Populli foli, partitë nuk e morrën vesh

Nëse partitë shqiptare nuk kuptojnë mesazhin e votuesve rrezikojnë që të përgjysmohen përsëri dhe të dërgojnë edhe më tepër vota drejt LSDM-së

Parti që ligjërojnë apo parti që dëgjojnë? Partitë e sotme, pa përjashtim, kanë trashëguar në esencë mentalitetin e partisë së dikurshme komuniste. Në thelb të kësaj skeme mendore është bindja se urtësia e një populli është koncentruar në parti, që e sheh veten si avangardë e popullit, si një grup i zgjedhur njerëzish që është më e mençur dhe më e mirë se masa. Partitë e këtilla sillen sikur kanë për detyrë t’i ligjërojnë popullit e t’a edukojnë atë. Le të themi se ata e perceptojnë veten si kryepleq, madje në momente të caktuara i kërkojnë popullit të tërhiqet e heshtë fare dhe t’ia len situatën në duar politikanëve.

Përkundrazi në mjedis demokratik pranohet se populli është gjykues më i mirë; ai e din saktë se çfarë don dhe e thotë këtë në votime. Është detyrë e partive që pastaj të marrin këtë mesazh dhe të zbatojnë urdhërat e popullit. Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit duket se pikërisht këtë mesazh aspak nuk e kanë kuptuar partitë tona. Ato po vazhdojnë me avazin e vjetër, të sjelljes si të gjithëdijshëm, duke mos kuptuar apo injoruar atë që ju tha populli me 11 dhjetor. Kështu ata rrezikojnë të bien edhe më poshtë dhe të dërgojnë edhe më tepër vota në drejtim të LSDM-së, siç u pa më së miri në anketën e TV Telma të para do ditëve.

Mesazhi i popullit në zgjedhje. Në zgjedhjet e fundit parlamentare te blloku shqiptar kanë ndodhur disa fenomene të reja. Pikë së pari një numër i madh shqiptarësh kanë votuar për LSDM-në. Dy partitë kryesore shqiptare të deriatëhershme, BDI dhe PDSH, janë përgjysmuar në vota. Ndërkaq në skenë janë paraqitur dy lëvizje të reja, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, dhe që të dyja menjëherë janë shpërblyer me një numër të konsiderueshëm votash.

Megjithëse duken si të veçanta, të gjitha këto fenomene kanë një emërues të përbashkët, e ky është “inati” shqiptar ndaj VMRO-së. Elektorati shqiptar pikë së pari ka ndëshkuar BDI dhe PDSH për afërsinë e tyre me VMRO-në. Një pjesë e madhe e votave kanë shkuar te partitë e reja, të papërlyera nga bashëkpunimi me VMRO-në. Në fund, një pjese të shqiptarëve si duket nuk ju kanë mbushur mendjen as këto lëvizje të reja dhe mundësinë e vetme për të rrëzuar regjimin e Gruevskit e kanë parë te LSDM-ja. Pra nëse ka një mesazh të pamohueshëm që dërgoi votuesi shqiptar në zgjedhje ky ishte: JO MË ME VMRO-në!

Dy muajt pas zgjedhjeve. Në ndërkohë kanë kaluar dy muaj dhe akoma nuk ka asnjë sinjal se së shpejti do të formohet qeveri. Një anketë e publikuar para disa ditëve rrëfen disponimin e tashëm të qytetarëve dhe vlerësimin e shqiptarëve për punën e partive të tyre brenda kësaj periudhe. Anketa është publikuar nga televizioni Telma me 13 shkurt, e realizuar nga M-Prospekt dhe e sponzorizuar nga USAID.

Para se të analizojmë anketën medoemos duhet cekur se treshja e njëjtë realizoi një anketë të ngjashme para zgjedhjeve. Atëherë doli se ajo anketë kishte favorizuar VMRO-në dhe BDI-në, ndërsa kishte penalizuar opozitën; më së shumti Aleancën për Shqiptarët. Sidoqoftë gabimet ishin brenda margjinave dhe anketa doli respektabile në krahasim me anketa tjera, si ato të Dimitrija Çupovskit apo Pavel Shatevit. Anketa është realizuar me 1.000 persona me margjinë të gabimit 3%, por kur flasim veçmas për shqiptarët margjina është 6%. Me këto rezervime, le të shohim ç‘pasqyrë të elektoratit na jep anketa e fundit.

