Tempulli i diturisë po e ndriçon Tetovën

Për nderë të 17 Shkurtit, ditë kjo që shënon  fillimin e ligjëratave të para në Universitetin e Tetovës

Më 1994 u hap porta e ëndrrës shekullore te shqiptarët e Maqedonisë, u realizua ideali i rilindësve tanë Rexhep Vokës dhe Josif Bagrrit, të cilët, një shekull më parë kërkonin që kasollet me kashtë të mbulohen, sa fëmijët në shkollë të dërgohen. Ajo ëndërr sot është bërë realitet, pikërisht me lindjen e Universitetit të Tetovës, i cili është shndërruar në gjigant të dijes, arsimit, shkencës, shëndetësisë dhe kulturës sonë kombëtare në përgjithësi.

Një e vërtetë e pamohueshme

Universiteti i Tetovës është një aortë e zemrës shqiptare, pasi në dekadën e fundit të shekullit XX filloi që të rrahë fuqishëm zemra e njeriut shqiptar, për të vetmin qëllim, ngritjen e një tempulli të diturisë në një qytet të Pollogut, siç është Tetova. Në fakt, kjo aortë e njeriut shqiptarë të kësaj ane shpërtheu në vitin 1994, nga një shoqëri që s’mundej të gëlltiste më ligësitë e sistemit sllavo-maqedonas, që u  krijua si një shtet pa identitet të plotë, por, sjelljen ndaj shqiptarëve e kishte të egër dhe larg çdo niveli civilizues. Edhe pse para dy dekadash, kur lindi Universiteti i Tetovës, pala udhëheqëse maqedonase nuk pati kurajën që ta pranojnë si të tillë, përkundrazi e sulmuan pamëshirshëm dhe në fund, kur panë se kjo rrugë s’ka të ndalur, atëherë e quajtën “Foshnje e vdekur”, si ngushëllim për vetveten. Prandaj, viti 1994 do mbetet në memorien shqiptare, po ashtu edhe të asaj evropiane, për mënyrën se si ky popull po mundohej për të drejtat e tij, e në veçanti për ngritjen e këtij tempulli të dijes, i cili u mbrojt me të gjitha sakrificat e mundshme, pa edhe me gjakun  e bijve të vet.

Njeriu, ideatori, themeluesi dhe krenaria e këtij tempulli, Prof. dr. Fadil Sulejmani, nuk ishte vetëm. Ai pas vetes kishte me qindra dhe mijëra përkrahës idealist, të cilët kishin filluar të shpërthejnë në aortën e universitetit, drejtë zemrës shqiptare, pasi kjo ishte dëshira dhe ëndrra e kamotshme e shqiptarëve të këtij krahu. Ajo shpërtheu me vrull, duke tejkaluar të gjitha sfidat e kësaj rruge tejet të vështirë, sa të lodhshme, po aq edhe krenare. Edhe sot, UT, në krye me rektorin Prof.Dr.Vullnet Ahmetin, u tejkaluan të gjitha baticat e zbaticat e valëve të rrëmbyeshme dhe tempulli u ngrit në këmbët e veta. Populli e paska ditur se çfarë ka lindur – një gjigant. Ja pra, s’kishte qenë foshnje e vdekur, përkundrazi, fëmija më i bukur, më i shëndetshëm që mban mend populli. E themi me krenari se, kushdo që do merret me të, do të shkoj në theqafje, pasi ky tempull është dhuntia e Zotit për popullin shqiptar të kësaj ane. Ky tempull i dijes lindi si dielli nga majat e maleve. Ai sot i del zot vetvetes dhe qëndron krenar mu në zemër të Pollogut bashkë me zemrën e popullit, pasi çdo ditë e më shumë bëhet më i dashur për të gjithë ne, por edhe me pak rrënjë xhelozie, sa për t’ua nxjerrë vrerin gojëkëqijve.

Në emër të  ndonjë …izmi qëllimkeq, herë pas here vërsulet ndonjë zë neveritës, sikur thirret në emër të “perfektës” dhe pa asnjë shije mirëkuptimi,  sulmon tempullin tonë të shenjtë. Mos vallë ne duam që gjithçka të jetë perfektë për dy dekada!… Mos e lodhni veten, pasi të gjithë  jemi munduar të kontribuojmë, por sa kemi arritur, koha vazhdimisht tregon dhe do vazhdoj të tregojë edhe matej. Sikur kërkohet të kacafytet engjëlli me djallin! Pse? S’ka nevojë, pasi djalli dhe engjëlli janë dy botë të kundërta. Më parë le të kacafyten djalli me djallin dhe engjëlli le të bëjë punën e vet drejtë tempullit të shenjtë, ashtu siç është duke e bërë. A më kuptoni?! Ne shqiptarët nuk jemi popull i djallëzuar, përkundrazi, ne jemi populli i paqes dhe i sakrificës, kështu që nuk guxojmë të biem nën ndikimin e djallit edhe pse ai tenton të vishet me petkun e engjëllit, duke ecur mbi të kaluarën dhe shpinën e lodhshme dhe të lavdishme të popullit tonë. Kjo bukuri e pengon djallin, pasi tempulli rritet dita më ditë, zbukurohet vazhdimisht, është bërë familje e madhe, ka marrë forcë, shkëlqen dhe rrezet e bukura i shpërndanë drejtë Ilirisë.

Të gjithë ne, sot kremtojmë fitoren historike të dhembjes sonë krenare, me një vetëdije të moderuar, e cila kurën e kurës nuk do të zbehet. Andaj, koha jonë është vetëm e jona. Ky është momenti i duhur për t’u shprehur lirshëm dhe për t’u lumturuar, të cilën  na e kujtojnë vargjet poetike të Azem Shkrelit: Koha jonë / s’guxon të kohosh pa ne. As sot e as nesër dhe as kohët që do vijnë s’kanë kuptim pa Universitetin e Tetovës, pa librat, pa studentët, pa stafin akademik, pa shkencën, artin dhe kulturën studentore, që gjithçka bëhet nga populli dhe për popullin. Kjo është ndeshja e madhe historike me idetë përparimtare të kohës kur jemi duke jetuar e vepruar,  për të qenë të lirë dhe sovran.

Sot, pas dy dekadave të themelimit, Universiteti i Tetovës përcjell me vëmendje trendët zhvillimore në të gjitha fushat e jetës, si në planin kombëtar, ashtu edhe atë ndërkombëtar, duke mbajtur lidhjet me universitetet tjera më gjerë. Ky angazhim shumë serioz i UT-së, me ndonjë përjashtim të vogël, korrespondon thellësisht me idealet e rilindësve tanë, pasi edhe i madhi Ismail Qemali thoshte: “Për të shkuar  përpara në udhën e qytetërimit e të përparimit, kemi nevojë për të ditur, për të fituar dituri kemi nevojë për mësim. Pra kemi nevojë të ngrehim në të gjithë Shqipërinë shkolla kombëtare për ta përhapur dhe për të lexuar kudo gjuhën shqipe. Kjo nevojë e shkollës është e para e reformave që kemi detyrë të kërkojmë. Kur një komb nuk  mund të rritet në vete pa shkolla dhe pa mësim…”

Rroftë për jetë Universiteti i Tetovës. I gëzoftë të gjitha përvjetorët  deri në pafundësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button