioni filloi në vitin 2013, ndërsa planifikohet të zgjasë derisa ka nevojë. “Idenë e inicioi organizata ekologjike ‘Grin club’ nga Turqia, e cila i vë theks riciklimit si një masë për ruajtjen e natyrës. Deri tani kemi gëzuar katër familje, por duke marrë parasysh faktin se për çdo ditë rritet numri i nxënësve, besojmë se për një kohë të shkurtër do të kemi mundësi që të gëzojmë më shumë familje”, shtoi Dika.

Në kuadër të aksionit, Dika thotë se ekzistojnë pika mbledhjeje thuajse në të gjitha qytetet në shtet, ku qytetarët mund të japin kontributin e tyre me mbledhjen e tapave. Ai thekson se bashkëpunimi me Turqinë nuk ndalet këtu, dhe shton se ata janë në kontakt të vazhdueshëm dhe punojnë në shumë projekte.

“Me Turqinë bashkëpunojmë shumë shpesh. Organizojmë kongrese të ndryshme, ndërsa më shumë bashkëpunojmë me organizata të ngjashme si kjo e jona. Nga këtu kemi pjesëmarrës, ndihmë kemi edhe nga organizata shtetërore turke TIKA. Ne jemi shumë të kënaqur nga Turqia dhe Qeveria turke, e cila na ndihmon dhe na mbështet në projektet tona”, theksoi Dika.

Momentalisht, Turqia dhe Sllovenia janë vendet kryesuese në këtë aksion. Por, sipas informacioneve të fundit, aksioni ka filluar edhe në vendet tjera ballkanike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button