Basha: Nesër do të marrim një vendim të madh për të ardhmen, protesta paqësore

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, është shprehur i bindur se protesta e nesërme do të jetë më e madhja që është zhvilluar ndonjëherë në 26 vitet e fundit. Ai tha se pjesëmarrja do të jetë e madhe dhe do të ketë një vendimmarrje të rëndësishme në të mirë të qytetarëve. Këto mesazhe Basha i përcolli gjatë një takimi që zhvilloi me të rinjtë e njësisë numër katër të kryeqytetit, njofton Stonews.

Ai akuzoi qeverinë për mosmbajtjen e pretimeve, duke u shprehur se vendi sot ndodhet në kolaps.

“Shqipëria është në gjendje kolapsi. Ajo që shoh kudo është një vendosmëri e madhe për të mos lejuar këtë të keqe të ndodhë më. Ditën e shtunë shqiptarët do kenë një shans të jashtëzakonshëm të mos jenë vetëm, por të bëhemi të gjithë bashkë, do jetë bashkimi më i madh që shqiptarët kanë bërë në 26 vite përtej ndasive politike, një bashkim jo thjesht në përgjigje të opozitës por halleve që kanë kapluar vendin”, tha Basha.

Ai ftoi të gjithë qytetarët që të jenë para Kryeministrisë, në orën 12:00.

“U premtoj qytetarëve në emër të PD që këtë bashkim qytetar më të madhin ndonjëherë që do të ndodhë të shtunën në 12:00 këtu në Tiranë. Unë e marr si shenjë përgjegjësie dhe së bashku me këtë bashkim të madh popullor të shtunën do marrim një vendim shumë të madh për të nesërmen e çdo shqiptari.  Ftoj të gjithë shqiptarët të na bashkohen, do jetë manifestim i jashtëzakonshëm. Protestë paqësore dhe demokratike, por të vendosur deri në realizimin e objektivit të qytetarëve shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Askush nuk duhet të ketë frikë të bashkohet me ne”, tha Basha.

Sot kryetari Basha do të ketë takimet e fundit për mobilizimin e qytetarëve në protestë. Basha ka deklaruar se në 18 shkurt nis një lëvizje, ndërsa ka përmendur rastin e protestave në Rumani, si shembull që duhet të ndiqet në Shqipëri. Por pavarësisht këtyre deklaratave, PD nuk e ka bërë të ditur planin final të protestave dhe nëse do të ketë vendim për vijimin e tyre edhe pas të shtunës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button