Iku dhe intelektuali kryengritës

Katërmbëdhjetë shkurti i sivjemë qe ditë zie për tetovarët, sepse u ndamë fizikisht prej një biri të devotshëm të historisë sonë të re – mësuesit dhe publicistit të mirënjohur, njërit prej prijësve të demonstratave të vitit 1968, të organizuara në Tetovë pas përdhosjes së Flamurit shqiptar nga shovenistët sllavë, intelektualit kryengritës që ia kushtoi jetën lirisë dhe mendimit të lirë, njeriut që nuk pyeti kurrë çfarë bëri Atdheu dhe kombi për të, por u përpoq një jetë të tërë të punojë për ta bërë Atdheun dhe kombin.

Në këtë përpjekje, përveç veprimtarisë së pandalur kombëtare, të nisur që në rininë e hershme, me gatishmërinë për çdo sakrificë, Faik Mustafa la pas vetes dhe vepra letrare, duke u dalluar në veçanti me epigramet, nëpërmjet të cilave u përpoq të ndreqë atë që mund të ndreqet në botën tonë që nganjëherë ngjan e braktisur idealesh.

Edhe pse viteve të fundit botoi disa vepra letrare, Baca Faik, siç më pëlqente ta tharras, për shkak të modestisë së tij, nuk e hiqte veten për poet dhe nuk vuante nëse edhe të tjerët nuk e njihnin për të tillë.

Megjithatë, Ai ishte dhe do të mbetet shumë i këndshëm dhe shumë i sinqertë në këngëtimin e tij, me vargje epigramesh mbresëlënëse, që sigurisht do të lexohen edhe nga brezat e ardhshëm. Ato kanë për temë atdheun, jetën shoqërore, gjendjen sociale dhe dashurinë për njeriun. Ato janë krijime poetike me nga katër vargje me forma rubaishë me tehe të mprehta satirike. Në fakt, ato karakterizohen me vijën e hollë dhe të vazhdueshme të humorit domethënës, që shpesh kalon në satirë të fuqishme dhe sarkazëm therrës.

Vargjet e tij parodizojnë pushtetarët e këqinj, pavarësisht kohës dhe ngjyrërave ideologjike, sfidojnë dallaveret politike, ironozojnë krimbat e jetës shoqërore, prijësit e verbër dhe të pangopshëm, tipat që hanë bukë të padjersitur dhe që thëthijnë djersën, mundin dhe të ardhmen e njeriut të thjeshtë. Ato portretojnë kryesisht metamorfozat që pëson njeriu me shndërrimin e tij nga njeri i mirë në njeri të ligë, nga njeri i ndershëm në njeri amoral, nga i dhunuar në dhunues, nga luftëtar për të drejta në sfrutonjës e interesaxhi…

Epigramet e Bacës Faik janë mësime mbi çështjet e jetës, klithma që përndjehen që në titutj sugjestivë dhe të gjetur me sens, të cilët shpërfaqin përmbajtjen dhe mesazhin e vargjeve. Ato janë me frymë didaktike e iluministe, këshilldhënëse dhe edukative njëkohësisht. Ato synojnë një shoqëri të shëndoshë dhe të shëruar dhembjesh kronike, një shoqëri të çliruar nga veset e përzhagura ndër shekuj që ndalin rritën e kombit.

Shumë epigrame kanë brenda tyre vargje me pemje fjalësh të urta popullore, si:

  • Moralistë më të mëdhenj janë njerëzit më të pamoralshëm.
  • Mendjemadhësia është veti e njerëzve zuzarë.
  • Të punosh për atdheun kurrë nuk është mjaft.
  • Po s’e mbrojte lirinë tënde, s’të anashkalon ndëshkimi.
  • Politika pa moral është porno-politikë…

Faik Mustafa nuk eksperimentonte me format e krijimeve, sepse në plan të parë e kishte përmbajtjen e tyre. Ai nuk qe rob skemash e kodesh të padeshifrueshme, ndaj vargjet e epigrameve të tij nuk i karakterizon figurshmëria. Ato madje nuk i ndante sipas motivesh të caktuara, sepse preferonte t’i sjellë natyrshëm në vepër, me itinerarin spontan të inspirimit. Së këndejmi, gjuha e krijimtarisë poetike të Faik Mustafës, këtij krijuesi që iu rrek lëvrimit të njërës prej gjinive më të munguara në letërsinë shqipe, është e thjeshtë dhe e kapshme për të gjitha shtresat e lexuesve. Kjo na bind se qëllimi parësor i autorit ishte si ai i një rilindësi: ndikimi i drejtpërdrejtë dhe i shpejtë në publikun lexues – edukimi i masave të anashkaluara popullore në të gjitha aspektet e mundshme. Parë nga ky aspekt, epigramet në fjalë, përmbushin një shprazëtirë dhe e begatojnë letërsinë shqipe me një zhanër që na ka munguar dhe me një emër krijuesi që është bërë sinonim i epigramit.

Faleminderit Baca Faik për gjithçka ke bërë për kombin dhe kulturën shqiptare.

Të qoftë i lehtë dheu i tokës Nanë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button