Temë e qëlluar, qasje e huqur

[Recension: Banorët e Shutkës nuk duan pishinë, kërkojnë gjinekolog]

Lajmi që po recensojmë është një temë e qëlluar që prek interesin publik. Fatkeqësisht, mënyra se si i është qasur gazetari çështjes është e huqur. Përkundër pritjeve të qytetarëve, jo vetëm atyre të Shutkës, puna e gazetarit nuk është kryer me përgjegjësi, e teksti nuk e ka informuar opinionin për problematikat që shtjellon në mënyrën e duhur.

Të dhënat në tekst janë të sakta. Vërtetësia e tyre nuk kontestohet aspak. Megjithatë, qasja nuk është plotësisht profesionale, gjë që ndikon në elementet e lajmit, duke e shndërruar këtë tekst në një artikull pa informacion me peshë. Si i tillë, mund të quhet një produkt gazetaresk që nuk dëshmon nevojën që në këtë formë të ofrohet për opinionin.

Komuna e Shutkës ka rreth 8000 gra në moshën e reproduksionit por asnjë gjinekolog që t`i shërbejë, ankohen banorët e kësaj komune, të cilët janë të revoltuar me planin qeveritar për të harxhuar 700 mijë euro për ndërtimin e një pishine në këtë komunë.

Edhe pse ka mjaft arsye për të plotësuar lajmin me elementet e duhura, ky tekst nuk e ka bërë atë. Përveçse vendos dy tema në një korelacion (ndërtimin e pishinës dhe mungesën e gjinekologut) pa ndërtuar atë korelacion me narracion faktografik, në të mungon pala tjetër, ose të gjitha palët e përfshira, si një peshë relevante për të balancuar informimin. Për të bërë këtë lajm profesional, autori është dashur të kërkojë qëndrimin e kompetentëve, e jo të mjaftojë lajmin vetëm duke denoncuar fenomenin. Në këtë rast, sa për të kujtuar , ka qenë e mundshme të shfrytëzohen qëndrimet e Ministrisë së Shëndetësisë, Avokatit të Popullit, si dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal apo komunës në të cilën jetojnë këta qytetarë.

Banorët e Shutkës nuk duan pishinë screenshotLinku deri te artikulli origjinal: “Banorët e Shutkës nuk duan pishinë, kërkojnë gjinekolog
Data dhe koha e publikimit: 10.02.2017
Data e recensionit: 12.02.2017
Recensues: Adrian Kerimi

Edhe pse lajmi është me interes për publikun dhe vetë qytetarët e Shutkës, është vlerësuar se një deklaratë e vetme nga një organizatë përmbush lajmin. Gabim! Për shembull, Një anketë më e detajuar dhe me më tepër informacione nga vetë qytetarët, do të ishte shtytje edhe më e madhe për të zgjeruar hulumtimin. Nuk dyshohet në relevancën e deklaratës, por në “sasinë” e saj, sa ajo e mban dhe i jep vlerë informacionit.

“Ne kemi aq shumë probleme, sa që posedimi i një pishine nuk paraqet asnjë lloj prioritet. Paratë e shpenzuara për pishunën mund të përdoren për të zgjidhur shumë probleme më akute, siç është për shembull punësimi i një gjinekologu”, thonë nga Iniciativa e grave të komunës së Shutkës, përcjell Zhurnal.

Lajmi përfundon pa përfundim. Jepet një konstatim, gjë të cilën nuk ka të drejtë ta bëjë një gazetar, nëse për këtë nuk ka fakte apo burime, të cilat e konfirmojnë apo pretendojnë këtë. Përfundimi është sjellë duke mos u bazuar në shifra relevante dhe të argumentuara, apo pa thënë se kush e pohon këtë që po thuhet.

Gratë shtatzëna e kësaj komune shpesh lindin në kushte shtëpiake dhe vdekshmëria e foshnjave është shumë më e lartë se pjesa tjetër e popullsisë.

Teksti gjithashtu nuk ka sfond apo informacion shtesë. Në tekst nuk thuhet se banorë apo qytetarë të Shutkës janë kryesisht popullatë që i përket komunitetit rom, i cili është një ndër komunitetet me më pak të drejta dhe më të margjinalizuara në shoqërinë e Maqedonisë, me theks të veçantë në kushtet e vështira ekonomike, sociale, arsimore dhe shëndetësore. Gjithashtu, pjesë e sfondit do të mund të ishte edhe elementi se kush financon projektin për pishinë dhe deri ku është procedura e fillimit të realizimit tij.

Të gjitha këto informacione (shtesë) janë të nevojshme për lexuesin, i cili mund të mos ketë informacion mbi çështjet, të cilat janë përmendur blic, por nuk janë shtjelluar mirë në këtë artikull.

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button