Kosova feston sot nëntë vjetorin e Pavarësisë

Kosova feston sot 9 vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe formimit të shtetit të ri.

Ceremonitë zyrtare që nisën para tre ditësh, kulmojnë sot me homazhe në varret e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari dhe presidentit historik Ibrahim Rugova.

Të dy këto, personalitete me kontributin më të madh në rrugën e Kosovës drejt të qenit shtet, do të nderohen nga krerët më të lartë të institucioneve kosovare. Por në agjendën tri ditore mungon parakalimi tradicional i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa seanca solemne e kuvendit u zhvillua dje, po ashtu edhe pritja shtetërore me pjesëmarrjen edhe të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Hashim Thaçi, në fjalën e tij tha se Kosovën e kanë njohur 113 shtete.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në faqen e tij në Facebook ka publikuar një video urimi për nëntë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me titull “Kosova ime”.

“Kjo video në mënyrë simbolike përshkruan gëzimin dhe optimizmin për rrugën e pavarësisë. Urime 9 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës!” ka shkruar Mustafa.

Si çdo vit dhe obelisku i pavarësisë NEWBORN, një ndër pikat më të vizituara në Kosovë, pritet të mbledhë shumë njerëz që do të shohin pamjen e re me mesazhin për një botë pa mure.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button