Kur gazetaria hyn në librin e propagandës dhe humorit pa kripë

[Recension: “BDI hyn në librin e Gunness-it”]

Ironi, humor ose informacion serioz? Se çfarë është ky “lajm”, askush nuk mund t’i bjerë në fije, nëse nuk i njeh mirë rrethanat dhe zhvillimet e fundit në skenën politike në Maqedoni. Madje, lexuesit të zakonshëm i jepen shumë pak të dhëna mbi gjendjen reale faktike. Në vend të kësaj ofrohet një dozë humori pa kripë, sa për të mbuluar mungesat e shumta të përmbajtjes nga aspekti profesional.

Ina Online - BDI hyn ne librin e Gunesit 1Linku deri te artikulli origjinal: BDI hyn në librin e Gunness-it

Data dhe koha e publikimit: 05.02.2017

Data e recensionit: 13.02.2017

Recensues: Fatlume Dervishi

Fakti që portalet janë media që zakonisht transmetojnë shkrime të shkurtra, meqë lexuesit e tyre nuk parapëlqejnë tekstet e gjata (ashtu si është vërtetuar në disa studime), nuk nënkupton që gazetari duhet të përziejë shumë aspekte në një tekst me pak rreshta, duke mos sqaruar pjesën më të madhe të tyre. Për këtë tekst, mund të thuhet se vetëm paragrafi i parë është përshkrues, real dhe i qartë. Aty njoftohet për atë se ç’kahje kanë marrë negociatat mes partive politike për formim të qeverisë pas zgjedhjeve. Hutia e lexuesit, me gjasë, fillon në paragrafin e dytë, ku është shënuar:

“… INA mëson se BDI do të hyjë në Libri Guinness, si parti që ka zhvilluar më së shumti bisedime se cdo parti tjetër, në gjithë historinë e pluralizmit politik.”

Meqë nuk është vënë në thonjëza, pasi që teksti nuk është shënuar si tekst në kategoritë e satirës, humorit ose ironisë, në fakt është treguar qasje jokorrekte dhe joprofesionale gjatë trajtimit të kësaj teme. Kjo, jo vetëm sepse BDI-ja nuk ka aplikuar për t’u bërë pjesë e rekordeve botërore të Guinnessit, jo vetëm sepse në këtë libër as nuk ekziston një kategori e tillë, por edhe për shkak të asaj se ai nuk ofron ndonjë argument të saktë për atë se bëhet fjalë për bisedimet më të gjata të zhvilluara ndonjëherë. Kjo pjesë, pra, është “shpikje” e gazetarit, jo vetëm për shkak të shakave.

“Në anën tjetër, qytetarët të habitur me këtë fenomenë presin me sy e vesh hapur se cfarë do të ndodhë!? Kush do të shkoj kësaj rradhe në histori?”

Gjuha e përdorur në fund nuk është gjuhë e zakonshme e lajmeve. Fjali të tilla mund të hasni në qëndrime, opinione, komente, analiza. Prandaj, kjo pjesë thjeshtë është tip komenti, ndërsa pyetja se “kush do të shkojë në histori” është tendencioze, sepse përgjigja që i imponohet automatikisht lexuesit – gjendet mes rreshtash në pjesën tjetër të tekstit.

KODI ETIK:

  • Zgjedhja e fakteve patjetër të sigurojë informacion objektiv duke pasur parasysh të gjitha apektet e rëndësishme të temës që trajtohet.
  • Gazetari duhet të sigurojë “palën e dytë”, respektivisht t’u jep mundësi të dy palëve të interesuara të produktit gazetaresk ta shprehin qëndrimin e tyre.

Për të dëshmuar që konsultimet mes partive dhe brenda vetë partisë vazhdojnë, teksti është dashur t’u referohej burimeve partiake, qofshin ato konkrete ose, tek e fundit, edhe anonime, por me siguirm të elementeve të besueshmërisë. Përveç që është shkelur rregulli i atribuimit të burimeve, konstatohet se teksti ka komente të integruara të gazetarit dhe nuk është objektiv.


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button