Shqiptarët nuk duan qeverisje të VMRO-së. Nëse mesazhi i zgjedhjeve ka qenë i paqartë, anketa përfundimisht dëshmon antipatinë e shqiptarëve ndaj VMRO-së. Të pyetur se kush duhet të formojë qeverinë e ardhshme, 44% të shqiptarëve kanë preferuar LSDM-në, 30% thonë se në qeveri duhet të jenë të gjitha partitë, 18% nuk përgjigjen dhe vetëm 7% thonë se duhet të qeverisë VMRO-ja. Pra raporti i preferencës LSDM-VMRO te shqiptarët është të paktën 6:1.

Edhe më konkret është disponimi i matur sipas simpatizantëve të partive. Kështu përkrahës shqiptarë të VMRO-së gjenden vetëm te votuesit e BDI-së që megjithatë preferojnë LSDM-në me 42%-24% dhe ato të PDSH-së ku raporti është 45%-14%. Krejtësisht të njëanshme janë preferencat e partive të reja. Votuesit e Besës preferojnë LSDM-në 43%-3%, ndërsa më drastike është preferenca e votuesve të Aleancës, tek të cilët rezultati është 93%-0% në favor të LSDM-së.

LSDM prin te shqiptarët. Anketa jep edhe rejtingun e partive sipas etnisë, e mu këtu fshihet befasia më e madhe e saj. Tek votuesit maqedonas LSDM ka një ngritje të lehtë prej 1%, por shokues është rejtingu tek shqiptarët. Këtu LSDM tashmë është ngjitur në vendin e parë duke u rritur nga 6% në 20%. E dyta vjen Besa që ka ruajtur rejtingun 15%, ndërsa BDI ka rënë në vendin e tretë duke humbur gjysmën e votuesve, nga 29% në 14%. Aleanca ka lëvizje nga 9% në 7% dhe PDSH nga 12% në 10%.

Me këto margjina të gabimit të anketës duket se partitë opozitare kanë ruajtur nivelin e njëjtë si para zgjedhjeve. Ndërsa sido që të kthehet anketa, është e qartë se ka fluks të madh votuesish nga BDI te LSDM. Madje nëse marrim parasysh se anketa paraprake favorizonte VMRO-në dhe BDI-në, fluksi mund të jetë edhe më i madh se ç‘paraqitet në anketë.

Rejtingu ne nentor dhe shkurt

“Dëgjoni, mos ligjëroni”. Cili është pra disponimi momental i popullit shqiptar. Rezultatet e zgjedhjeve flasin se preokupim kryesor i votuesit shqipar, prioritet mbi prioritetet, është shembja e regjimit të Gruevskit. Nëse dikush ka patur dilema, anketa e fundit e bën këtë vullnet edhe më të qartë.

Përveç zhgënjimit të thellë nga BDI-ja, duket se shqiptarët nuk janë fortë të bindur as me partitë opozitare. Preferenca e shtuar për LSDM-në, stagnimi i partive të reja dhe rrënia e BDI-së flasin për pakënaqësinë e shqiptarëve me punën e partive të tyre brenda dy muajve pas zgjedhjeve.

Dhe kjo na kthen te dilema fillestare. Problemi themelor është se partitë shqiptare pas zgjedhjeve kanë vazhduar të sillen si më parë, me rrahje gjoksi se kush është më patriot. Ata kanë vazhduar të ligjërojnë, pa dëgjuar e pa kuptuar se çka ju tha populli në zgjedhje. E mesazhi i tij ishte i qartë: shqiptarët me çdo kusht duan mposhtjen e regjimit të Gruevskit, saqë janë të gatshëm që për këtë qëllim të votojnë direkt LSDM-në. Alarmi veçmë është ndezur. Nëse partitë shqiptare nuk kuptojnë këtë gjë dhe vazhdojnë me të vjetrën, rrezikojnë që në zgjedhjet e ardhshme të përgjysmohen edhe një herë dhe të dërgojnë edhe më tepër vota drejt LSDM-së.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button