Lëvizja BESA: Enti Shtetëror i Statistikave vazhdon të japë informacione të pasakta

“Së fundmi në media u publikua lajmi për vizitën e ekspertëve nga EUROSTAT-i në Entin Shtetëror të Statistikave për ta skanuar punën e këtij institucioni nga afër. Duke pasur parasysh se vizita e fundit e ekspertëve të EUROSTAT-it ishte në vitin 2010, njëherësh duke qenë të vetëdijshëm se deri në vizitën e radhës mund të kalojë shumë kohë, shfrytëzojmë rastin që publikisht ESHS-së t’ia shtrojmë disa pyetje, kjo në funksion të informimit më të saktë të ekspertëve, por edhe të opinionit”, reagojnë nga Lëvizja BESA.

Ajo që na shtyri ta ndërmarrim këtë hap, thonë nga Lëvizja BESA, është fakti se “nga ky institucion vazhdimisht janë dhënë informata të pasakta”

BESA thonë se i fundit që ishte i keqinformuar nga ky institucion ishte edhe vet Avokati i Popullit.

Lëvizja BESA u sugjeron ekspertëve të huaj që udhëheqësit e ESHS-së t’i pyesin:

–           si u bë që gjatë përpjekjes për regjistrim të vitit 2011 nga gjithsej 39 grupe të instruktorëve shtetërorë as edhe një nuk udhëhiqej nga shqiptarët?

–           si u bë që, nga tetë sektorët, në asnjë prej tyre nuk ka shqiptar si udhëheqës sektori?

–           si u bë që, nga 38 njësi, në asnjë prej tyre nuk ka udhëheqës shqiptarë? (titulli që e mbajnë dy nga shqiptarët janë: njëri ushtrues detyre udhëheqës sektori dhe tjetri koordinator i njësitit, pra jo titull udhëheqës).

–           pse viteve të fundit numri i të punësuarve shqiptarë që largohen nga aty vazhdimisht rritet? (tani në ESSH janë rreth 14% shqiptarë dhe të gjithë në nivelet më të ulëta).

–           pse nga qindra trajnime në vend dhe jashtë shqiptarët nuk dërgohen fare ose rrallë herë dërgohet vetëm një shqiptar?

–           pse shqiptarëve, të cilët ndërkohë e kanë mbaruar arsimin sipëror, nuk u pranohen diplomat, por vazhdojnë ende të konsiderohen si të punësuar me arsim të mesëm?

–           pse në shumë nga sektorët me rëndësi jetike ende nuk ka asnjë shqiptar të punësuar?

“Këto janë vetëm disa nga pikat për të cilat do të donim t’i informojmë ekspertët e nderuar nga EUROSTAT-i, por edhe opinionin e gjerë!”, shtojnë nga Lëvizja BESA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button