Ja kur pritet të ketë vendim për rastin “Kumanova”

Në sallën e madhe të Gjykatës Supreme sot do të vazhdojë gjykimi për rastin “Kumanova”, në të cilën sot duhet të japin deklaratë të akuzuarit, njofton Portalb.mk.

‘Në këtë seancë do të dëgjohen të akuzuarit, dëgjimi do të duhet zgjasë 4-5 seanca, pasi që mendoj se të gjithë të akuzuarit do të flasin. Pas mbarimit të kësaj faze atëherë pritet që në cilësinë e dëshmitarëve, të japin deklarata edhe politikanë të ndryshëm”, thotë për Portalb, avokati i palës mbrojtëse, Naser Raufi.

Pala mbrojtëse ka konfirmuar se për të dëshmuar do të thirren, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deputeti Artan Grubi, ndërkaq gatishmëri për të dëshmuar ka treguar edhe ish ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.

Në lidhje me atë se edhe sa mund të zgjasë procesi për të pritur vendim nga Gjykata për rastin “Kumanova”, avokati Raufi për Portalb thotë se, “vendim të shkallës së parë, pritet të ketë gjatë muajit prill ose maj”.

Përndryshe, në seancën e fundit, të akuzuarit Valdet Zekaj, Esat Kafexholli dhe Shefqet Kallaçi, janë ankuar se autoritetet e burgjeve kanë kryer maltretim psikik ndaj tyre. Sipas rrëfimeve të tyre, Zekajt autoritetet e burgut ia kanë shqyer Biblën dhe një libër të Nënë Terezës, Kallaçin s’e kanë lejuar të hyjë në seancë me një bluzë pasi që ka pasur simbolin e Amerikës, ndërkaq Kafexhollit ia kanë shqyer fletoret.

Në rastin “Kumanova – Lagjja e Trimave” akuzohen 37 persona, për veprën “terrorizëm”, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, në të cilën një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button